Ballina Bota Analiza ANALIZA: A e ka mposhtur vërtet Trumpi, Shtetin Islamik?

ANALIZA: A e ka mposhtur vërtet Trumpi, Shtetin Islamik?

Nga Abdul-Khakim Sultigov

Duke shpallur fitoren mbi Shtetin Islamik, presidenti amerikan Donald Trump, synonte të përmbushte një nga premtimet e tij më të bujshme elektorale që ishte: “Të shkatërrojmë terrorizmin “islamik”, ashtu siç kemi mposhtur ç`do kërcënim me të cilin jemi përballur në ç`do epokë”.

Vendimi i Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria, u justifikua me triumfin ndaj ISIS-it, si dhe nga dëshira e tij për t’i dhënë fund rolit amerikan si një xhandar global.

Ky vendim për t’u larguar nga Siria, ishte një hap parazgjedhor pragmatik, dhe pasqyron prirjen

e përgjithshme të SHBA-së për braktisjen e politikës së saj paternaliste, dhe në këtë rast nënkupton një hetizim për të shpenzuar para për rindërtimin e pasluftës në Siri.

Por a është mposhtur realisht Shteti Islamik? Për herë të parë në qindra vitet e fundit, Perëndimi u përball me një mobilizim të papritur e të madh, të mijëra luftëtarëve nga e gjithë bota, nën flamujt e zinj të Shtetit Islamik, që pushtoi një hapësirë të madhe territoriale për një periudhë të gjatë kohore.

Në thelb, ajo që ndodhi në Siri dhe Irak, ishte prezantimi global i një projekti ekstremist transnacional, të quajtur Shteti Islamik, që i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara, dhe një koalicioni prej 60 kombesh. ISIS nuk është i bashkangjitur një territori të caktuar, dhe mund të rilindë në çdo rajon mysliman të botës.

Me fjalë të tjera, Shteti Islamik, paraqet një rrezik më të madh, si një rrjet global terrorist. Forca e ISIS-it qëndron tek ideologjia e tij, që i drejtohet një burimi të pakufizuar luftëtarësh potencialë të mundshëm. Në Siri, hidra me shumë koka e xhihadizmit, ka humbur vetëm një betejë, por jo të gjithë luftën.

Pra, pa u mposhtur projekti xhihadist i Shtetit Islamik në rrafshin ideologjik, ai mbetet i pamposhtur. Prandaj, deklarata e nxituar e Trump për fitoren ndaj Shtetit Islamik, mund të shndërrohet në një gabim të madh të politikës së jashtme.

E vërteta është se lufta e shpallur ndaj SHBA-së më 11 shtator 2001, mund të përfundojë vetëm pasi të mposhtet ideologjia e xhihadit. Asnjë mur meksikan, nuk mund të mbrojë Shtetet e Bashkuara nga kjo luftë. Megjithatë, deri më tani presidenti Trump nuk ka bërë asgjë për të nisur luftën, në fushëbetejën kryesore që është lufta ideologjike, kundër terrorizmit të xhihadit. Fanatikët xhihadistë, aspirojnë të pajisen me armë bërthamore, pavarësisht mekanizmave efikasë kundër përhapjes së këtyre lloj armëve, dhe implikimet e kësaj përpjekjeje mund të jenë tragjike.

Vetë lindja e Shtetit Islamik nën mjedisin e sulmeve ekstremiste të përgjakshme, kërkon një përcaktim të qartë të problemit, dhe një udhërrëfyes për ç’armatimin ideologjik të terrorizmit.

Henri Kisinger, na kujton se myslimanët e ndanë historikisht botën në “mbretërinë e paqes” (dar-al-Islam) të sunduar nga Kalifi, dhe “tokat e luftës” (dar-al-harb), territoret përtej kufijve të Kalifatit, ku banojnë jobesimtarët.

Në teori “dar al-Islam”, ishte në një gjendje lufte me “dar al-harb”, sepse qëllimi përfundimtar i Islamit ishte dominimi i gjithë botës.

Nëse “dar al-harb’ u reduktua nga Islami, rendi publik i ‘Pax Islamica’ do të zëvendësonte të gjithë të tjerët, dhe komunitetet jo-myslimane, ose do të bëheshin pjesë e bashkësisë islame, ose do t’i nënshtroheshin sovranitetit të saj, si komunitete fetare të toleruara, ose si subjekte autonome që lidhnin traktate me të.

