Ballina Aktualitet Lajme Bogoevski nuk dëshmoi për “Maxhar Telekom”-in, mbrojtja kërkon të thirret Buçkovski

Bogoevski nuk dëshmoi për “Maxhar Telekom”-in, mbrojtja kërkon të thirret Buçkovski

Ish-zbuluesi Slobodan Bogoevski, i cili sot duhej të dëshmojë për rastin “Maxhar Telekom”, nuk erdhi në seancën gjyqësore në Gjykatën penale. Ai e njoftoi gjykatën se është penguar të marrë pjesë në seancën e sotme për shkak të obligimeve në grupin punues në Qeveri.

Dëshmia e tij do të caktohet në mënyrë shtesë, ndërsa sot mbrojtësi i Atila Sendrei kërkoi të merret në pyetje ish-kryeministri Vllado Buçkovski në kohën e të cilit është nënshkruar Protokolli midis Qeverisë dhe Telekomit të Maqedonisë.

“U imponua nevojë e domosdoshme sepse është marrë në pyetje ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhemali Makazi. Prokuroria i shtroi pyetje ish-drejtori të Këshillit të drejtorëve Dejan Mickoviq, ndërsa Vllado Buçkovski si ish-kryeministër është nënshkrues i protokollit dhe për shkak të konfirmimit të së vërtetës së plotë është e nevojshme dëshmia e tij”, deklaroi avokati Nenad Janakieviq, duke shtuar se në dobi të të gjithëve është që Buçkovski të dëshmojë para gjykatës dhe ta thotë të vërtetën për këtë ngjarje.

Për kërkesën e tillë të mbrojtes, prokurorja speciale publike Lile Stefanova do të deklarohet në seancën e ardhshme gjyqësore.

Në fillim të seancës së sotme në kërkesë të mbrojtjes, shkurt është dëgjuar Mançe Trendafilov, udhëheqës për shitjen e shfrytëzuesve afaristë në Telekomin e Maqedonisë.

Seancat e ardhshme për lëndën “Telekomi i Maqedonisë” që e zhvillon Prokuroria Speciale Publike janë caktuar për më 24 prill dhe 8 maj.

Gjykimi për “Maxhar Telekom” filloi në vitin 2011 dhe më pas rastin e mori PSP-ja. Për keqpërdorimin e pozitës zyrtare akuzohen drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Maqedonisë, Atila Sendrei, drejtori i financave Rolf Pllat, si dhe Mihail Kefalojanis dhe Zoltan Keshius. Ata dyshohen se kanë nënshkruar marrëveshje fiktive për shërbime konsultuese me shtëpinë qipriote konsultuese “Çalteks holdings limitid” dhe në këtë mënyrë e kanë dëmtuar “Telekomin e Maqedonisë” dhe Buxhetin e Maqedonisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews