Ballina Aktualitet Kultura Dy botime të reja së shpejti nga Lumo Skëndos

Dy botime të reja së shpejti nga Lumo Skëndos

Krijimtaria e Lumo Skëndos, do të pasurohet së shpejti me dy botime të reja. Biblioteka Kombëtare dhe ALSAR, pas botimit anastatik të revistës “Diturija”, pikërisht në vitin e kthimit të eshtrave të tij në atdhe dhe në kuadër të kremtimeve të 110-vjetori të Kongresist të Manastirit, kryetar i të cilit Mid’hat Frashëri u zgjodh njëzëri, po vijon edhe me angazhime të mëtejshme mes tyre, duke mundësuar, përmes marrëveshjesh të reja, botime të natyrës studimore ose riprodhuese (anastatike) të cilat do të lejojnë thellimin e dijeve tona mbi autorin, veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij, ende të pa ndriçuar sa duhet.

Një prej tyre do të jetë botimi anastatik i gazetës “Lirjia” (1908-1910): gazetë të cilën ai themeloi më 1908 dhe e botoi deri në vitin 1910. Ndonëse një pjesë e mirë e artikujve të kësaj gazete janë ribotuar në botimet e sotme bashkëkohore të veprës së tij, shfletimi i gazetës “Lirija” në tërësinë e saj do të lejonte një studim më të thelluar të veprimtarisë publicistike e politike të Lumo Skëndos si dhe kuptim e analizë më të mirë të kontekstit politik e kulturor në të cilin ajo u botua.

Qysh më parë ishte vërë re fakti se koleksionet e kësaj gazete të hershme, kishin mangësi në plotërinë e tyre në disa biblioteka të vendit, si dhe dëmtime të konsiderueshme në shumë numra. Për këtë arsye, specialistët e Bibliotekës Kombëtare, mbasi përgatitën koleksionin e plotë, falë edhe bashkëpunimit me Bibliotekën publike të Elbasanit, i hapën udhë kësaj marrëveshjeje të re me Fondacionin ALSAR, që u lidh në “Sallën Lumo Skëndo” të BKSH-së jo rastësisht më 25 mars, pikërisht në ditën e lindjes së Mid’hat Frashërit, si një shenjë nderimi për të e veprën e tij, vepër që vijon të na falë bujarisht dije, kulturë e krenari të ligjshme.

Së shpejti, ky botim anastatik, do të plotësojë bibliotekat e vendit si dhe ato të studiuesve e lexuesve gjithnjë e më të shumtë. Një tjetër botim do të jetë ai i akteve të Konferencës Shkencore “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija”.Konferenca shkencore “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija” synoi të hedhë dritë mbi vlerat ende të paçmuara apo të panjohura të Diturisë dhe të autorit të saj. Ajo u zhvillua në dy edicione të suksesshme, në Tiranë më 10 tetor dhe në Prishtinë më 6 nëntor, 2018.

Bashkëpunimi e përkushtimi i studiuesve të mirënjohur në shqyrtimin dhe paraqitjen e vlerave unike të revistës Diturija dhe të personalitetit poliedrik të Lumo Skëndos i solli konferencës pasurinë e perspektivave të larmishme, prej të cilave figura e Lumo Skëndos u shfaq në plotërinë e saj përmes leximesh kulturologjike, historike, gjuhësore, imagologjike etj., duke rikthyer në bashkëkohësinë tonë profilin e një intelektuali të shkëlqyer të botës shqiptare.

Paralelisht me këtë, specialistët e Bibliotekës Kombëtare ndërmorën edhe hartimin e “Bibliografisë së revistës Diturija”, një kontribut i çmuar shkencor përmes të cilit vjen një ndihmesë e vlefshme për kërkuesit në thellimin e njohjes së kësaj vepre monumentale të kulturës shqiptare. Kjo bibliografi do të botohet së bashku me aktet e konferencës si vijim i dy vëllimeve të hijshme të Diturisë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast në Sallën “Lumo Skëndo” të Bibliotekës Kombëtare, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Prof. Dr. Persida Asllani, u shpreh se “nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi vjen pikërisht në ditën e lindjes së Mid’hat Frashërit, si një shenjë nderimi për të e veprën e tij. Koleksionet e kësaj gazete të hershme kishin mangësi në plotërinë e tyre në disa biblioteka të vendit, si dhe dëmtime të konsiderueshme në shumë numra. Ky botim anastatik do të plotësojë bibliotekat e vendit si dhe ato të studiuesve e lexuesve gjithnjë e më të shumtë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, u shpreh se “përkujtimi i figurave kombëtare dhe i veprave të tyre është tejet i rëndësishëm për të ardhmen dhe brezat që vijnë më pas. Bashkëpunimi i nisur me Bibliotekën Kombëtare, së pari me botimin anastatik të revistës “Diturija”, do të vijojë më tej edhe me punë të tjera shkencore. Është shumë vyer të botojmë sa më shumë vepra shkencore të periudhës së Rilindjes shqiptare, si një etapë e rëndësishme e shtet-formimit dhe kombi shqiptar, të cilat do të dokumentojnë dhe risjellin në vëmendje këtë periudhë historike”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews