Ballina Bota Përse zgjati kaq shumë zjarri në ‘Notre Dame’

Përse zgjati kaq shumë zjarri në ‘Notre Dame’

Nga Laura Gehrmann, BILD

400 zjarrfikës luftuan për katedralen e Parisit ‘Notre Dame’. E gjithë çatia e kishës ishte në flakë, ajo u rrëzua gradualisht. Fillimisht ra maja më e lartë. Ata nuk mund ta parandalonin këtë gjë.

Zyra e prokurorit publik në Paris mendon se ishte një aksident. “Asgjë deri më tani nuk tregon se ishte diçka e qëllimshme,” thotë Remy Heitz. Sipas ekspertit të zjarreve, Serge Delhaye, një shkëndijë në pluhurin e drurit mund të jetë ndezur për orë të tëra pa u vënë re.

Të hënën pati dy alarme, thotë prokurori Heitz. Njëri ra në orën 18:20, por pas një kontrolli nuk u vunë re shenja zjarri.

Alarmi i dytë u shënua në orën 18:43- atëherë u zbulua edhe zjarri. Flakët e përpinë papafingon me shpejtësi të madhe.

Por përse zjarrfikësit dukeshin kaq të pafuqishëm për një kohë të gjatë? Çfarë e bën kaq të vështirë ndërhyrjen në raste zjarri në ndërtesa të tilla historike kaq të mëdhë?

Tobies Thiele, ekspert i zjarrfikësve, thotë për Bild: “Në ndërtesa të tilla, shpesh nuk ka masa paraprake për sigurinë nga zjarri. Përveç kësaj, druri i një kishe të tillë është kaq i vjetër dhe i thatë sa digjet shumë shpejt”.

“Pemët e çadisë së ‘Notre Dame’ datojnë këtu e 850 vjet më parë”.

Në raste të tilla, edhe sistemet e instaluara për fikjen e zjarrit janë shpesh të padobishme- ato përdoren për zbulimin e hershëm të zjarreve dhe zakonisht mund të kufizojnë ndonjë zjarr të vogël.

Maja më e lartë e kishës është mbi 90 metra, flakët u ngjitën me shpejtësi nëpër dru deri atje. Ajo u rrëzua në orën 20:07, ekipi i zjarrfikësve nuk kishte asnjë shans.

“Shumica e shkallëve të zjarrit janë vetëm 30 metra të larta. Ka disa shkallë të veçanta, të cilat shkojnë deri në 50 metra. Por edhe kjo nuk është e mjaftueshme për këtë rast pasi është sfidë teknike që të pomposh ujin kaq lart”, thotë Thiele.

“Për ndërtesa të tilla të vjetra nuk ka plane për mbrojtjen nga zjarri. Puna e zjarrfikjes është e paparashikueshme. Përveç kësaj, shërbimet e emergjencës e dinë shumë mirë se e gjithë bota po i sheh dhe kjo nuk ua bën punën më të lehtë”.

Sipas informacioneve të para, një zjarrfikës u plagos rëndë gjatë natës.

Ekspertët thonë se për momentin vetëm mund të presin. Fillimisht duhet të shuhen thëngjijtë e fundit dhe më pas duhet të qetësohen muret- kjo mund të zgjasë deri në tre ditë. Më pas, inxhinierët do të përcaktojnë se sa i madh është rreziku që muret të shemben. Vetëm atëherë mund të vlerësohen përmasat e dëmit dhe të nisë rimëkëmbja.

Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, që të përdoreshin avionët e zjarrfikësve, kundërshtohet nga ekspertët. “Nuk do kishte kuptim në këtë rast. Ekipet franceze të zjarrfikësve kanë avionë me cisterna deri në 10 mijë litra ujë- por ndikimi i këtyre masave nuk do i kishte shpëtuar muret, por do i kishte shkatërruar. Përveç kësaj duhet mbyllur zona e operacionit në një perimetër shumë të gjerë, diçka e vështirë në një qytet të madh si Parisi. Kjo është arsyeja se përse i përdorim avionët e zjarrfikëseve kryesisht në zjarret e pyjeve”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews