Ballina Bota Analiza A është Venezuela fushë-beteja ku do përplasin “brirët” fuqitë e mëdha?

A është Venezuela fushë-beteja ku do përplasin “brirët” fuqitë e mëdha?

Muajt e fundit, administrata Trump ka shprehur besimin se regjimi i Maduros në Venezuelë po shembet. Por me rritjen e pranisë ushtarake ruse në vendin e Amerikës së Jugut, ekspertët thonë se kriza mund të kthehet në një konflikt ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, duke detyruar Presidentin Trump të shkojë përtej sanksioneve diplomatike dhe ekonomike.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara na ka dërguar këtë material. Këta helikopterë janë prodhuar nga firma Rostvertol, një kompani shtetërore ruse që po ia ofron ato Venezuelës.

“Nëse populli i Venezuelës kërkon më shumë helikopterë, ne do t’ia japim”, thotë Sergei Ostapenko, me kompaninë Rostvertol.

Sipas një agjencie ruse të lajmeve, një qendër për trajnimin e pilotëve të helikopterëve të sponsorizuar nga Rusia u hap në Venezuelë javën e shkuar. Moska ka dërguar gjithashtu rreth 100 ushtarakë që ajo thotë se janë atje thjesht për të shërbyer për sistemet e mbrojtjes ajrore të shitura Venezuelës.

“Tani ky është kthyer në një konfrontim të fuqive të mëdha, kur sheh rusët të hyjnë, në kundërshtim me paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara. Në fakt tani, edhe kinezët janë duke futur hundët ndërsa më parë mendonin ta linin Maduron më vete”, thotë Roger Noriega, analist në Institutin “American Enterprise”.

Javën e fundit, një avion kinez u ul në Karakas me 65 tonë ilaçe dhe furnizime për qeverinë Maduro.

“Po shohim atë që po ndodh në Venezuelë. Është një situatë e nderë. Do të bisedoj shumë për këtë çështje me shumë njerëz, ndoshta me Presidentin Putin, apo edhe me Presidentin Xi të Kinës”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump i ka bërë thirrje Rusisë të “dalë nga Venezuela”, duke paralajmëruar se “të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Rusia dhe Kina këmbëngulin se mbështetja e tyre për Maduron është në përputhje me ligjin venezuelian dhe ndërkombëtar.

Por zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë Moskën me kërcënimin e sanksioneve shtesë.

“Do të ishte gabim për rusët të mendonin se mund të bëjnë ç’të duan. Nuk e bëjnë dot”, thotë Elliott Abrams, i dërguari i posaçëm amerikan për Venezuelën.

Rusia dhe Kina kanë dhënë miliarda dollarë hua në Venezuelë dhe janë të shqetësuar për paratë e tyre.

Por për Moskën, më shumë se një llogari financiare kjo është gjithashtu një lëvizje gjeopolitike për të rritur sferën e saj të ndikimit.

Në vitin 2015, Kremlini ndërhyri në luftën civile siriane, duke e kthyer konfliktin në favor të presidentit Bashar al-Assad. Analistët janë të shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë në Venezuelë.

“Rusët po na testojnë. Ne vazhduam me një politikë që nuk kishte një kërcënim të besueshëm për përdorimin e forcës ushtarake, dhe rusët po na e bëjnë përsëri këtë provë”, thotë Roger Noriega, analist me Institutin “American Enterprise”.

Disa ekspertë thonë se një mënyrë për të shmangur që situata në Venezuelë të shndërrohet në një konflikt pa krye, është që Juan Guaido, i cili është shpallur president i përkohshëm, të bindë Rusinë dhe Kinën se nëse ndalin mbështetjen për Maduron, investimet e tyre nuk do të humbasin plotësisht. “Si rusët edhe kinezët do të duan të jenë mjaft të kujdesshëm në qasjet e tyre ndaj Venezuelës dhe të mbajnë marrëdhënie të mira me të dyja palët me shpresën se kushdo që është në pushtet do t’u kthejë huatë”, thotë Geoffrey Gertz, analist në Institutin Brookings. Ndërkohë, venezuelianët vuajnë nga mungesa e ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike, ndërsa kriza thellohet. /VOA

Loading...