Ballina Bota Erdogan dhe raketat ruse, një krizë e re SHBA-Turqi është te dera

Erdogan dhe raketat ruse, një krizë e re SHBA-Turqi është te dera

Nga Franco Venturini

Më shumë se asnjëherë sulltan, tani që ka superpushtet të garantuar nga ndryshimet kushtetuese, e megjithatë, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, nuk ka gjetur ende paqe politike. Për herë të parë në dekadën e fundit, Turqia është praktikisht në recession, me një rritje prej 2.6 në vitin 2018, krahasuar me 7.4 në vitin 2017.

Lajmi i keq bëhet akoma më i keq, nëse merr parasysh se në fund të muajit mbahen zgjedhjet lokale, vendimtare për kontrollin e qyteteve të mëdha. Ekspertët pohojnë se Erdogan nuk ka gabuar me politikën ekonomike, por këto janë pasojat e krizës në marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA, “ftohje” që ndodhi verën e kaluar.

Diagnozë që do të duhej të ishte miqësore, porn ë fakt është katastrofike, sepse kriza e re turko-amerikane është te dera dhe premton të jetë shumë më serioze se ajo e mëparshmja. Turqia, anëtare e NATO-s, bleu raketa anti-ajrore të prodhimit rus, S-400-at shumë të avancuar, në vitin 2017.

Tani dorëzimi është i afërt, dhe Trump urdhëroi Ankaranë të anulojë urdhrin dhe të blinte në vend të tyre raketat amerikane “Patriot”. Erdogan refuzon. Dhe Trump, si një lëvizje e parë, eliminoi regjimin preferencial nga i cili deri dje përfitonin eksportuesit turq. Nëse kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, do të vijnë sanksione të vërteta ekonomike dhe avionët kontroversë F-35 nuk do të dorëzohen. Atmosferë aspak e mirë kjo në prag të zgjedhjeve.

Dhe pastaj kemi Sirinë. Pra, rajoni i Idlibit, ku janë mbledhur xhihadistët dhe civilët e ikur nga fronte të tjera. Asadi kërcënon me masakra. Erdogan dhe Putin e ndaluan duke rënë dakord të “pastronin” Idlibin dhe të krijonin një zonë të demilitarizuar, një detyrë që u është besuar turqve.

Por tani, Moska dhe Damasku akuzojnë Erdoganin se ka bërë shumë pak, ndërkohë rikthehet kërcënimi i një sulmi nga forcat e Asadit dhe frika e një eksodi civilësh që mund të arrijë deri në një milion.

Ata do të drejtohen në Evropë, nëse Turqia nuk i ndalon në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar me BE-në. Dhe ky është gjithashtu një problem, në prag të zgjedhjeve. Nëse nuk do të ishte për shkeljet e përsëritura të të drejtave civile, ndoshta mund të kishte solidaritet me këtë sulltan plot dobësi. / Corriere della Sera-TemA TV/