Ballina Bota Analiza Rama, Vuçiq e Thaçi përballë Merkelit dhe varrosja e planit për ndarjen...

Rama, Vuçiq e Thaçi përballë Merkelit dhe varrosja e planit për ndarjen e Kosovës

Para disa kohësh, gazetarja austriake Adelheid Woelfl shkruante se ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë ka lindur në një takim mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç.

Gazetarja shpreson se në takimin e 29 prillit në Berlin, kjo ide do varroset përfundimisht. A do ndodhë kështu? Ja çfarë shkruan gazeta prestigjioze gjermane, TagesSpiegel

Nga Albrecht Meier, Tagesspiegel

Kur kancelarja Angela Merkel dhe kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron të organizojnë një samit të Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin, diskutimet kanë gjasa të përqendrohen në një pyetje:

A ekziston akoma mundësia që një shkëmbim territorial mes shteteve në vija etnike të jetë një mjet për zgjidhjen e konflikteve në shekullin e 21-të? Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe homologu kosovar, Hashim Thaçi mbështesin një shkëmbim të tillë territoresh mes vendeve të tyre, kurse Merkel e kundërshton fuqimisht.

Në vitin 2008, ish-provinca serbe e Kosovës shpalli pavarësinë kundër vullnetit të Beogradit. Të dy vendet janë larg normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Vjeshtën e shkuar, Vuçiç dhe Thaçi sugjeruan që bisedimet e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve të parashikonin edhe mundësinë e shkëmbimit territorial. Sipas planit, Serbia do të marrë zonat në veri të Kosovës, të banuara nga serbët. Në shkëmbim, fshatrat e banuar kryesisht nga shqiptarët në jug të Serbisë do i kalojnë Kosovës.

Që kur ata e bënë publik propozimin, Merkel e kundërshtoi qartë shkëmbimin territorial. Kufijtë ekzistues janë të pacenueshëm, tha kancelarja në atë kohë. Ajo druhej se një demarkacion i ri mes Serbisë dhe Kosovës do të nxiste rirregullime të rrezikshme përgjatë vijave etnike. Në Tiranë, për shembull, kryeministri Edi Rama i frymëzon fantazitë e Shqipërisë së madhe- duke përfshirë bashkimin e shqiptarëve në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Kreu i qeverisë së Shqipërisë është gjithashtu mes atyre që janë ftuar nga kancelarja Merkel dhe Macron në darkën e 29 prillit. Përveç tyre, të ftuar janë edhe krerët e shteteve dhe qeverive të tri vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Listës së mysafirëve i janë shtuar edhe kryeministrat e Kroacisë dhe të Sllovenisë.

Me konferencën e nivelit të lartë, qeveria gjermane dëshiron të tregojë se fjala e saj është e rëndësishme në politikën e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë ka pasur zëra se Macron, presidenti i SHBA, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin duan t’i trajtojnë vetëm çështjet e rajonit, që synon BE-në, por që qëndron edhe nën ndikimin e Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

Nënkryetari i CDU kritikon Mogherinin

Kryediplomatja e BE, Federica Mogherini do jetë pjesëmarrëse në darkën e Berlinit. Roli i italianes është i diskutueshëm. Ishte ajo, si koordinatore e BE për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, që fliste hapur për një shkëmbim territorial mes dy vendeve. Në këtë mënyrë ajo ka ‘korrur’ kritika të forta në Berlin.

‘Mogherini ka imponuar plane të rrezikshme për shkëmbime territoresh,’ kritikon zëvendësi i grupit CDU/CSU, Johann Wadephul. ‘Nuk ka absolutisht asnjë garanci se ndryshimet territoriale do kufizohen vetëm në Serbi dhe Kosovë,’ thotë Wadephul për Tagesspiegel.

Sipas tij, një shkëmbim territorial do të nxiste një shpërthim në Ballkanin Perëndimor me destabilizime të reja, duke përfshirë konflikte etnike dhe ndoshta konflikte të armatosura. Edhe eksperti i Të Gjelberëve për Europën Lindore, Manuel Sarrazin argumenton: ‘Kufijtë në Ballkanin Perëndimor janë të paprekshëm. Një shkëmbim territorial mes Serbisë dhe Kosovës është tabu dhe duhet të mbetet kështu’.

Mbetet i hapur pozicioni i Macron

Vëzhguesit tani presin që darka e përbashkët në zyrën e kancelares më 29 prill të sinjalizojë se pavarësisht nga pozicioni i Komisioneres për Punët e Jashtme të BE, Mogherini, kufijtë etnikisht të pastra në Ballkanin Perëndimor nuk janë zgjidhje.

Por mbetet i hapur pozicioni me të cilin Macron shkon në diskutimin për planet e shkëmbimit territorial mes Serbisë dhe Kosovës. Në Francë ka mjaft simpati për një demarkacion të ri. Ish-ministri i Jashtëm, Bernard Kouchner u shpreh shtatorin e shkuar se shkëmbimi i territoreve është një zgjidhje e mirë. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka të drejtë të riprezantojë Vuçiç me Thaçin, tha Kouchner, që konsiderohet i besuari i kreut të shtetit të Kosovës.

Eksperti: Ballkani Perëndimor po bie ekonomikisht

Eksperti i Ballkanit, Dushan Reljiç nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë e sheh dështimin e BE në një plan tjetër, tek paaftësia për të mos vënë re rrjedhjen e klasës së mesme nga Ballkani Perëndimor dhe plakjen e popullsisë. ‘Nuk ka konvergjencë, por një divergjencë në rritje mes BE dhe Ballkanit Perëndimor,’ thotë ai. Premtimi i BE se prespektiva e pranimit do të përmirësojë automatikisht edhe kushtet e jetesës në vendet e Ballkanit Perëndimor, është thyer.

Në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi ka më shumë gjasa që të presin anëtarësimin në BE. Vitin e kaluar, Komisioni i BE u premtoi dy vendeve anëtarësimin në vitin 2025. Këtë vit, Komisioni nuk dëshiron të publikojë raportet e progresit në prill, por pas zgjedhjeve europiane. Në këtë mënyrë Brukseli kërkon të shmangë diskutimet e pakëndshme rrethe vendeve në pritje. /Përgatiti: Mapo.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews