Ballina Aktualitet Lajme Fshatrat po boshatisen çdo ditë e më shumë

Fshatrat po boshatisen çdo ditë e më shumë

Infrastruktura e shkatërruar është ndër shkaqet kryesore qe fshatrat po boshatisen. Kushte më të mira për jetë banorët e shpërngulur kërkojnë afër qyteteve. Fshati Alldincë, komuna e Studeniçanit dikur ushtonte nga zhurma e banorëve ndërsa sot në këtë fshat mezi takojmë njeri. Ekipi i Alsat udhëtoi drejt fshatit me mbi 1400 metra lartësi. Na shoqëruan edhe banorët tashmë të shpërngulur të cilët dekada me radhë kërkojnë nga institucionet përgjegjëse ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Madje, ata kanë ndërmarrë nismën për grumbullimin e fondeve për ndërtimin e rrugës drejt fshatit Alldincë.

Gjashtë mandate kryetar komune kemi pas shqiptar, asnjëri prej atyre nuk na e ka zgjat dorën, jo se nuk kemi pas kërkesa, kërkesa kemi bë, po të gjitha kanë hasur në vesh të shurdhër edhe ne kemi mbet nën mëshirë të Zotit. Ne jemi diku me 3500 euro, me 3500 euro asgjë nuk bëjmë. Më shumë i bëjmë thirrje komunës, komuna si komunë është baba i gjithë fshatrave, komuna është që i merr 20 mijë vota prej këtyre fshatrave”.- theksoi Fazli Etemi, banor

Unë e kam ndërtuar shtëpinë këtu, 40 mijë euro kam investuar, nëse në Shkup investon 20 mijë euro këtu 40 mijë, material nuk vjen, shtrenjtë, më shtrenjtë është transporti”.- tha Hashim Halili, banor.

Banorët tregojnë se kanë humbur shumë nga pasuria për shkak se nuk arrijnë rregullisht të punojnë tokat, që sipas tyre, janë shumë pjellore.

E punoni tokën këtu që e keni? Po, e punojmë por kot që e punojmë, një e ardhme 100 euro kushton, vetëm rruga, më mirë do ti largohesh edhe asaj edhe do të jetosh me një sociale, është rëndë, vërtet është rëndë. Nëse do të ishte rregulluar rruga secili vjen dhe punon edhe jeton siç e ka pas jetën përpara me mall, sot një mall nuk ka mbet, të gjithë i kanë shit dhe i kanë largu”.- u shpreh Sabri Fetai, banor

Për shkak të rrugës nuk mundemi me dal e ti shfrytëzojmë, ndërsa përpara jemi marr me bujqësi, me blegtori. i kemi pas kafshët tona, deri 120 copë, pasi u shpërngulëm I humbëm ato”.- pohoi Samet Latifi, i shperngulur ne Saraj

Përveç fshatit Alldincë, kjo rrugë e shkatërruar prek edhe fshatrat Koliçan i Epërm, Molla Reka, Cërvena Voda, Presllap dhe Paligrad. Nga Komuna e Studeniçanit thonë se për këtë pjesë tashmë janë përgatitur dy projekte që parashohin ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugës. Kryetari i Studeniçanit Azem Sadiku tha se buxheti i komunës është shumë i vogël për realizimin e projekteve kaq të mëdha por se të njëjtat pritet të realizohen përmes fondeve të BE-së që dedikohen për projekte të ngjashme.

Melihate Rustemi/Alsat-M

@tn.lajmelokale
@tetovanews