Ballina Aktualitet Reportazhe Pushimet verore mund t’i prenotoni edhe në Korenë e Veriut

Pushimet verore mund t’i prenotoni edhe në Korenë e Veriut

Një botues francez nxori në qarkullim një guidë të rrallë turistike për Korenë e Veriut, ku vë në dukje historinë, kulturën dhe peizazhet natyrore. Por turistëve u bëhet thirrje të mos e marrin me vete këtë libër për shkak se në të përfshihen dhe informacione politike. Turizmi është një prej burimeve të financimit të Koresë së Veriut, pas sanksioneve të vendosura nga Kombet e Bashkuara mbi sektorin e eksporteve.

Tani mund t’i planifikoni pushimet verore edhe në Korenë e Veriut. Për herë të parë ka dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Le Petit Fute”, një guidë turistike për vendin komunist i cili së fundi ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare pas takimeve që udhëheqësi verikorean Kim Jong Un dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean.

Turizmi është një prej burimeve të financimit të Koresë së Veriut, pas sanksioneve të vendosura nga Kombet e Bashkuara mbi 90 për qind të 3 miliardë eksporte që përfshijnë lëndët e para, tekstilet dhe frutat e detit.

Deri më sot vizita në Korenë e Veriut ka qenë e mundur nëpërmjet agjencive kineze të udhëtimit. Kështu turistëve u kërkohej që të shkonin fillimisht në Kinë dhe më pas mund të udhëtonin në Korenë e Veriut. Tani që udhëheqja e Penianit ka shfaqur dëshirën për t’u hapur ndaj botës, një gjë e tillë mund të ndryshojë, duke ulur dhe shpenzimet e udhëtimit.

Bashkëthemeluesi i shtëpisë botuese “Le Petit Fute”, Dominique Auzias, tregon arsyet e rëndësisë së këtij botimi.

“Është një vend për të cilin sot po flasin të gjithë. Ka pasur samite ndërkombëtare për të dhe ka tërhequr shumë vëmendje. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që të përcjellim informacion. Sipas meje arsyeja më e rëndësishme është mbyllja dhe ndalimi për të udhëtuar aty, ndaj çdonjëri ëndërron të shkojë aty. Të gjithë duan të shohin diçka të ndaluar e të mbyllur,” thotë ai.

Përveçse tregon vendet turistike të Koresë së Veriut, botimi përfshin edhe këshilla për turistët që do të shkojnë për vizitë në vendin komunist. Atyre u rekomandohet që të mos flasin me banorët e atjeshëm, përveç kamerierëve apo punonjësve të shërbimit në hotele.

@tn.lajmelokale
@tetovanews