Ballina Diaspora Gjuha shqipe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata të Italisë

Gjuha shqipe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata të Italisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur se nga ky vit mësimi i gjuhës shqipe do të organizohet edhe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata të Italisë, shkruan MekuliPres.

Ai gjatë një takimi me drejtorin e shkollës “Enrico Fermi”, Ermanno Bracalente, me rastin e festës vjetore që organizohet nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali, ka biseduar për kontributin e tyre të çmuar për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës të të rinjve në mërgatë.

“Për të dëshmuar se mësuesit tanë kanë një angazhim me vlerë dhe një mision fisnik në shërbim të të rinjve, në shërbim të atdheut, e që respektohen edhe institucionalisht, ishte edhe pjesëmarrja e nënkryetares së qytetit të Maceratës, Stefania Monteverde, të cilën në emër të shtetit të Kosovës, e falënderova për gjithë mbështetjen e gjithë akterëve të këtij qyteti në dhënien në shfrytëzim të hapësirave të nevojshme dhe krijimin e kushteve tjera përcjellëse për zhvillimin e mësimit shqip në atë zonë”, shkruan Bytyqi në Facebook, transmeton Koha.

Gjithashtu, moment tjetër i mirë ishte edhe prania në këtë organizim dhe takimi me profesorin e nderuar arbëresh, njëherësh një ndër piktorët më të mirë në Itali, Silvio Craia (Kraja), që ka krijuar vepra të shumta artistike duke mbledhur artistët më të mirë italianë në ekspozitat e tij, fitues i shumë çmimeve në pikturë, e gjithashtu themelues i Muzeut Qytetar të Maceratës.

Një takim të rëndësishëm, ministri Bytyqi pati edhe me rektorin e Universitetit të Camerinos në Itali, Claudio Pettinari, me të cilin u dakorduan që shumë shpejt të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, ku ky universitet shtetëror me 7 shekuj histori, i themeluar në vitin 1336, do të ndajë 10 bursa për studentët nga Kosova, ku 5 do të jenë për studime bazike dhe 5 tjera për studime master dhe kryesisht në shkenca ekzakte. (koha.mk)

Loading...