Ballina Kronika Sot iu jepet lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetën...

Sot iu jepet lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetën në Duhël

Tre të rinj, 20, 21 dhe 23 vjeç humbën jetën dje në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Shtime-Suharekë, konkretisht në Duhël. Aty mbet i lënduar edhe një person tjetër, i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Aksident me fatalitet gjatë ditës së djeshme ndodhi edhe në Vitomiricë të Pejës. Jetën e humbi një 63 vjeçar e lëndime morën dy gra. Për dy muaj e gjysmë në Kosovë në aksidente të ndryshme trafiku kanë humbur jetën 20 persona, raporton Gazeta Express.

Në Lipjan sot është ditë zie. Kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti mori këtë vendim në shenjë solidarizimi për familjet që humbën fëmijët e tyre në këtë aksident. Lamtumira e fundit do të ju jepet sot atyre. Dy janë nga Lipjani e një nga Prishtina.

Policia tha se nga aksidenti tragjik në vendin e ngjarjes mbetën të vdekur: S.T viti i lindjes 1996, L.R viti i lindjes 1998 dhe V.H viti i lindjes 1999.

Nga informacionet e para që kanë mbledhur, organet e hetuesisë thanë se vetura e tipit “Golf 6” e marrë me qira ka tejkaluar në vijën e plotë duke u goditur me një kamion. Në këtë veturë ndodheshin tre të rinjtë që ende nuk dihet se cilin vend e kishin destinacion.

Po dje një aksident tjetër trafiku që ndodhi në Vitomiricë të Pejës vdiq 63 vjeçari N.R, ndërsa dy gra të tjera janë lënduar, njëra prej të cilave me lëndime të rënda trupore.

Pamje nga aksidenti në Vitomiricë:

Gjatë periudhës dy mujore në Kosovë lëndime trupore në komunkacion morën gjithësej 1257 persona, tha policia të shtunën për Gazetën Express. Po ashtu ndodhën edhe 1310 aksidente që përfunduan vetëm me dëme materiale. Po në këtë peridhë kohore policia ka shqiptuar 63356 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme.

Numri i aksidenteve fatale është në rritje nëse e krahasojmë me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

“Në periudhën janar-shkurt 2019 jetën në aksidente e humbën 14 persona, apo tre më shumë se në periudhën e njejtë kohore me 2018”, tha policia.

Ndërsa, janë edhe gjashtë persona tjerë që vdiqën në komunikacion së fundmi. Duke bërë që numri i viktimave të shkojë në 20 përgjatë dy muajve e gjysmë.

Nuk ka javë që në vendin tonë nuk raportohet për aksidente fatale. Para disa ditësh në Gjilan, si pasojë e prishjes së frenave të një kamioni për vdekje u godit Qerim Çoçaj 53 vjeç dhe u lënduan 23 persona.

Dy aksidente fatale me tren

Dita e parë e muajit mars nisi me dy lajme tragjike. I.H 20 vjeç, ka humbur betejën nga plagët që ia shkaktoi një tren ditë më parë në afërsi të kazermës “Adem Jashari”. Ky i ri atë ditë kishte shkuar për të aplikuar si rekrut në FSK, por u godit nga një tren dhe mori plagë të rënda trupore. Për disa ditë rresht qëndroi në intensivë në QKU por mbrëmë ndërroi jetë.

Aksidenti tjetër me tren ndodhi në Pejë. Madje në vendin e ngjarjes ndërroi jetë Sahit Lokaj 51 vjeçar.

Po ashtu ditë më parë tre anëtarë të familjes Sope nga fshati Zhur i Prizrenit kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në aksin rrugor Prizren- Zhur. Babai Ramiz Sope, 50 vjeç, bashkë me dy djemtë e tij, Behar Sope, 24 vjeç, dhe Lumbardh Sope, 22 vjeç, u aksidentuan për vdekje me një kamion për pastrimin e borës. Deri më tani, dyshimet e para të prokurorisë thonë se aksidenti është shkaktuar nga vetura e viktimave.

Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion. Po ashtu për zvogëlimin e numrit të aksidenteve në publik janë shpërndarë disa kampanja vetëdijësuese.

Statistika shtesë rreth aksidenteve në trafik gjatë 2018-s:

Bëhet e ditur se 126 persona vdiqën në komunikacion gjatë 12 muajve të vitit 2018. Këtë shifër e dha Policia për Gazetën Express.

“Nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 124 persona të vdekur”, tha policia.

Loading...