Ballina Aktualitet Kosovë Mëso detajet! Rrëfimi nga Gjilani një ditë pas aksidentit tragjik

Mëso detajet! Rrëfimi nga Gjilani një ditë pas aksidentit tragjik

Gjilani vazhdonte të ishte i tronditur nga ajo që ndodhi një ditë më parë. Ai që mbeti viktimë e aksidentit me kamion, Qerim Çoçaj, po del të jetë edhe heroi i kësaj tragjedie, pasi sipas Lutfi Hazirit shpëtoi 3 fëmijë me të cilët ndodhej duke kaluar rrugën në momentet kritike. Furrëtari Çocaj është varrosur sot në Prizren. Shoferi që shkaktoi aksidentin iu caktua masa e paraburgimit ndërsa të lënduarit e shumtë po vazhdojnë të trajtohen në spitale. Të premten kanë folur edhe dëshimtarë që kanë parë atë që ndodhi një ditë më parë.

Sot në vendlindjen e tij në Has të Prizrenit, qindra banorë i dhanë lamtumirën e fundit furrtarit 53-vjeçar Qerim Çoçaj.

Një ditë më parë, pak pasi i njëjti kishte kaluar rrugën së bashku me nipërit e tij, një kamion që kishte humbur kontrollin e goditi dhe e la pa shenja jete.

Përpos tij, të lënduar rëndë mbetën edhe disa persona, ndërkaq, në aksident u përfshinë edhe dhjetë vetura e një traktor.

Menjëherë pas këtij rasti u ndalua shoferi i kamionit, Mustafë Avdija nga Peja, që punon vozitës në kompaninë “VEV Group”, ndërkaq, sot për të njëjtin u caktua masa e paraburgimit.

Mëngjesin e së premtes, pak pasi që familja Çoçaj kishte hapur dyert për të pame në Gjilan, morën një vizitë nga familjarët e atij që ishte shkaktar i aksidentit të djeshëm tragjik.

Pasi që një natë më herët kishin bërë një kërkesë te familja e të ndjerit, të njëjtët, së bashku me pronarët e punëtorët ngushëlluan familjen për rastin, pa pranuar që të flasin para mediave.

Babai i Mustafës, Sokoli, një natë më parë ishte deklaruar se më mirë të ishte në vend të atij që i kishte ndodhur rasti, se të përjetonte këtë ditë.

Në heshtje kanë mbetur vetëm pronarët e kompanisë, që nuk kanë sqaruar se a ishte në rregull vetura që po voziste 41-vjeçari.

Pak pas kësaj vite, në familjen e tyre erdhi edhe një njeri i moshuar, që mes lotësh tregoi për Gazetën Express se kishte dy vite që kishte marrë bukë pa paguar në furrën e të ndjerit, e i njëjti së bashku me disa persona e kishte ndihmuar që të ndërtonte edhe shtëpinë.

Fjalë të njëjta për të flisnin të gjithë ata që te djemtë e familjes shkonin për ngushëllim. Djali i Qerimit nuk pranon të flasë shumë për të atin.

“Nuk e di njeri në Gjilan që nuk i ka ndihmu nuk kam çka flas nuk ngopna me ta kurrë me to e me veprat e tij që naj kanë lanë mbas, ka me vazhdu në rrugën e tij gjithë ka qenë human”, thotë ai.

E njëjtë për të, flet edhe miku i tij i ngushtë, Musa Qehaja.

Ai tregon për Expressin edhe një histori tragjike që pak vite më parë kishte pasur familja e tash të ndjerit, atëherë kur kishte ndërruar jetë vëllai i tij.

“Vëllain e madh që e ka pas ju ka vdek para 11 viteve ky është vëllai dytë kshtu që i ka përcjellë fati të njëjtën kohë me vite, unë jam kanë shok po jemi kanë si familje, çdo herë kemi qenë të mirëseardhur. Qerimin s’kem fjalë tjetër pos ishalla zoti e ka shpërblye me xhenet një njeri me gjitha të mirat me gjithë këtë sakrificë që e ka bo”, thotë ai, duke shtuar se ishte shumë zemërgjerë.

Anash rrugës ku po mbahej e pamja, sot kishte dalë për të vazhduar punën e tij edhe njëri nga personat që e kishte parë krejt se si kishte ndodhur rasti, e madje, kishte shpëtuar disa të lënduar.

“Çka kam mujt me vërejt kamioni ka ardh me shpejtësi të madhe prej naltit,, një kombi e ka rrok e ka gjujt në anën tjetër, ju kemi dhënë ndihmë dy taksistëve dhe një vajzë ka qenë e prerë në qafë. Një pjesë e kerrit ka qenë mbi çadër. E kam pa momentin kur ka ndodh aksidenti, kur ka ardh kamioni prej naltit e ka rrok takstin e ka pshtet për shtylle”, thotë Naim Ilazi.

