Ballina Sport Juventusi ndalet nga Ajaksi, Barça fiton me një autogol

Juventusi ndalet nga Ajaksi, Barça fiton me një autogol

Pasi befasuan Realin e Madridit, duke e eliminuar nga Championsi, të rinjtë e talentuar të Ajaxit i kanë dhënë një leksion futbolli edhe Juventusit, mbrëmjen e sotme në “Johan Cruiff Arena” të Amsterdamit.

Të besuarit e trajnerit Ten Hag dominuan takimin për pjesën më të madhe të 90-minutëshit, ndonëse në fund nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1, pasi fati duket se kishte zgjedhur të përkrahë ngjyrat bardhezi sonte.

Cristiano Ronaldo shënoi golin për Juventusin në fundin e pjesës së parë, por Neres riktheu baraspeshën sapo nisi 45-minutëshi i dytë, pas një aksioni ku bëri “lëmsh” gjithë mbrojtjen bardhezi dhe mposhti portierin Sczesny.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Barcelonës i mjaftoi një autogol i Luke Shaw në minutën e 12-të të takimit, për të marrë fitoren ndaj Manchester Unitedit në stadiumin e këtyre të fundit, “Old Trafford”.

Pas avantazhit, Barcelona u mjaftua me një qarkullim të dendur të topit, duke ulur ndjeshëm ritmin, çka bëri që rastet e pastra për shënim, të ishin shumë të pakta në sfidën e Manchesterit.

Kështu pas kësaj mbrëmjeje të Championsit, duket se në të dy përballjet do të duhet të pritet përfundimi i ndeshjeve të kthimit, për të mësuar gjysmëfinalistet, pasi gjithçka ka mbetur e hapur.

Loading...