Ballina Aktualitet Kultura Raporti i Dalan Shapllos për Komitetin Qendror: Në romanet e Kadaresë, vihen...

Raporti i Dalan Shapllos për Komitetin Qendror: Në romanet e Kadaresë, vihen karaktere negative në qendër

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Më 9 prill të vitit 1973, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë është mbajtur një diskutim krijues me temë: “Mbi heroin pozitiv në gazetën ‘Drita’ më 1971” Dhe gjatë këtij “diskutimi krijues”, janë bërë kritika edhe ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, dhe kjo lidhur me personazhet e veprave të tij, ku në qendër të tyre janë ata me karaktere negative. Midis te tjerash aty thuhet: “Format e paraqitjes së realitetit dhe të idealit pozitiv janë të ndryshme. Por siç e thashë edhe më lartë, lënia në harresë e romaneve të Ismail Kadaresë etj, në artikullin e Jorgo Bulos, tregonte sidoqoftë njëanshmëri. Puna është se gjithçka u ekzagjerua dhe u kalua në ekstremin tjetër. Një mënyrë e veçantë, me karaktere negativë në qendër, shpesh e tërthortë ose poetike është vënë re te romanet e Ismail Kadaresë dhe të ndonjë autori tjetër, por duhet thënë se dallimi i saj nga proza e shkrimtarëve të tjerë nga tradita, (nga romani që mbështetet te narracioni, dhe te karakteret) është ekzagjeruar dhe nuk i përgjigjet gjithmonë të vërtetës. Kështu u trajtua ky problem në diskutimin i cili u mor shumë, pa arsye bindëse, me simbolikën, heroin-ide, objektet e shndërruara në heronj etj”.

Por këto kritika janë tejet të lehta, për të mos thënë asgjë, në krahasim me ato që i janë bërë Kadaresë, në një tjetër mbledhje po në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, vetëm një muaj më pas. Madje akuzat ndaj tij nuk kanë qenë vetëm në planin letraro-artistik të veprës së tij, por aty janë bërë dhe akuza politike. Gjë të cilën do ta shohim në dokumentin që vijon pas këtij, të cilin gjithashtu e botojmë të plotë dhe pa asnjë ndryshim.

RRETH DISKUTIMIT MBI HEROIN POZITIV NË GAZETËN “DRITA” më 1971

Diskutimi në gazetën “Drita” mbi heroin pozitiv më 1971 zgjati rreth tre muaj (mars, prill, maj). Për këtë temë është shkruar e shkruhet edhe herë të tjera dhe problemi ka shqetësuar opinionin tonë letrar si teorikisht, ashtu edhe praktikisht.

Siç është thënë disa herë, ky diskutim, me gjithë ndonjë anë pozitive, me gjithë parashtrimin e problemeve që kërkojnë një zgjidhje të mëtejshme, në tërësinë e vet, nuk ia arriti qëllimit dhe solli mjaft konfuzion, shprehu çoroditje teorike dhe tregoi paaftësinë e redaksisë për t’i shpurë këto probleme deri në fund. Siç dihet qëndrimet subjektiviste të redaksisë së “Dritës” nuk lejuan mendimin tonë kritik të thellohet e të nxiten kritikët për t’i shpjeguar më mirë fenomenet. Duhet të aktivizoheshin më shumë kritikë e shkrimtarë me autoritet që të shfaqnin mendimin e tyre për këtë problem të rëndësishëm dhe të mos mbeteshin pezull teza dhe pikëpamje shpesh herë nga më absurdet.

Diskutimi mbi heroin pozitiv u nis nga qëllimi për të shpjeguar si qëndron punë me këtë problem në letërsinë e sidomos në prozën tonë. Çështjet kanë qenë këto: veçoria e lëvrimit të këtij heroi në letërsinë tonë, novatorizmi në trajtimin e figurës pozitive, përmbajtja e heroit që pasqyron njeriun e ri si dhe format e pasqyrimit, që mund të ndryshojnë nga njeri autor te tjetri. Përveç kësaj, problemi që ka tërhequr me të drejtë vëmendjen, është raporti i heroit me masën në veprën letrare, “heroi kolektiv”, ose “masiv” siç u quajt në disa artikuj ose “portreti kolektiv”.

Këtu u ngatërruan pikëpamjet të drejta dhe të padrejta, u bënë ngatërresa në terma, në parimet themelore të teorisë së letërsisë dhe, pas artikujve të parë, u përqendrua vëmendja më tepër në dy –tre autorë dhe u lanë jashtë vëmendjes shumë të tjerë.

Artikulli i parë i Jorgo Bulos e shtroi në përgjithësi drejt problemin e heroit pozitiv në prozën tonë. Në këtë artikull analizoheshin heronj të romaneve dhe tregohej më shumë në plan historiko-letrar, evoluimi në trajtimin e këtij heroi. Autori thoshte, me të drejtë, se veprat tona, duke vënë në qendër heroin pozitiv, figurën e partizanit, të komunistit, të njeriut të ditëve të sotme, edukojnë lexuesit; ato “lanë pas kundërvënien tradicionale të heroit ndaj masës”. Letërsia jonë e re, thoshte autori, është në kërkim të heroit dhe zhvillimi i saj lidhet me këto kërkime.

Siç doli në artikujt e më pastajmë (në këtë pikë pothuaj të gjithë ramë dakord). Jorgo Bulo pati dhe kufizimet e veta, duke mos përfshirë në studimin e tij edhe disa vepra që e trajtojnë disi më ndryshe këtë hero ose që sjellin edhe përvoja të tjera, sidomos në pasqyrimin e masës. Nuk u trajtuan, midis të tjerave, edhe romane si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo “Kështjella”, “Dhjetori i shqetësuar” etj. Kjo mungesë është reale në artikullin e Jorgo Bulos, por, jam i mendimit se, nga disa artikuj që u botuan më vonë (sidomos të Rinush Idrizit, Xhezair Abazit etj.), problemi u trash shumë; bëheshin akuza të hapura për qëndrime konservatore dhe, në të vërtetë, u kalua në ekstrem: problemi shihej pastaj pothuaj vetëm në vepra që nuk kanë heronj pozitivë-karaktere, po simbole, portrete të përgjithësuara dhe, krejt pa të drejtë, vetëm këtu kërkohej novatorizmi.

Së pari, duhet thënë se shumica e veprave tona e trajtojnë heroin me stilin realist; vënë në qendër heroin pozitiv dhe janë më të pakta, ndonëse të fuqishme (romanet e Ismail Kadaresë që përmendëm), ato vepra që kanë një trajtim origjinal të këtij aspekti. Prandaj këto, ndonëse nuk duhen lënë jashtë vëmendjes edhe për çështjen e heroit pozitiv, ndofta nuk japin aq material për ta trajtuar këtë temë. Problemi kryesor i letërsisë është problemi i botëkuptimit të shkrimtarit, i partishmërisë. Format e paraqitjes së realitetit dhe të idealit pozitiv janë të ndryshme. Por siç e thashë edhe më lartë, lënia në harresë e romaneve të Ismail Kadaresë etj., në artikullin e Jorgo Bulos, tregonte sidoqoftë njëanshmëri. Puna është se gjithçka u ekzagjerua dhe u kalua në ekstremin tjetër.

Një mënyrë e veçantë, me karaktere negativë në qendër, shpesh e tërthortë ose poetike është vënë re te romanet e Ismail Kadaresë dhe të ndonjë autori tjetër, por duhet thënë se dallimi i saj nga proza e shkrimtarëve të tjerë nga tradita, ( nga romani që mbështetet te narracioni, dhe te karakteret) është ekzagjeruar dhe nuk i përgjigjet gjithmonë të vërtetës. Kështu u trajtua ky problem në diskutimin i cili u mor shumë, pa arsye bindëse, me simbolikën, heroin- ide, objektet e shndërruara në heronj etj.. Ekzistenca e individualiteteve të theksuara nuk do të thotë se këta duhen marrë të shkëputur nga krijimtaria e përgjithshme, siç u vu në diskutim.

Problemi tjetër që del nga ky diskutim është konfuzioni që u vu re në disa aspekte teorike. Duke dashur të plotësojnë boshllëkun që përmendëm më lartë disa autorë bënë ndarje formale midis “heroit të tipit

klasik” dhe “heroit aktual novator”. Rinush Idrizi pranonte se “heroi individual ka vendin e vet të padiskutueshëm”, por shtonte se tani ka zënë vend edhe një hero tjetër masiv i dhënë përmes idesh , filozofimesh, ambientesh ose pasqyrimit të negatives, “antiteza e së cilit sjell tinguj të fuqishëm të progresit tonë (?)”. Më tutje ai thotë: “simbolika tablo ose antitezë meriton të zërë vendin e atij heroi klasik të quajtur karakter, hero, tip”. Po se e pranuam këtë, pohon autori, “bëhemi konservatorë”.

Në qoftë se është folur për një hero “të tipit tradicional” (shkruante Dalan Shapllo)’ kjo është bërë në kuptimin e formës, po sidoqoftë, me sa duket, edhe kjo terminologji do peshuar, sepse mund të keqkuptohet dhe të marrë interpretime të shtrembëta. Kurse ndarja që bën Rinush Idrizi, Xhezair Abazi e ndonjë tjetër për heronjtë, është krejt e gabuar dhe e kufizon problemin e novatorizmit madje e zhvendos vëmendjen nga përmbajtja te forma, duke bërë qendrore çështjet e formës dhe duke e shikuar raportin e përmbajtjes me formën në një dritë të shtrembër.

Me të drejtë Drita Siliqi që mori pjesë në diskutim thoshte se “Heroi pozitiv i tipit klasik është po aq novator dhe aktual” sa dhe heroi i një forme tjetër. I nisur nga mendimi se një vepër, që të jetë e mirë duhet patjetër të ketë hero pozitiv ekuivalent me heronjtë negativë, të cilët zënë vendin kryesor në të, po nuk mbajnë në vetvete peshën emocionale të veprës (“Kështjella”), Xhezair Abazi e quan kështjellarin një hero pozitiv dhe thotë se po s’u pranua kjo biem në dogmë.