Strategjia për të sjellë këtë sistem universal do të quhet xhihad, një detyrim që i detyron besimtarët të zgjerojnë besimin e tyre përmes luftës. “Xhihadi” përfshinte luftën, por nuk ishte i kufizuar në një strategji ushtarake. Kjo ngre një pyetje shumë të rëndësishme:A është krijimi i modelit islamik të qeverisjes në të gjithë botën, dhe krijimi i një shteti të vetëm, Kalifatit, synimi përfundimtar i Islamit, dhe një detyrë për besimtarët?

Dhe në këtë kuadër, a është rimarrja e territoreve të pushtuara dikur nga myslimanët, qëllimi i vërtetë i xhihadit? A është bota islame e aftë të përballet me sfidën historike të terrorizmit të xhihadit? A është Islami një fe e paqes, bashkëjetesës paqësore mes popujve dhe shteteve, apo është një ideologji e luftës terroriste kundër besimtarëve të ndryshëm në mbarë botën?

Këto pyetje të vështira u ngritën, pasi bota mësoi mbi krimet monstruoze të Shtetit Islamik, dhe grupimeve të tjera terroriste. Sfida më e madhe ndaj teologëve myslimanë, politikanëve dhe intelektualëve, është të reformojnë parimet politike dhe gjeopolitike të Islamit, të cilat e kanë humbur rëndësinë e tyre.

Përgjigja ndaj kësaj sfide, mund të paraqitet vetëm në një dokument të miratuar nga Konventa Universale Islame, e përfaqësuesve të pranuar të të gjitha shkollave fetare myslimane. Në esencë, ata duhet të japin një përgjigje të hollësishme:A është Perëndimi dhe Rusia “tokë e luftës” (vendi i xhihadit të ligjshëm)?

Pengesa më e rëndësishme, është çështja kryesore e modernitetit:por rimarrja e tokave që dikur u pushtuan dhe u humbën më pas nga Islami (Spanja, Siçilia, Malta, Ballkani, Palestina etj) qëllimi i vërtetë i xhihadit? A kanë të drejtë hebrenjtë, që dikur u dëbuan nga Gadishulli Arabik, të kenë shtetin e tyre?

Një kthesë e tillë historike, do të krijonte një mundësi reale, për një zgjidhje paqësore në Lindjen e Mesme, duke zgjidhur kontradiktat arabo-izraelite nëpërmjet mjeteve ligjore ndërkombëtare. Kjo thirrje e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë ndaj bashkësisë teologjike myslimane dhe elitave politike, duhet të vijë nga jashtë botës islamike:nga Amerika dhe Rusia (si trashëgimtare e ligjshme e Bashkimit Sovjetik).

Këto dy vende, kanë një përgjegjësi të veçantë historike në luftën kundër terrorizmit të xhihadit. Dhe hapi i pare, duhet të ndërmerrret nga udhëheqësi i vetëm i superfuqisë ekzistuese, sidomos duke pasur parasysh faktin që në fushatën e tij zgjedhore, Trumpi premtoi të “ndalë përhapjen e islamit radikal” dhe “të sabotojë propagandën dhe rekrutime e tyre”.

Megjithatë, dokumenti përfundimtar i Konferencës Universale Islame, mund të ketë sukses si një armë ideologjike në luftën e informacionit kundër terrorizmit pseudo-islamik të xhihadit, vetëm nëse do të ishte një përpjekje e përbashkët e ‘Perëndimit të Madh” dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Vendimi i teologëve muslimanë, që ka statusin e një norme ligjore në ligjin e Sheriatit, mund të bëhet baza ligjore për krijimin e një Gjykate Ndërkombëtare Islamike për terrorizmin. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë politike të çështjes, në këtë fazë të hershme, kjo Gjykatë do ta kufizonte fushën e saj me Shtetin Islamik dhe Al Kaedën.

Dënimet e saj, mund të krijojnë një precedent jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe mund të përdoren si një përkufizim gjyqësor për Hezbollahun dhe Hamasin. Prandaj, dokumenti historik i miratuar nga Konferenca Universale Islamike në qytetin e shenjtë të Mekës, dhe i miratuar nga udhëheqësit e OIC, do të nënkuptonte fitoren mbi ideologjinë e terrorizmit të xhihadit dhe fundin e një lufte fetare të pashpallur. Në thelb, do të ishte një deklaratë e ngjashme me “Paqen e Vestfalisë”.

Shënim: Abdul-Khakim Sultigov, ka qenë përfaqësuesi special i Rusisë për të Drejtat e Njeriut në Çeçeni, në vitet 2003- 2004.(“National Interest” – Bota.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews