Ballina Sport Arsyet kryesore pse Solskjaer e fitoi pozitën e trajnerit në Man United

Arsyet kryesore pse Solskjaer e fitoi pozitën e trajnerit në Man United

Manchester Unitedi ia ka dhënë Ole Gunnar Solskjaerit një kontratë trevjeçare me klubin për ta bërë trajner permanent.

Postin e trajnerit Solskjaer e fitoi pasi e transformoi skuadrën e Manchester Unitedit brenda disa javëve, pas shkarkimit të Jose Mourinhos, më 18 dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

Solskjaer i ka fituar 14 nga 19 ndeshjet e zhvilluara si trajner i “Djajve të kuq”, duke i ngjallur shpresat e anglezëve për ta fituar një vend në top katërshe të Premierligës. Madje, ai arriti ta kualifikojë skuadrën e tij në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Por, cilat ishin momentet kyçe që rezultuan me ofertën e Manchester Unitedit për Solskjaerin?

Fitorja 5:1 kundër Cardiffit në ndeshjen e parë
Fitorja dhe paraqitja në këtë ndeshje e ngritën standardin për ndeshjet e radhës të Solskjaerit. Norvegjezi e ndryshoi menjëherë formacionin e parë, duke e futur Marcus Rashfordin në pozitën e qendërsulmuesit dhe Anthony Martialin e Jesse Lingardin në dy krahët.

Ai ia dha edhe Paul Pogbës një rol shumë më të avancuar në fazën e sulmit dhe më pak përgjegjësi në fazën e mbrojtjes.

Stili i lojës së Manchester Unitedit në atë ndeshje e ktheu në Old Trafford futbollin që kishte munguar që nga largimi i Sir Alex Fergusonit, në vitin 2013. Ndeshja kundër Cardiffit ishte hera e parë që Manchester Unitedi i kishte shënuar pesë gola që nga ndeshja e fundit e Fergusonit.

Ringjallja e Paul Pogbës

Marrëdhënia e Pogbas me Mourinhon ishte shkatërruar plotësisht kur portugezi u shkarkua nga pozita e trajnerit. Që nga atëherë, detyra kryesore e Solskjaerit ka qenë ta kthejë në super formë lojtarin më të shtrenjtë të skuadrës.

Solskjaer e rindërtoi skuadrën e Manchester Unitedit duke u bazuar rreth Pogbës, duke e vendosur në mesfushë Nemanja Maticin dhe Ander Herreran për t’i dhënë më shumë liri francezit. Rezultatet e kësaj kanë qenë të qarta.

Pogba tani duhet ta dëshmojë se mund ta vazhdojë formën që e ka treguar gjatë tre muajve të fundit gjatë tre vjetëve të ardhshme dhe të bëhet kampioni për të cilin Manchester Unitedi pagoi rreth 100 milionë euro.

Zemërimi me lojtarët pas pjesës së parë kundër Readingut

Besimi se Solskjaer është thjesht një djalosh i sjellshëm doli të mos jetë i saktë, pas pjesës së parë në ndeshjen e rrethit të tretë të FA Cup, kundër Readingut, kur norvegjezi u tregoi lojtarëve saktësisht sa i zemëruar ishte me ta.

Megjithatë, dallimi me Mourinhon ishte se sapo e përfundoi fjalimin e tij, Solskjaer nuk ia mori inat lojtarëve dhe skuadra e Manchester Unitedi e zbuloi se kishin të bëjnë me një person që e ka marrë shumë seriozisht punën e tij.

Taktikat kundër Tottenhamit

Manchester Unitedi kishte fat të mirë në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Tottenhamit, në janar, dhe portieri David de Gea i bëri shumë pritje të mira për t’u siguruar që ndeshja të përfundojë me rezultat 1:0.

Por, mënyra se si Solskaer e kishte organizuar ekipin për këtë ndeshje tregoi se ai di shumë më shumë sesa vetëm t’i motivojë lojtarët. Ai e bëri një plan të përsosur dhe u tregoi lojtarëve të tij se si ta ekzekutojnë atë.

