Ballina Bota Maduro mban pushtetin, pavarësisht nga sanksionet kundër Venezuelës

Maduro mban pushtetin, pavarësisht nga sanksionet kundër Venezuelës

Tre muaj pas përpjekjeve intensive të Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, udhëheqësi autokrat socialist vazhdon të jetë në pushtet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden, administrata Trump mund ta ketë mbivlerësuar fuqinë e sanksioneve të ashpra për të detyruar ushtrinë venezueliane të braktisë Maduron.

Një embargo de fakto e Shteteve të Bashkuara mbi naftën e Venezuelës është duke ia shtuar dhimbjet ekonomike vendit të Amerikës Jugore ku miliona njerëz vazhdojnë të ikin nga mungesa kronike e ushqimit dhe shtypja.

“Embargoja nuk e ka krijuar krizën humanitare. Ajo u krijua nga qeveria venezueliane nën Nicolas Maduron, nga politikat e tij dhe keqmenaxhimi, korrupsioni e gjithçka tjetër. Ky është shkaku i krizës humanitare. Por situate përkeqësohet mendoj, me sanksionet ekonomike në fuqi, që janë shumë të forta”, thotë Michael Shifter me organizatën Dialogu Ndër-Amerikan.

Pritshmëritë se udhëheqësi socialist Nikolas Maduro së shpejti do të detyrohet të japë dorëheqjen për shkak të sanksioneve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe presionit diplomatik duket se po veniten ndërsa kriza vazhdon.

Në janar, Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera njohën Juan Guaidon, kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, si udhëheqës të përkohshëm të vendit, pasi Maduro bllokoi kandidatët e opozitës në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Administrata Trump ndaloi shitjet e naftës venezueliane në Shtetet e Bashkuara që siguronte gati 90 për qind të valutës në vend.

Maduro ka përballuar presionin e shtuar ndërkombëtar dhe vazhdon të marrë mbështetje të rëndësishme nga udhëheqja ushtarake e Venezuelës që mund të ketë frikë nga ndëshkimi për abuzimet e së kaluarës, nëse opozita merr pushtetin.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosën sanksione të reja ekonomike mbi Kubën, pjesërisht për shkak të mbështetjes së qeverisë Maduro me mijëra këshilltarë ushtarakë dhe të sigurisë.

Rusia gjithashtu ka rritur mbështetjen e saj për Maduron duke dërguar ndihma dhe personel ushtarak dhe duke bllokuar dënimin e qeverisë së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në të njëjtën kohë, bisedimet për një veprim ushtarak të mundshëm të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara janë venitur përballë rezistencës së fortë nga Brazili dhe Kolumbia, aleatët kryesorë në rajon.

“Këto vende kanë hequr vijën e kuqe. Janë për një qëndrim të fortë politik dhe diplomatik, por nuk janë të gatshëm të lejojnë përdorimin e forcës “.

Ndërsa sanksionet amerikane dhe protestat publike në rritje ende mund të sjellin ndryshim demokratik në Venezuelë, vështirësitë për shumicën e banorëve atje, nuk japin shenja se do të marrin fund së shpejti. Burimi:VOA

LAJMET MË TË REJA
Loading...