Ballina Aktualitet Shqipëri “Ditë e zezë dhe parodi”, ish-ambasadori holandez flet për vizat!

“Ditë e zezë dhe parodi”, ish-ambasadori holandez flet për vizat!

Ish-ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch (holandez) ka komentuar vendimin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë.

Në një opinion në mediat vendase, Bosch shkruan se, disa anëtarë të veçantë të parlamentit u sollën në mënyrë qesharake, ndërsa thekson se kjo ishte një ditë e zezë, sipas tij për demokracinë holandeze, duke shtuar se megjithatë ka kohë për të reflektuar.

Duke u ndalur tek debati në parlamentin holandez, Bosch thotë se mospranimi i faktit që Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për udhëtim pa viza, sipas tij, e ktheu debatin në një paradoi.

Ai shton më tej se ka pak mundësi që peticioni të mund të tërhiqet apo pezullohet.

Shkrimi i plotë:

Ditë e zezë për demokracinë.

Të enjten më 11 Prill, një debat u zhvillua në parlamentin hollandez mbi ‘bandat kriminale shqiptare në Hollandë’. Debati ishte vendosur në rendin e ditës nga CDA (demokristianët) në Nëntor të 2017. Zëdhënësja e CDA, deputetja Madeleine van Toorenburg tha fjalë të ashpra dhe kërkoi më pak shqiptarë, në një formë që do t’i përshtatej partisë politike të ekstremit të djathtë PVV.

Ishte një debat interesant. Sido që të përgjigjej demokristriani i respektuar, Ministri për Sigurinë dhe Drejtësinë zoti Grapperhaus, kolegia e tij nga e njëjta parti nuk donte të dëgjonte. Ajo injoroi shifrat dhe faktet që ai paraqiste. Zonja Van Toorenburg jo vetëm që nuk pranonte shifrat, por nuk pranoi as të dhëna të tjera faktike nga një përgjigje zyrtare që ministri i drejtoi parlamentit.

Kur ministri nënvizoi që faktet ishin serioze, por që numri i rasteve ishte shumë i vogël, ajo reagoi në mënyrë emocionale dhe deklaroi që shqiptarët po e destabilizonin vendin.

Realiteti është që në fakt disa banda shqiptare veprojnë në Hollandë. Këto grupe kriminale nuk i shmangen dhunës, por është e qartë që janë marrë massa shumë efektive kundër tyre. Në këtë aspekt ka edhe një bashkëpunim shumë të frytshëm me autoritetet shqiptare. Javën e kaluar u shkatërrua njëri nga këto grupe me mbështetjen e policisë shqiptare dhe të Europolit.

Si Ministri Grapperhaus dhe Ministri Harbers kanë vizituar Tiranën në dy javët e fundit për të theksuar dhe diskutuar këtë bashkëpunim dhe të dy u larguan me përshtypje shumë pozitive.

Qeveria aktuale shqiptare po zbaton një reformë shumë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Gjatë kësaj reforme, gjyqtarët dhe prokurorët kalojnë në veting dhe nëse nuk munden të provojnë që kanë aftësi profesionale, integritet ose burime të ligjshme pasurore do të shkarkohen. Ekspertë të huaj (edhe nga Hollanda) po mbështesin dhe vëzhgojnë këtë proces dhe garantojnë objektivitetin e tij. Asnjë vend tjetër kandidat për anëtarësim në BE nuk ka zbatuar një reformë të kësaj madhësie.

Qeveria shqiptare po bën më të mirën për të reduktuar kriminalitetin dhe korrupsionin. Fatkeqësisht shumë grupe interesi mundohen ta pengojnë këtë proces. Deputetja Van Toorenburg mund të vlerësohet shumë nga kriminelë që bëjnë gjithë c’munden për të frenuar procesin e modernizimit. Këta kriminelë nuk shqetësohen për cështjen e udhëtimit pa viza, sepse atyre nuk u duhen viza, ata e kanë shumë të thjeshtë të marrin një pasaportë europiane. Janë qytetarët e thjeshtë shqiptarë, sipërmarrësi, turisti dhe student, ata që mund të dëmtohen nga një regjim i ri vizash.

Në debatin parlamentar u bë e qartë që kriminelët shqiptarë ishin shumë më pak aktivë në Hollandë sesa në Britani dhe prandaj atje kanë kufizim për vizat. Zonja Van Toorenburg e tregoi qartë që nuk e kuptonte mirë legjislacionin që rregullon vizat. Ajo deklaroi që policia nuk mund të bëjë asgjë për të parandaluar që qytetarë shqiptarë të gjejnë një mënyrë për të kaluar kufirin drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Ajo deklaroi: “E vetmja gjë që duhet të thonë këta shqiptarë është ‘jemi turistë.” Kjo në fakt nuk është e saktë.

Kur një person nuk ka para, një vend për të qëndruar apo sigurim shëndetësor atëhere nuk ka asnjë arsye të ligjshme për të qëndruar në zonën Shengen. Kur dikush pa këto kritere paraqitet në zonën Shengen, kjo do të thotë që kufijtë e BE-së nuk kontrollohen mjaftueshëm për ta ekstraduar menjëherë atë person.
Në letrën e përmendur më sipër, nga ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë për Parlamentin e Hollandës theksohej që Komisioni Europian vlerëson kriteret që lidhen me udhëtimin pa viza për të gjitha vendet që kanë një regjim të tillë vizash. Raporti i KE-së i Dhjetorit 2018 shprehet qartë se Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për udhëtim pa viza. Ky është një nga faktet që znj. Van Toorenburg dhe disa deputetë të tjerë refuzojnë ta pranojnë. Kjo ishte ajo që e ktheu debatin në një parodi, në fakt.

Opinionet e saj ishin të gdhendura në gur dhe cfarëdo që thoshte Ministri i Drejtësisë ajo nuk e dëgjonte, aq më pak qenë të gatshëm pala që kërkonte viza për shqiptarët të ndrysonin mendje bazuar në fakte pasi konsideronin vetëm anën e tyre.
Dhe kjo është në fakt mënyra sesi situata shqiptare pengon Hollandën. Me disa anëtarë të vecantë të Parlamentit që u sollën në mënyrë qesharake dhe nuk duan të pranojnë faktet. Një ditë e zezë për demokracinë hollandeze. Megjithatë, ka ende kohë për të reflektuar.

Peticioni mund të tërhiqet apo pezullohet. Ka pak mundësi që kjo të ndodhë, sepse këta deputetë do turpëroheshin. Shto këtu edhe një dëshirë të fortë për të fituar pikën në populizëm pak para zgjedhjeve europiane.

@tn.lajmelokale
@tetovanews