Ballina Kronika Grabitja/ “Zbërthehet” grupi që ‘përdhosi’ Rinasin, 17 ‘skifterë’ për 6.5 milionë euro...

Grabitja/ “Zbërthehet” grupi që ‘përdhosi’ Rinasin, 17 ‘skifterë’ për 6.5 milionë euro (EMRAT)

I është dashur vetëm dy javë Policisë së Shtetit për të zbardhur të gjithë skemën e grabitjes së mbi 6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, dhe e gjithë kjo falë përgjimeve dhe bashkëpunimit me drejtësinë të Alkond Bengasit, që modifikoi fugonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Në këtë grabitje spektakolare përveç Admir Muratajt, me një CV të pasur kriminale është edhe Klement Çala, ndërsa janë të përfshirë edhe persona që dikur kanë mbajtur veshur Uniformën Blu të policisë.

Sipas informacioneve të deritanishme, grupi që ideoi dhe kreu grabitjen është i përbërë nga 17 anëtarë. Policia ka arritur deri më tani të identifikoj 9 prej tyre, ndërsa të arrestuar janë 5 dhe i vrarë gjatë aksionit është Admir Murataj.

Autoritetet kanë identifikuar tashmë me emër dhe mbiemër si persona të dyshuar: Admir Murataj (i mbetur i vrarë), Klement dhe Eldi Çala, Alkond Bengasi, Oltion Veseli, Sajmir Çela, Renaldo Sula, Elton Pikli dhe ish-efektivja e policisë E.Bici.

Oltjon Veseli, Renaldo Sulaj dhe Saimir Çela u lanë në burg pa afat, ndonëse mohuan të kenë marrë pjesë në grabitje, ndërsa Alkond Bengasi është bashkëpunëtor i drejtësisë.

Ndërkohë, raportohet edhe për dy shtetas nga Kosova të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët identifikohen nga Alkond Bengasi si ‘Daja’ dhe ‘Tani’.

Autoritetet shqiptare po punojnë së bashku me autoritetet kosovare për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews