Ballina Aktualitet Rajoni Daçiq: Shqipëria e Kosova do bashkohen është çështje kohe

Daçiq: Shqipëria e Kosova do bashkohen është çështje kohe

Për Serbinë është çështje kohe derisa Kosova dhe Shqipëria të bashkohen, pasi sipas ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç nuk mund të ketë dy shtete shqiptare në Ballkan.

Deklaratat e kreut të diplomacisë serbe erdhën gjatë një interviste për televizionin rus “Russia Today”, ku foli edhe për samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlinit. Sipas tij, ky takim nuk do të bëjë të mundur vazhdimin e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Daçiç theksoi se krijimi i Shqipërisë së Madhe është kërcënimi më i madh për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ai foli për krijimit të kombeve sipas vijave etnike, duke theksuar se kombi shqiptar nuk mund të ketë dy shtete.

“Çdo njëri duhet ta ketë të qatë se asnjë komb në Europë nuk ka dy shtete. Populli shqiptar nuk mund të ketë dy shtete. Kjo utopi duhet të marrë fund. Ata që mbështesin Kosovën, mbështesin edhe Shqipërinë e Madhe, sepse është çështje kohe derisa Kosova dhe Shqipëria të bashkohen”, tha Daçiç.

Intervista e tij me “Russia Today” vjen disa javë pasi Kremlini ka paralajmëruar hapur qeverinë shqiptare nëpërmjet një deklarate diplomatike, të distancohet nga deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sipas Rusisë, liderët shqiptarë po përgatiten për “plane të rrezikshme gjeopolitike”.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme Ruse bëri të ditur se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama në mars se Kosova është “pjesë e Shqipërisë”.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova deklaroi se Rusia nuk mund të qëndronte e heshtur ndaj kësaj deklarate.

“Fillimisht menduam nuk e kishim përkthyer mirë këtë deklaratë, prandaj kemi kontrolluar disa herë”, tha Zakharova.

“Kryeministri shqiptar e lidhi zbatimin e këtij plani me korrigjimin e kufijve që diskutohen në mënyrë aktive për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës” tha ajo.

Reagimi i ashpër i Moskës vjen mes një sërë raportesh në media ruse, por edhe serbe, se liderët shqiptarë po përgatiten për krijim e Shqipërisë së Madhe, shkruan SI.

Paralajmërimi i Kremlinit erdhi ndërkohë që Beogradi “vlon” prej kohësh me deklarata të paprecedente për shkak të “heqjes së kufirit” mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo lëvizje është pritur me nota alarmante nga Serbia, qe ka akuzuar politikanët shqiptarë se po përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e Madhe” .

Thellimi i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës si dhe heqja e barrierave kufitare, është parë nga Beogradi zyrtar jo vetëm si nje ide e “mbjellë” nga Amerika, por edhe një paralajmërim për aneksimin e Republikës Serpska.

Një sërë zyrtarësh në Beograd kanë paralajmëruar se nëse krijohet Shqipëria e Madhe, atëherë do të krijohet edhe Serbia e Madhe.

@tn.lajmelokale
@tetovanews