Po kështu edhe Abdurahim Myftiu, duke u mundur të shpjegojë ndërtimin kompozicional të veprave me një hero kolektiv, bie në absolutizime kur thotë se vetëm ky lloj romani, me sa duket “është treguar tani për tani i aftë të japë portretin e masës dhe të kolektivit dhe kjo është një arritje novatore”. Lidhur me thelbin e personazheve, Rinush Idrizi thotë në artikullin e tij se mund të ketë “personazhe ideologjike, sociologjike, psikologjike”.

Midis këtij konfuzioni ideo- estetik dalin dy probleme që paraqesin rrezik për mendimin tonë letrar e artistik:

1. Duke dashur të përligjin me të drejtë forma të reja, autorët e artikujve të përmendur më lartë, nuk kuptojnë me raportin e traditës dhe të novatorizmit, shfaqin një prirje , dashur pa dashur (Rinush Idrizi) drejt largimit nga materiali jetësor, nga njeriu dhe jeta dhe për afrimin e tepruar me simbolikën, me heronjtë e ashtuquajtur ideologjike etj. Cilado qoftë forma, arti nuk mund të jetë ide abstrakte, po ide që lidhet me jetën dhe njeriun.

2. Është i padrejtë pohimi se vetëm një formë mund të pasqyrojë masën dhe se “heroi masiv erdhi me vonesë, por erdhi si një personazh i thellë” (Rinush Idrizi). Skenat masive janë tipike për letërsinë tonë dhe skenat ku lidhet heroi me masën janë gjithashtu të përhapura. Një përfytyrim masiv të jetës e gjejmë te “Lumi i Vdekur”, te “Para Agimit”, “Këneta”, “Komisari Memo” etj. Që me veprat e para filloi “heroi masiv” dhe “nuk erdhi me vonesë”.

Është kaluar gjithashtu dashur pa dashur, edhe në një teorizim tjetër të dëmshëm që më tepër del në mendimin kritik se sa buron nga veprat. U arrit siç dihet në përcaktimet “hero-ambient”, “hero- barakë”, “hero- ide”, “hero- mozaik”, “hero-patos”. Të gjitha këto duken vetëm si absurditet dhe keqkuptime, po përmes konfuzionit, shprehin pikpamje të huaja që shpien te deheroizimi, te heqja e çdo caku, te largimi nga njeriu, te fetishizmi i ideve dhe botës subjective të shkrimtarit, si edhe të një lloj antropomorfizmi që nuk ka të bëjë me konceptin realist. Edhe ndonjë personazh i lëkundshëm, viktimë e normave feudale dhe e patriarkalizmit si Zan Erzeni (“Ara në Mal” e Petro Markos) u quajt hero pozitiv, gjë që u kritikua

nga diskutuesit të tjerë. U minimizua kështu roli i idealit pozitiv dhe i njeriut pararojë që duhet të udhëheqë masën ose të vlejë si shembull me qëndrimin e tij.

Së fundi më duket e nevojshme të trajtoj shkurtimisht edhe problemin e patosit pozitiv, i cili shpesh u keqkuptua. Është e qartë se me patos kuptojmë një frymëzim, një qëndrim ideo- emocional të theksuar që zgjon pasione, simpati dhe antipati për njerëzit dhe ngjarjet që përshkruhen. Në letërsinë tonë kjo lidhet edhe me partishmërinë komuniste. Por nuk mund të zëvendësojë as tipin as heroin. Veç asaj, duke pasur qëndrim ideor, të domosdoshëm, jo çdo vepër mund të ketë patos (nota të larta emocionale) në të njëjtën shkallë. Kjo varet nga stili dhe individualiteti i autorit. Por shkalla e patosit nuk lidhet aspak me faktin se ka apo s’ka vepra hero të krijuara në planin realist siç pohonte Xhafer Martini. P.sh. edhe “Kështjella” edhe “Lumi i vdekur” janë shkruar me një lloj patos, natyrisht në mënyrë të ndryshme.

Qëndrim të drejtë dhe parimor mbi problemin e heroit pozitiv, duke analizuar diskutimin e “Dritës”, ka mbajtur Llazar Siliqi në artikullin “Rreth problemit të heroit pozitiv” (“Drita”, 19 Mars 1972).

Përmbajtja ideo-emocionale e heroit pozitiv në letërsinë tonë, format e trajtimit të tij, nevoja e pasqyrimit të njeriut me botën e tij të pasur si edhe format e këtij pasqyrimi të njeriut me botën e tij të pasur si edhe format e këtij pasqyrimi duhet të bëhen përsëri objekt diskutimesh, mbi baza më të qarta, më të thelluara dhe më të shëndosha teorike

Dalan Shapllo

1. IV. 1973

Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14. Dosja 297. Viti 1973, f. 15-19

(Marrë nga libri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Endrrave” i autorit Dashnor Kaloçi, botim i UET PRESS, Tiranë 2016)

@tn.lajmelokale
@tetovanews