Ballina Bota Analiza A është religjioni i mirë apo i keq për njerëzimin? Analiza epike...

A është religjioni i mirë apo i keq për njerëzimin? Analiza epike e ka një përgjigje

Religjioni na ka dhënë kantatat dhe pogromet e Bahut, algjebrën dhe inkuizicionin spanjoll. Debati nëse religjioni e ngre njerëzimin më lart apo na nxjerr instinktet më primitive është i lashtë dhe në disa mënyrë i pazgjidhshëm. Ka shumë shembuj nga secila anë. Fjalën e fundit e kanë pasur më eruditët – derisa dolën të tjerë, edhe më eruditë. Raundi i fundit i debatit të përjetshëm u ndez nga sulmet e 11 shtatorit, në dukje të frymëzuara nga feja, pas të cilit “ateistët e rinj”, dolën në skenë. Hipotezat e biologut evolucionar Richard Dawkins dhe neuroshkencëtarit Sam Harris argumentojnë se qeniet e arsyeshme, duke ndjekur faktet, mund të dalin pashmangshëm në përfundimin se religjioni është i dëmshëm. Por nga ana tjetër, ata janë akuzuar se i kanë zgjedhur qëllimshëm faktet e tyre.

Mund të dalësh në përfundim se , është e pamundur të bësh një gjykim moral rreth një fenomeni kulturor kaq shumë planesh. E megjithatë, në vitet e fundit, ka pasur përpjekje për të ekzaminuar pyetjen, duke përdorur bisturi shkencore. Kërkuesit janë përpjekur të zbulojnë sesi njerëzimi ka marrë forma nga gjëra si filozofitë moralizuese, religjionet e botës, zotat që shohin gjithçka dhe ritet.

Studimet ofrojnë këndvështrime intriguese, por secili paraqet vetëm një fragment të historisë së tërë dhe, ndonjëherë ata gjenerojnë ide konkurruese. Ajo që nevojitet është një mënyrë për t’i vlerësuar ato dhe për të ndërtuar një tablo më holistike të rolit që, religjioni ka luajtur në evoluimin e shoqërive njerëzore. Dhe kjo është ajo çka unë dhe kolegët e mi po bëjmë.

Por, së pari çfarë kuptojmë ne me “të mirë” dhe “të keqe”? A duhet konsideruar religjioni i mirë nëse ka frymëzuar art madhështor, por ka skllavëruar miliona? A duhet gjykuar si i keq nëse ka siguruar barazi me çmimin e shprehjes së lirë? Vlerësime të tilla rrezikojnë të na ngecin në gropën thithëse të moralit. Për më tepër, si munden që këto gjëra të parrokshme të peshohen përballë njëra-tjetrës? Një qasje empirike mund të shënjojë jetët e humbura ose të dëmtuara përballë atyre të shpëtuara apo të lartësuara, si rezultat i religjionit. Por çdo përpjekje për të përllogaritur këto shifra do të ishte krejt subjektiv.

Por ndryshe, mund të pyesim nëse religjioni i ka ndihmuar shoqëritë të rriten dhe lulëzojnë. A është, ashtu siç besojnë shumë, një formë e ngjitësit social që ndërton bashkëpunimin? Siç ndodh, ka një miratim befasues rreth domethënies morale të bashkëpunimit. Një studim që përfshin 60 shoqëri, që varion nga grupet e vegjël deri tek të mëdhenjtë ka zbuluar se njerëzit kudo, e barazojnë “të mirën” me sjelljet bashkëpunuese dhe “të keqen” me jobashkëpunueset. Duhet pranuar, se shoqëritë ndryshojnë në llojin e bashkëpunimit që vlerësojnë: disa janë më autoritare, të tjerë më egalitare. E megjithatë, kjo qasje na lejon të bëjmë një pyetje më të rrokshme rreth religjionit: çfarë roli, ka luajtur në ndërtimin e sjelljeve bashkëpunuese, që i kanë lejuar shoqëritë njerëzore të rriten nga grupet e gjahtarëve, tek perandoritë e mëdha dhe shtetet kombe?

Një pikënisjeje do të ishte Epoka Aksiale, një periudhë ku shumë studiues mendojnë se civilizimi u rrotullua drejt modernitetit. Rreth mesit të mijëvjeçarit të parë, para Krishtit, një sërë ndryshimesh kulturore përfshinë botën. Nocionet e reja të barazisë, ndryshuan në mënyrë rrënjësore marrëdhënien mes sunduesve dhe të sunduarve, duke krijuar shoqëritë dhe duke u lejuar atyre të bëjnë një kapërcim në përmasë dhe kompleksitet. Mendohet se religjioni mendohet ka luajtur rol në këtë. Në fakt, koncepti i Epokës Aksiale lindi nga vëzhgimi sesi një grusht profetësh të rëndësishëm dhe udhëheqësish shpirtërorë – mes tyre Buda, Konfuci dhe Zoroastri apo njohur ndryshe si Zarathustra – u bënë të njohur në atë periudhë, duke predikuar ideologji të ngjashme moralizuese.

Një tjetër hipotezë popullore është se bashkëpunimi në shoqëritë komplekse është i lidhur ngushtë me shpikjen e “Zotave të Mëdhenj”: hyjni të cilët kërkojnë që kodi i tyre moral të vëzhgohet nga të gjithë dhe që, kanë fuqi të mbinatyrshme të vëzhgimit dhe detyrimit. Pjesa më e madhe e religjioneve të botës sot kanë këta zota moralizues, por janë të rrallë në shoqëri me shkallë të vogël, ku qeniet e mbinatyrshme priren të kujdesen vetëm nëse njerëzit i zbrazin detyrimet e tyre ndaj botës së shpirtit.

Është sugjeruar se krijimi i shteteve të mëdhenj me popullsi të madhe urbane është varur nga besimi në zota të tillë, që kujdeseshin sesi kushdo, përfshi edhe të panjohurit, e trajtonin njëri-tjetrin. Zotat e mëdhenj gjithashtu kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemit, që pllakos çdo shoqëri përtej një mase të caktuar: kalorësit e lirë. Në komuntitete më të vegjël, është relativisht e lehtë për grupet e ngjashme dhe drejtuesit vendas të pikasin njerëzit që përpiqen të jetojnë me frytet e shoqërisë, ndërsa kontribuojnë më pak sesa u takon. Në të mëdhatë, ku veprimet e papërcaktuara janë më të zakonshme, pajtueshmëria është më e vështirë të kontrollohet. Këtu, frika se një zot moralizues po sheh dhe do të dënojë kalorësit e lirë –me ndëshkim të përjetshëm, përshembull – mund të ndihmojë hilenë.

Të tjerë studiues, përshi edhe mua, kanë shqyrtuar rolin që ritet e shenjta mund të kenë si ngjitës social. Në pjesën më të madhe të prehistorisë, njerëzit jetonin në grupe të vegjël, ku anëtarët e njihnin njëri-tjetrin. Sot, shoqëritë në shkallë të vogël, priren të favorizojnë ritet jo të shpeshta, por traumatike që promovojnë një kohezion të thellë shoqëror – ai lloj që është i nevojshëm, nëse njerëzit po rrezikojnë jetën dhe bëhen bashkë në gjuetinë e kafshëve. Një shembull mund të jenë ritet agonizuese, që kryhen ende në rajonin Sepik të Papuas, Guine e Re, që përfshijnë sakrifica të trupit për t’i përngjarë lëkurës së një krokodili, specie e adhuruar nga vendasit.

Megjithatë, me ardhjen e bujqësisë, rituale të tilla nuk i përshtateshin më qëllimit. Bujqësia mbështeti popullsi më të mëdha, anëtarët e të cilave, jo gjithnjë e njihnin njëri-tjetrin. Atyre as nuk u kërkohej të rrezikonin gjithçka për njëri-tjetrin, kështu që nuk kërkonin të njëjtin nivel të kohezionit social. Por ata kishin nevojë të ndiheshin pjesë e një grupi, duke iu bindur të njëjtit kod moral dhe sistemi të qeverisjes – veçanërisht, ndërsa shoqëria përthithte grupe të reja etnike përmes pushtimit ushtarak. Lloje të tjera ritualesh duket se e kanë siguruar atë identitet të përbashkët. Këto ishin përgjithësisht praktika pa dhimbje, si lutjet dhe mbledhjet në vende të shenjta që mund të kryheshin shpesh dhe bashkërisht, duke u lejuar të përhapeshin në shtete të tëra apo edhe perandori.

