Ballina Kronika Furgoni i grabitësve i modifikuar, alarmi ra disa minuta me vonesë

Furgoni i grabitësve i modifikuar, alarmi ra disa minuta me vonesë

Hetimet për grabitjen e rreth 6.5 milionë eurove në Rinas vazhdojnë me intensitet të lartë. Prokurorët për Krimet e Rënda kanë qenë këtë të premte në Aeroportin e Rinasit për të sekuestruar të gjithë praktikën, që është ndjekur nga ky institucion në grabitjen e të martës në pistën e avionëve.

Në grabitjen, policia dyshon se morën pjesë të paktën 8 persona (6 duken në kamerat e sigurisë në furgon) të cilët kanë luajtur rol në vëzhgim, por edhe në djegien e dy furgonëve të tjerë, njëri prej të cilëve u shkrumbua për të shpërqendruar ndjekjen e policisë.

Nga hetimet rezulton se furgoni më të cilin u realizua grabitja me mbishkrimin hetimi tatimor ka qene i modifikuar në shasi dhe në logo pasi ishte një tip Ford që mbante logon e Volkswagen. Në pjesën e shasisë sipas ekspertizës ishte vendosur një shinë treni, e cila ka ndihmuar në heqjen e bllokut të betonit në hyrje të Rinasit, por edhe në dalje në hapjen e portës së emergjencës.

Sa i përket dyshimeve se dhe njëri prej grabitësve është plagosur, në vendngjarje policia ka gjetur gjurmë gjaku por pas analizave rezultuan se ishin të njëjtat me 43-vjecarin Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë.

Çfarë kanë në dorë hetuesit

Alarmi i aeroportit ka rënë disa minuta me vonesë, pasi grabitësit kishin prekur territorin e rrethuar. Sipas kamerave të sigurisë furgoni shfaqet në portën e zjarrfikësve rreth orës 14.57. Por, pavarësisht këtij fakti, askush nuk ka dhënë alarmin. Në orën 14.59 minuta e 30 sekonda grabitësit gjendeshin në pistë dhe nisin rrëmbimin e thasëve.

Në orën 14:59:20, forcat e Policisë së Rinasit gjendeshin në pistë për të marrë prej andej personat e deportuar nga jashtë vendit. Pikërisht në të njëjtën vendqëndrim, në një avion tjetër sapo kishin mbërritur edhe grabitësit, të cilët po kryenin rrëmbimin e armatosur të vlerave monetare. Por, efektivët e Policisë së Rinasit nuk i kishte njoftuar asnjë, ndërkohë që ata nuk kishin fushëpamje për çfarë po ndodhte disa metra më tej.

Ende pa u larguar grabitësit nga pista thuhet më tej, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë tentuar dhe kanë kërkuar që kjo portë të hapet, por diçka e tillë nuk ka ndodhur pasi punonjësit e ICTS kanë refuzuar futjen e FNSH-së në pistë. Diçka e tillë do të sillte kapjen në kohë të grabitësve./Opinion.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews