Ballina Bota “Mall” nga Irani për të “mpirë” Athinën – 20 në pranga me...

“Mall” nga Irani për të “mpirë” Athinën – 20 në pranga me “koka” 5 shqiptarë …kapet dhe 3 mln euro drogë

Në tre operacione paralele të kryera ditën e djeshme nga Drejtoria e Policisë së Atikës në Greqi, kanë përfunduar mbi 10 shtetas shqiptarë, të cilët bashkëpunonin me disa të huaj në trafikun e drogës.

Nga deklarata e drejtorit të përgjithshëm, Jeorgios Kanelos mësohet se dy shqiptarë të burgosur në Greqi janë koka e trafikut të narkotikëve nga ky grup, ndërsa një tjetër shqiptar, 53 vjeç kishte rol qendror në importimin e heroinës së pastër nga Irani.

“Malli” që vinte nga Lindja, përpunohej në Greqi nga shqiptarët, të cilët tregonin edhe kanabis e kokainë, jo vetëm në Athinë por në të gjithë tregun grek.

Në bashkëpunim me sektorin special antiterrorist dhe qenin e policisë dje paradite është zhvilluar një operacion i gjerë në mjaft zona të Athinës qendrore si Ilion, Zofria, Kipseli, Dhafni dhe Sepolia, gjatë të cilit u arrestuan 5 shqiptarë të moshave 28,31,31,35 dhe 53 vjeç.

Ndërkohë, droga e sekuestruar në depot e Athinës konsiderohet të arrinte në treg një vlerë mbi 1 milion euro.

Gjatë operacionit u zbuluan 2 laboratorë me të gjitha pajisjet si dhe u sekuestruan 44 kg e 475 gr heroinë, 10 kg e 800 gr pluhur për bastardimin e lëndëve narkotike, pistoletë, automjete, motora, celularë.

Në një tjetër operacion të policisë të Atikës, ditën e djeshme u arrestuan në Elefsina, në autostradë, një 46-vjeçar shqiptar u arrestua për transportin e 75 kg dhe 100 gr kanabis të papërpunuar.

Në vijim të operacionit, u arrestua një tjetër shqiptar 37 vjeç, në shtëpinë e të cilit u gjendën 732 kg dhe 660 gr kanabis e papërpunuar, si dhe në një tjetër depo u sekuestruan 7 kg dhe 435 gr kokainë dhe 10 kg kanabis, bashkë me 3 peshore dhe 6 celularë dhe 540 euro nga tregtia e drogës.

Policia greke deklaron se fitimet nga shitja e sasisë së drogës së sekuestruar, gjithsej 817 kg dhe 720 gr, edhe në këtë rast mendohet të tejkalonte 1 milion eurot.

Në operacionin e tretë të ditës së djeshme, policia e Pireut ka arrestuar 13 anëtarë të një bande kriminale dhe janë në kërkim të dy akoma, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike në tregun vendas. Arrestimet janë kryer në zona të ndryshme, Pire, Nikea, Koridhalo, Keracini dhe Korinth.

Të dhënat e të arrestuarve nuk janë identifikuar plotësisht, por burime policore bëjnë fjalë për një numër të madh shqiptarësh, mes anëtarëve të bandës. Gjithsej, u sekuestruan 10 kg e 657 gr kanabis, 84 gr kokainë dhe 51 fidanë ujorë kanabis, bomba dore si dhe peshore.

@tn.lajmelokale
@tetovanews