Ballina Jetë & Stil Novruzi, festime nga kurdët në Irak (VIDEO)

Novruzi, festime nga kurdët në Irak (VIDEO)

Festimet e Novruzit, Vitit të Ri persian, kurdët e Irakut i nisën mbrëmjen e së mërkurës duke ngjitur pishtarë të ndezur në majën e malit të Akrës, në veri të vendit.

Bashkë me ndezjen e fishekzjarreve, pishtarët e ndezur janë pjesë e traditës së kremtimeve të përvitshme të festës që koinçidon me ekuinoksin e pranverës, e që llogaritet në bazë të kalendarit diellor.

“Ndezja e zjarreve është një rit që vjen nga e shkuara, si simbol i besimit tonë. Ne e kemi ruajtur këtë kulturë, këto tradita, duke i sjellë deri në ditët tona, sepse kjo është në fakt dita e suksesit, dita kur dimrit i vjen fundi dhe, pas borës që shkrin, njerëzit mund të nisin simbolikisht një jetë të re”, tha Huner Yarsan.

“Në këtë ditë, ne veshim zakonisht rroba tradicionale dhe bëjmë piknik me familjen. Gëzimi e hareja janë gjithandej”, tha Shirine al-Zibari.

Dita e Sulltan Novruzit personifikon në bindjen e bektashinjve ditën e ringjalljes së madhe. Ata e festojnë për 3 ditë rresht ditëlindjen e imam Aliut. Në Shqipëri, kjo ditë e shënuar e Bektashizmit u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.