E disa të tjerë, dëshmitarë të asaj se çka kishte ndodhur po konsiderojnë se vozitësi ishte profesionist, që e tejkaloi këtë situatë të vështirë me vetëm një viktimë.

Derisa kufoma e të ndjerit po bëhej gati që të nisej për në Has ku dhe do të varrosej, për vizitë shkoi edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri tha për Express se e kishte njohur Qerimin si humanist dhe se para se të vdiste kishte shpëtuar tre fëmijë nga goditja.

“Tragjedia e djeshme ka kulmu me humbjen e jetës së Qerim Çoçajt kryefamiljar ndërmarrës humanist edhe vetëm ne Gjilani dhe Ana e Moravës e dimë shpirtin e tij humanitar dhe solidaritetin që ka tregu, tash e dekada që jeton me familje në Gjilan dhe ai është gjilanas puro gjilanas i cili për kundër origjinës Hasi i Prizrenit natyrisht të cilën e ka mbajt me krenari ai ka kontribu ka dhanë çdo lloj kontributi dje me heroizëm dhe sipas xhirimeve të para që i kemi ndërhyrja e rij i ka shpëtu tre fëmijë ai është arsyeja që ata janë gjallë e Qerimi nuk është”, thotë Haziri duke shtuar se rasti gati se është zbardhur pasi që ka kamera në 97 pika dhe deri më tani dihet krejt se si erdhi te rasti.

I ndjeri kishte 17 vjet kur kishte shkuar në Gjilan së bashku me familjen e tij, ndërkaq, që nga atëherë ka punuar aty me biznesin familjarë si furrtar. Qerim Çoçajt iu dha lamtumira e fundit në varrezat e Hasit në Prizren sot në orën 16:00.

Versioni i Policisë

Ismet Hashani zëdhënës i policisë në Gjilan është deklaruar se tashmë kompetencat kanë kaluar në Prokurorinë Themelore në këtë komunë.

“Realisht që nga dje që nga momenti kur është thirr prokuroria ata e kanë marrë rastin komplet e janë duke i vazhduar hetimet në kontinuitet. Dje rreth orës 14:00 jemi njoftuar për një aksident që ka ndodh në qendër të Gjilanit ku një kamion pasi që vozitësi ka humbur kontrollin ndaj mjetit të tij dyshohet se ka goditur një këmbësoë 10 vetura dhe një traktor dhe përfundimisht është përplasur në një mur në tarracën e hotelit Kristal. Si pasojë e plagëve të marrë në aksident një person ka humbur jetën banor i Gjilanit, ndërkaq, sipas evidencave që kemi deri më tani 22 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente në Gjilan 2 të tjerë veçse janë dërguar në Prishtinë”, shton duke folur edhe se ligjërisht është e ndaluar të frekuentohet qendra e qytetit nga automjetet e rënda përjashtimisht autobusët.

Prokuroria e Gjilanit bëri kërkesën për paraburgim

Në një prononcim për Gazetën Express, prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesën për paraburgim.

“Në momentin që e kemi pranu kallëzimin penal i kemi shtjellu shtresat e lëndës ne kemi marrë aktvendim për fillim të hetimeve dhe i kemi paraqit kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të cilën e kemi dorëzuar në Gjykatë dhe tash varësisht kur e cakton gjykata seancës ne do të mbajmë të njëjtën. Ne me rastin e marrëjes së aktvendimit për zhvillim të hetimeve kemi marrë aktvendim për caktimin e ekspertit të komunikacionit si dhe për bërjen e një ekspertizës për akspektin teknik të automjetit”, deklaroi prokurorja duke bërë të ditur se janë intervistuar i dyshuari dhe dy dëshmitarë.

“Dy persona kanë qenë në kamion ato janë përcjellë në stacion policor po njëri u ndalu vozitësi, normal ju e dini çfarë aksidenti ka ndodhë, kanë me u dëgju shumë dëshmitarë, të dëmtuar duhet të bëhet ekzaminimi edhe i automjetit edhe i dëmeve të shkaktuara krejt. Edhe kompania do të dëgjohet”, përfundon prokurorja e rastit.

Në kërkesën për paraburgim që ka siguruar Expressi shkruhet se humbja e kontrollit të kamionit nga shoferi ndodhi në kohën kur ai po tentonte të kyçej në rrugën kryesore nga parkingu një pemëtarie.

Gjendja e të lënduarve

Momentalisht në Spitalin e Gjilanit janë duke qëndruar katër pacientë të lënduar nga aksidenti i mbrëmshëm, ndërkaq në QKUK është duke qëndruar një paciente e cila momentalisht është në rrezik për jetën. “Gjashtë pacientë i kemi pranu, dy prej tyre i kemi lëshuar sot.

Ata janë në gjendje të mire vetëm po mbahen për shkak se aksidenti i ka trondit pak. Tre i kemi përcjell në QKUK, një kemi mësu se është në gjendje të keqe në QKUK”, bëri të ditur për Express, mjeku kujdestar Musë Jashari.

@tn.lajmelokale
@tetovanews