Ballina Teknologji Facebook fshin 2632 llogari dhe grupe, mes tyre edhe nga Kosova, Rusia...

Facebook fshin 2632 llogari dhe grupe, mes tyre edhe nga Kosova, Rusia dhe Maqedonia e Veriut

Facebook të martën njoftoi se ka fshirë 2 632 faqe, grupe dhe llogari për “sjellje të koordinuar të paautorizuar” në Facebook dhe Instagram.

Facebook ndërmori tre operacione të veçanta me origjinë në Iran, Rusi, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.

Operacioni rus ishte më i madhi, me një total prej 1 907 faqesh, grupesh dhe llogari të fshira. Falë këtyre të fundit shpërndaheshin mesazhe që hyjnë në kategorinë e spam-it, ndërsa një numër i vogël faqesh kishin postuar lajme në lidhje me Ukrainën.

Sipas Facebook-ut, grupet virtuale ruse kishin rreth 1.7 milionë anëtarë.

I dyti më i madh ishte rrjeti iranian, i cili përbëhej nga 513 faqe, grupe dhe llogari, të gjitha për qëllime politike. Facebook thotë se ky rrjet kishte krijuar organizata të rreme mediatike dhe i paraqiste si të ligjshme, si dhe grupe politike.

Temat që ky rrjet kishte për qëllim t’i ndikonte përmes postimeve ishin: Sanksionet kundër Iranit, tensionet midis Indisë dhe Pakistanit dhe tensionet mes Izraelit dhe Palestinës.

Rrjeti shpenzonte rreth 15 000 dollarë në reklama, nga viti 2013, deri në shkurt të këtij viti.

Kjo nuk është hera e parë që Facebook bllokon llogari të mbështetura nga Irani, që hiqen si media. Në gusht të vitit 2018, Facebook njoftoi se ishte vëë në dijeni nga një firmë e sigurisë kibernetike për një rrjet faqesh të mbështetura nga Irani, të quajtur “Liberty Front Press”.

Rrjeti i fundit dhe më i vogël i koordinuar me 212 faqe, grupe dhe llogari e kishte origjinën në Kosovë dhe Maqedoni. Ai kryesisht prodhonte materiale të padëmshme që kanë të bëjnë me stilin e jetës si astrologjia, njerëzit e famshëm dhe këshilla për bukurinë.

Megjithatë, një numër i vogël faqesh paraqiteshin si grupe politike nga Australia, Britania e Madhe dhe SHBA-të, dhe kishin publikuar materiale që kanë të bëjnë me tema politike dhe fetare, duke përfshirë daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Rrjeti kosovar-maqedonas ka shpenzuar afërsisht 5 800 dollarë për reklama, nga viti 2013 deri në mars të këtij viti. (TemA TV)

@tn.lajmelokale
@tetovanews