Një enigmë, megjithatë është se shumë prej këtyre qytetërimeve të hershme gjithashtu praktikonin ritin e dhunshëm të sakrificës njerëzore. Kjo e arriti zenitin e saj në shtetet e ashtuquajtura arkaike, që ekzistonin mes viteve 3000 dhe 1000 para Krishtit dhe ishin mes shoqërive më mizore dhe të pabarabarta. Në disa anë të globit, sakrifica njerëzore vazhdoi deri kohëve të fundit. Religjioni inkas, për shembull, kishte shumë të përbashkëta me religjionet e botës së sotme: njerëzit nderonin zotat e tyre me ceremoni të shpeshta dhe në pjesën më të madhe, pa dhimbje. Por sunduesit e tyre kishin status hyjnor, zotat e tyre nuk ishin moralizues dhe ata përfshinin sakrificën njerëzore derisa u pushtuan nga spanjollët, në shekullin e 16-të.

Epoka Aksiale, Zotat e Mëdhenj, ritet – si mund t’i testojmë këto ide? Më 2010-ën, Pieter François nga Universiteti i Oxford-it, Peter Turchin nga Universiteti i Connecticut dhe unë, nisëm të ndërtonim një bankë me të dhëna nga historia. Ky projekt, i emërtuar Seshat, sipas perëndeshës egjiptiane të përkujtesës, na furnizoi me infrastrukturën dhe të dhënat për të hetuar këto hipoteza në mënyrë rigoroze dhe në shkallë globale. Përmban informacion të më shumë se 400 shoqërive që kanë ekzistuar rreth botës në 10 mijë vitet e fundit. Seshat vazhdon të rritet, por ne besojmë se është tanimë mjaft e pjekur për të ngritur pyetjen, nëse religjioni ka qenë i mirë apo i keq për njerëzimin.

Në studimin e botuar vitin e shkuar, isha pjesë e një ekipi që përdori Seshatin për të eksploruar idenë e Epokës Aksiale. Mbrojtësit e asaj ideje u befasuan. Si fillim shumë karakteristika dalluese të epokës – përfshi normat moralizuese dhe kodi ligjor – u shfaqën në vende shumë larg nga ndikimi i udhëheqësve shpirtërore dhe ndonjëherë shumë kohë përpara mesit të mijëvjeçarit të parë, para Krishtit. Në atë që është sot Turqia, hititët përshtatën një kod moral afro një mijëvjeçar më herët. Për më tepër, tiparet e ndryshme të Epokës Aksiale, nuk u bënë bashkë deri shumë kohë më vonë, sesa kishin menduar shumë studiues – shumë mijëra vite pas daljes fillestare të shoqërive të shkallëve më të gjera e më komplekse. Për një kohë të gjatë pasi Zarathustra foli në Iran, fuqitë e sanksionuara hyjnisht të sunduesit mbeten të pakontrolluara, dhe Konfucianizmi nuk u largua nga Kina deri pas viteve 200, para Krishtit. Duket se këto ideologji moralizuese nuk lidheshin drejtpërdrejt me lindjen e qytetërimeve bashkëpunuese, në shkallë të gjerë.

Pra, ç’është kjo, me Zotat e Mëdhenj? A ishin të domosdoshëm ata që shoqëria të ngjitej më lart? Në studimin e botuar në revistën “Nature”, një ekip i madh ndërdisiplinor studiuesish, përfshi Patrick Savage nga Universiteti Keio, Tokio, François, Turchin dhe unë, e përdorëm Seshatin për të testuar këtë ide. Ne matëm kompleksitetin social duke përdorur 51 shënjues – si masa e popullsisë dhe prania e burokracisë apo parasë – dhe zbuluam se në pothuajse të gjithë rajonet që kishim analizuar, zotat moralizues ishin adoptuar shumë më vonë sesa pritëm.

Në vend që të ndihmonin në adoptimin e bashkëpunimit ndërsa shoqëritë zgjeroheshin, Zotat e Mëdhenj, u shfaqën vetëm pasi shoqëria kishte kaluar një prag në kompleksitet , që i përkonte një popullsie me afro një milion njerëz. Kjo kishte ndodhur fillimisht në Egjipt, ku njerëzit besonin në zbatimin e mbinatyrshëm të rregullit apo Maat-in – i personifikuar nga një perëndeshë – më 2800-ën para Krishtit. Egjipti kishte një popullsi me afro 1.1 milion banorë në atë kohë dhe ishte, nga të gjitha matjet, shoqëria më e sofistikuar në botë. Shpjegimi më i kursyer është se diçka, përtej Zotave të mëdhenj u lejoi shoqërive të rriteshin.

Studimi ynë sugjeron se ishte ndryshimi në natyrën e riteve; nga traumatikë dhe të rrallë në të padhembshëm dhe përsëritës. Kjo u parapriu Zotave të mëdhenj në nëntë nga 12 rajonet që studiuam – me 1100 vjet, mesatarisht – duke sjellë lindjen e religjioneve doktrinore, pararendësit e religjioneve të botës së sotme. Por ka një anë të errët në këtë zhvillim: sakrifica njerëzore.

