Ballina Opinione “Batuta” e radhës me kinezë e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku!

“Batuta” e radhës me kinezë e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku!

Enver Bytyçi

Belinda Balluku është mbesa e Beqir Ballukut. Në gjurmët e gjyshit të saj edhe ajo mbërriti shkallët deri në kabinetin qeveritar. Ashtu siç ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë komuniste pati një histori me kinezët, edhe Belinda e sajoi një të tillë, por në invers, në të kundërtën e paraardhësit të saj si për t’i thënë opinionit se “Unë nuk jam “tradhëtarja”, “spiunja” e kinezëve.

Beqir Balluku u dënua me pushkatim në vitin 1974 për tradhëti të lartë ndaj atdheut. Në një mbledhje të Sekretariatit të KQ të PPSH-së Ramiz Alia deklaronte se Mao Ce Duni “u kishte thënë” puçistëve: “Në mos e bëfshi komplotin brenda gjashtë muajve, ta bëni në gjashtëmujorin tjetër”! Ndërkohë në atë mbledhje ndërynte diktatori Hoxha duke u shprehur: “Po vihet pyetja se kush duhej ta bënte në fillim puçin, kinezët apo Beqir Balluku në Shqipëri”?

Pardje ndodhi grabitja e radhës në aeroportin e Rinasit. Rasti e solli që koncensionar i aeroportit të jetë një kompani kineze. Edi Rama, për t’i shpëtuar përgjegjësisë shtetërore e politike, ashtu si diktatori komunist para 45 viteve, prodhoi nga imagjinata e tij “armikun” e jashtëm kinez, si shkaktar të “puçit që opozita dëshiron tia bëjë kryeministrit shqiptar”! Belinda, e kompleksuar ndaj akuzave të diktatorit Hoxha kundër gjyshit të saj, mori flamurin e “luftës kundër “komplotit kinez”” në Rinas.

Megjithëse edhe mediokrit e dijnë se përgjegjës për sigurinë kombëtare, veçmas në aeroporte, porte dhe institucione të tjera është shteti me instrumentet e tij, kryeministri shqiptar dhe ministrat e tij, Belinda, Lleshi, Spiro i palit etj po bëjnë garë që ta shesin këtë përgjegjësi diku larg Shqipërisë, madje shumë larg, deri në Pekin.

Belinda do të thërrasë presidentin e kompanisë koncensionare në Tiranë për të diskutuar rreth “shkeljeve” të kësaj kompanie me pasojë “cënimin e sigurisë kombëtare në Shqipëri”?! Por nuk merr mundimin të flasë me ish-shefen e kabinetit të saj për shkeljet e kompanisë së ngarkuar për sigurinë në aeroport, kompani e cila është në pronësi të bashkëshortit të saj. Ndërkohë Rama nuk dëshiron të flasë për policinë kufitare dhe policinë e rendit, e cila është e stacionuar në aeroport. Në çdo aeroport të botës kufirin dhe rendin e ruajnë forcat e policisë. Vetëm qeveria shqiptare kërkon që këtë funksion ta kryejnë kompanitë e vendeve të huaja që investojnë në vendin tonë. Se kompania koncensionare nuk është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë së aeroportit, kjo shprehet në kontratën midis qeverisë shqiptare dhe kësaj kompanie. Koncensionari, sipas kontratës, ka detyrë të ruajë rregullin, të bëjë kontrollin rigoroz të udhëtarëve dhe bagazheve, të kujdeset për pistën, me qëllim që të mos bëhen aksidente ajrore etj.

Por asnjë kompani në botë, koncensionare ose jokoncensionare nuk mundet të luftojë me bandat e terroristët e armatosur. Asnjë kompani koncensionare ose jo koncensionare në botë nuk bëhet përgjegjëse për shkeljen e kufirit në mënyrë të paligjshme e të dhunshme, për parandalimin e grabitjeve me armë, për aktet terroriste që ndodhin ose mund të ndodhin. Këto janë detyrime të ruajtjes së rendit dhe sigurisë nga shteti. Megjithatë Edi Rama me Ballukun, Lleshin e të tjerë ministra të rrjeshtuar para ekraneve kanë marrë përsipër të mashtrojnë shqiptarët në stilin e ish-diktatorit Hoxha, se “fajtori për situatën e krijuar pardje në Rinas nuk është qeveria shqiptare, por kinezët”!

Këtë aksiomë diabolike kryeministri i shfrenuar i vendit tim sot e shoqëroi me dërgimin e ushtrisë në aeroport, edhe pse aty gjendet policia, si dhe kompania private e sigurisë e shefes së kabinetit të Ballukut! Ushtria shqiptare ka marrë tashmë nën kontroll të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky akt, në shkelje të ligjit dhe kushtetutës, ka për qëllim të bëjë presion te qytetarët shqiptarë në prag të protestës së të shtunës, por edhe te koncensionari, përkatësisht kompania kineze, e cila administron aeroportin. Edi Rama gjuan vazhdimisht me gurë kur nuk i ka mbetur ndonjë shteg tjetër për t’i ik përgjegjësisë së tij për qeverisjen. Me gurin e përdorimit të ushtrisë ai përpiqet të frikësojë shqiptarët, si edhe koncensionarin kinez. Shqiptarët pasnesër do jenë në shesh, madje në orët e vona të mbrëmjes, gjë që e ka tmerruarr kryeministrin. Ndërsa koncensionarit i bën presion ose për të heq dorë nga sipërmarrja, ose për të heq menjëanë një pjesë të fitimeve e për t’ia dhënë nën dorë kryeministrit.

Ngado që ta shqyrtosh dhe analizosh ngjarjen që ka ndodhur pardje në Rinas, nuk mund të besohet se një kompani, një firmë të mund të mbrojë veten nga akte të tilla terroriste, çka ndodhi pardje. Shteti, kudo në botë, kurdoherë e në çdo rast, ka detyrim ligjor, kushtetues, funksional të ruajë dhe të mbrojë jetën e qytetarëve të vet, pronën e tyre, të ruajë rendin publik dhe qetësinë në çdo m2 të territorit që ai shtet e qeveris! Aeroportet janë epiqendra ku shteti duhet të jetë prezent. Por shteti shqiptar është present me gaz lotsjellës në familjet e të varfërve, ndërkohë që është I munguar në pikat kryesore strategjike të vendit! Për më tepër, segmente të shtetit tonë bashkëpunojnë me krimminelë të formatit të grabitësve të së martës në Rinas e më pas qeveria bën kurban të pafajshmit!

Diktatori Hoxha pasi e kishte pushkatuar Beqir Ballukun për tradhëti në bashkëpunim me kinezët, një vit ë vonë, në vitin 1975, i në një letër për udhëheqësin komunist të Kinës, Mao Ce Duni, I mohonte akuzat e bëra. Ai shkruante: “Beqir Balluku, si revisionist i vjetër e armik i popullit, ka qenë një antikinez i shfrenuar dhe armik i miqësisë shqiptaro-kineze…”. Në fillim të shkrimit keni të kundërtën e kësaj. (Shih AQSH. Fondi 14. M. P. K. Kineze, viti 1975, fae 2-3).

Jam i bindur se Edi Rama do të detyrohej, nëse do kishte jetë në fronin kryeinistror, që të gjente një “antikinez” për ta justifikuar këtë maskaradë të radhës në ikje të përgjegjësisë së tij për dështimet spektakolare në qeverisjen e vendit!

Tiranë, më 11.04.20019