Ballina Bota Gjermania intensifikon luftën kundër punës ilegale

Gjermania intensifikon luftën kundër punës ilegale

Statistikat vjetore të Entit Doganor flasin për rritje drastike të punës në të zezë në Gjermani. Gjatë një aksioni kapen 11 shqiptarë të trafikuar nga një rrjet i organizuar.
Vitin e kaluar Enti Doganor i Gjermanisë ka kapur më shumë raste shkelje të ligjit të pagës minimale dhe punësimit ilegal, sesa në vitet e mëparshme. Siç del në pah nga statistikat vjetore të këtij enti, ndërsa në vitin 2015 numri i shkeljeve të kapura ishte 1316, në vitin 2018 ai është gati pesëfishuar në 6220, shkruan DW.

Në kuadër të luftës kundër punës në të zezë dhe punësimit ilegal janë hapur 111 000 procese gjyqësore për ndjekje penale. Ky është një numër që gjithashtu është rritur në krahasim me vitin 2017 (108 000).

Më shumë kontrolle në të ardhmen

Numri i punotërve në të zezë megjithatë është shumë më i madh, por doganave të Gjermanisë u mungojnë kapacitete për ta luftuar si duhet këtë fenomen.

Këtë mangësi politika tani po përpiqet ta rregullojë me një projektligj të ri, të cilni ministri gjerman i financave, Olaf Scholz, (SPD) e ka kaluar në qeveri dhe tani pret që të miratohet nga Bundestagu. „Ligji i ri hap rrugën për më shumë zbulime të këtij lloji: Ai vë në dispozicion më shumë kontroll dhe rritje të personelit të njësive numrit të stafit të njësisë speciale doganore“, tha Scholz gjatë prezantimit të statistikave vjetore të Entit Doganor, në fillim të javës në Berlin.

Puna në të zezë është një temë edhe e sindikatave gjermane. Lidhja e Sindikatave Gjermane (DGB) ka kërkuar dënime më të rënda për rastet e shkeljes së pagës minimale. “Punëdhënësit që nuk i përmbahen ligjit të mos përfitojnë më nga tenderat e sektorit publik“, është shprehur ndër të tjera kryetari i bordit të DGB-së, Stefan Körzell, në një intervistë për grupin mediatik Funke. Körzell tha se kjo duhet të vlejë edhe për ato raste kur ligji nuk shkelet nga marrësi i tenderit vetë, por nga një sipërmarrës tjetër, që punon për llogari të tij.

Ngjashëm ishte shprehur edhe sindikata industriale e sektorit të ndërtimit, bujqësisë dhe mjedisit, IG Bau. Robert Feiger, shefi i kësaj sindikate, kërkon shtimin e personelit policor në këto njësi.

Numri i policëve doganorë që luftojnë aktualisht punësimin ilegal në të gjithë Gjermaninë është 6700. Në vitin 2017 dëmi që punësimi në të zezë i ka shkaktuar arkës së shtetit duke shmangur pagat shtesë ka shkuar deri në njëmiliardë euro.

Shqiptarë arrestohen

Por edhe kontrollet doganore janë aksione të kushtueshme: Këtë e dëshmoi edhe aksioni fundit që u zhvillua në ishullin Rügen të Detit Baltik të mërkurën (27.03.)

92 policë befasuan punimet për ndërtimin e disa pallateve anës detit, në vendin e quajtur Prora. Gjashtë police kishin edhe qenë me vete dhe, sipas gazetës Ostsee Zeitung, madje policia vuri në përdorim edhe një helikopter për të survejuar aksionin.

Si pasojë u kapën 11 punëtorë shqiptarë, të cilët jo vetëm që punonin në të zezë, por nuk kishin as leje qëndrimi. Ky aksion u bë në kuadër të hetimeve ndaj tre personave që kishin sjellë nga Shqipëria enkas punëtorë për të punuar në ndërtim. Ata përgjoheshin nga policia qysh nga viti i kaluar.

Krahas kantierit në Prora, pati edhe kontrolle të tjera në Lauterbach, Lüssow pranë Stralsundit dhe Hamburg, si dhe u kontrolluan dy banesa në Binz. Dy prej trafikantëve ishin nga Gjermania, i treti nga Maqedonia. Njëri prej tyre u kap gjatë kontrollit të policisë. Njëmbëdhjetë shqiptarët e kapur kanë marrë urdhër të largohen nga Gjermania brenda shtatë ditësh./DW

@tn.lajmelokale
@tetovanews