Një studim i vitit 2016, bazuar në një analizë historike të më shumë se 100 shoqërive në shkallë të vogël, në Austronezi, dolën në përfundimin se sakrifica njerëzore ishte përdorur si një formë e kontrollit të shoqërisë. Elitat – shefat dhe shamanët – bënin sakrificat dhe rangjet më të ulëta paguanin çmimin, kështu ishte ruajtur stabiliteti social, duke i mbajtur masat të terrorizuara dhe të nënshtruara. Seshati përfshin shoqëri shumë më të mëdha dhe analiza jonë tregon se praktika nisi të zbehej, kur popullsitë i tejkalonin njëqindmijë njerëz. Në këtë pikë, kur sunduesit po e shihnin gjithnjë e më të vështirë për të kontrolluar masat, sakrifica njerëzore mund të ishte bërë një forcë destabilizuese, duke siguruar stimujt që njerëzit të revoltoheshin kundër sistemit. Shoqëria nisi të përçahej, duke u bërë e cenueshme për t’u pushtuar.

Duke e mbledhur të gjithë këtë, ja çfarë mendojmë se ka ndodhur. Ndërsa shoqëritë rriteshin me mjetet e novacionit agrikulturor, ritet jo të shpeshtë, traumatikë, që i kishin mbajtur njerëzit bashkë si banda të vogla ushqyese, iu hapën rrugë atyre më të shpeshtë dhe të padhembshëm. Këto religjione të hershme doktrinore, ndihmuan në bashkimin e popullsive më të mëdha, heterogjene, aq sa për të kapërcyer problemin e kalorësve të lirë dhe për të siguruar pajtueshmëri me format e reja të qeverisjes, por duke bërë këtë ata i bënë më të cenueshëm ndaj një problemi të ri: sunduesit të uritur për pushtet. Këta ishin mbretërit-zota, despotë që kryesuan mbi shtetet arkaike. Të pajisur me të drejtën hyjnore për të komanduar popullsi të mëdha, ata e shfrytëzuan për të rritur numrin e milicive dhe të priftërinjve, duke mbështetur pushtetin e tyre përmes praktikave që në ditët e sotme i cilësojmë si mizore, siç janë sakrifica njerëzore dhe skllavëria. Por, shtetet arkaike rrallëherë u rritën përtej 100 mijë banorëve, për shkak se u bënë të paqëndrueshëm brenda dhe për pasojë, më pak të mbrojtur kundër pushtimit.

Shoqëritë që u zgjeruan deri në një milion apo më shumë, ishin ato që gjetën një mënyrë të re për të ndërtuar bashkëpunimin – Zotat e Mëdhenj. Ata i ulën në pozitë sunduesit e tyre me statusin e vdekatarëve, hodhën farën e demokracisë dhe të sundimit të ligjit dhe adoptuan një shpërndarje më egalitare të të drejtave dhe detyrimeve. Me sytë tanë modernë, religjionet e ‘këqij’ i hapën rrugë atyre ‘të mirëve’. Në të vërtetë, religjionet kanë qenë gjithnjë ‘të mirë’ në kuptimin se promovuan bashkëpunim. Ajo çka ndryshoi ishte se shoqëritë nisën vlerësonin drejtësinë sociale mbi nderimin për autoritetin. Me fjalë të tjera, ata ndryshuan idetë e tyre rreth asaj se çfarë caktonte sjelljet ‘e mira’ bashkëpunuese, ndaj atyre që rreshtohen më pranë agjendës sonë moderne.

Sot, shumë shoqëri i kanë transferuar rolet e religjionit, si ndërtimi i komunitetit dhe ai i mbikëqyrjes, tek institucionet laike. Disa nga më të pasurit dhe më paqësorët kanë shumicë ateiste. Por disa nga këto shoqëri po përballen me probleme të rënda, ndërsa përthithin emigrantë dhe kanë vështirësi të përmbajnë tensionet sociale në rritje dhe ksenfobinë.

Koha do ta tregojë nëse janë të aftë të përshtaten për t’u përballur me sfidat e reja të ndikimeve destabilizuese. Por analizat e llojit që ne po bëjmë, munden të paktën të zbulojnë se cilët elementë të religjionit na kanë shtyrë drejt nocionit tonë modern të qytetërimit dhe mund të ishte me vlerë të matej.

*Harvey Whitehouse/ New Scientist. Gazeta si