Duke luajtur me Jesse Lingardin në qendër dhe duke i kërkuar Rashfordit dhe Martialit të luajnë si anësorë të ndarë, Solskjaeri krijoi shumë probleme për mbrojtjen e Tottenhamit.

Përmbysja e rezultatit ndaj PSG-së dhe fuqia e pozitivitetit

Solskjaer ishte detyruar ta nisë ndeshjen kthyese kundër PSG-së pa gjashtë lojtarë të formacionit të parë, pasi e kishin humbur ndeshjen e parë, në shtëpi, me rezultat 2:0. Por, në vend se të ankohej për mungesat, Solskjaer u përqendrua te lojtarët që i kishte në dispozicion.

Ai foli rreth sukseseve që Manchester Unitedi i kishte pasur më parë duke thënë se ky nuk ishte mision i pamundur. Pozitiviteti i tij erdhi me rezultatet më të mira të mundshme.

Besimi te fëmijët
Mourinho e kaloi pjesën më të madhe të sezonit e turneut parasezonal duke u ankuar që ekipi i tij kishte nevojë për përforcime, duke ia ulur vetëbesimin lojtarëve të rinj e të talentuar. Mourinho vazhdimisht flistë për nevojën për të blerë lojtarë të rinj.

Për dallim nga ai, Solskjaer ka folur për dëshirën e tij për të promovuar lojtarë nga akademia në ekip të parë dhe besimin që ai e ka te lojtarët e rinj të Manchester Unitedit. Madje, Mason Greenwood dhe Tahith Chong luajtën edhe në minutat e fundit të ndeshjes kundër PSG-së, kur “Djajtë e kuq” ende kishin nevojë për një gol për t’u kualifikuar.

Shpirti i skuadrës
Fitorja kundër PSG-së e dëshmoi fuqinë e shpirtit të skuadrës që po mbizotëronte në Manchester United, që kur Solskjaer u emërua në pozitën e trajnerit.

Kjo gjë ishte e vërejtshme edhe katër ditë para kësaj ndeshjeje, kur Manchester Unitedi e përmbysën rezultatin në mënyrë dramatikë në ndeshjen kundër Southamptonit.

Veprime të vogla, si insistimi i Solskjaerit që të gjithë lojtarët t’i festojnë golat së bashku dhe të veshin të njëjtat kostume ditën e ndeshjeve, nuk kaluan pa u vërejtur dhe ato u bënë me qëllim për ta forcuar ndjenjën e bashkësisë në klub.

Faktori Marcus Rashford
Sado që Mourinho insistonte se ai ishte i mrekullueshëm për Rashfordin, portugezi nuk pranonte të luante me anglezin si qendërsulmues, përveç nëse detyrohej për këtë gjë.

Tani që Solskjaer ka ardhur në pozitën e trajnerit, sulmuesi anglez është njëri ndër talentet më premtuese të futbollit evropian.Përmirësimi i mbrojtjes
Mourinho ankohej se Manchester Unitedi nuk mund të luante futboll sulmues për shkak të mbrojtjes së dobët. “Djajtë e kuq” mund të jenë ende duke u përmirësuar, mirëpo Solskjaer e ka bërë Manchester Unitedin shumë të mirë në fazën e mbrojtjes.

Kur ish-sulmuesi legjendar i “Djajve të kuq” e mori pozitën e trajnerit, klubi i tij ishte i pesti me rekordin më të keq defansiv në Premierligë.

Por, që nga shkarkimi i Jose Mourinhos dhe emërimi i Solskjaerit si trajner i përkohshëm, Manchester Unitedi i ka shënuar 17 gola në 19 ndeshje dhe e ka mbajtur portën e paprekur në shtatë prej tyre. Gjatë kësaj kohe, vetëm Liverpooli ka rekord më të mirë në mbrojtje se Manchester Unitedi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews