Ballina Kultura Vizita në Danimarkë e Suedi e Kadaresë, ku kërkohej të botohej “Gjenerali..”

Vizita në Danimarkë e Suedi e Kadaresë, ku kërkohej të botohej “Gjenerali..”

Në vitin 1971 shkrimtari Ismail Kadare bashkë me një delegacion kulturaltë kryesuar nga Mistro Treska, udhëtuan drejt Danimarkës dhe Suedisë, ku ndër të tjera, është kërkuar dhe mundësia e botimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Sipas dosjes 447, gjendur në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 14, referuar botimit “Kadare dhe regjimi komunist” me autor Dashnor Kalocin, e gjithë kjo vizitë është e detajuar në një letër që Mistro Treska ia dërgon Behar Shtyllës në Komitetin Qëndror të Partisë së Punës. Më poshtë po botojmë të plotë letrën:

LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË

Nr. Prot. 8 Sekret Tiranë më 17 / 7/ 1971

KOMITETIT QENDROR TE P. P. SH.

-Sektori i Edukimit-

Shoku Behar,

Po ju dërgoj, bashkëngjitur, raportin mbi punën e delegacionit kultural në Suedi dhe Danimarkë.

Kam pritur gjithë këto ditë që të më thërrisnit për të biseduar edhe gojarisht, por me siguri ju do të keni pasur frikë.

Në qoftë se, pas leximit të raportit, e shihni të nevojshme të takohemi, jam gati të vij kur të dëshironi.

Me përshëndetje revolucionare

Tiranë, më 12. X. 1971 Misto Treska

Shokut Behar Shtylla

  1. Q. të PPSH

Raport mbi punën e delegacionit kultural në Suedi dhe Danimarkë

Delegacioni, i përbërë nga shokët Misto Treska, Ismail Kadare dhe HivziÇipuri, u nis më 16. IX. 1971, për Budapest me qëllim që të merrte avionin në paraditen e datës 17 shtator për në Stokholm, por u detyrua të presë në aeroportin e Budapestit mbi 18 orë për shkak se një ditë më parë një avion hungarez ishte rrëzuar afër Kievit me më shumë se 40 pasagjerë, ndërsa dy javë më parë një tjetër aeroplan i “Malevit” ishte rrëzuar në afërsi të Kopenhagës. Këto ngjarje krijuan në administratën e “Malevit” (sigurisht edhe më lart) një konfuzion shumë të madh. Delegacioni, më në fund, u nis me një avion finlandez të ardhur apostafat (Siç thanë) nga Helsinki, duke na bërë që humbasim afro dy ditë kohë.

Ditën dhe orën kur duhej të arrinte avioni i rregullt, kishin dalë për të na pritur në aeroport njëri nga drejtorët e Institutit Suedez me disa persona të tjerë, Kryetari i shoqatës së miqësisë Suedi-Shqipëri profesori i Akademisë mbretërore të arteve të bukura Ultvedt, anëtarë të tjerë të kryesisë së shoqatës dhe miku u Shqipërisë, shkrimtari Jan Myrdal me të shoqen.

Kur arritëm ne në Stokholm s’kish asnjeri për të na pritur, veçse gjetëm dy mesazhe në zyrën e informacionit, njëri nga Instituti dhe tjetri nga Shoqata e Myrdali, sepse aeroporti i Budapestit s’e kishte njoftuar atë të Stokholmit mbi orën e mbërritjes së avionit finlandez.

Me qenë se data 18 shtator qëlloi e shtunë dhe zyrat nuk punonin, takimin e parë për bisedime e lamë për ditën e hënë, 20 shtator 1971, ora 10-00.

Në bisedimet, merrnin pjesë njëri nga drejtorët e Institutit Suedez, John Ë. Ëallden, dhe shefi i departamentit të këtij Instituti për shkëmbimet në fushën e studimeve, Arne Runske. Ëallden na shpjegoi shkurt organizimin dhe funksionet e Institutit: Ai është krijuar këto dy vjetët e fundit he është organ shtetëror gjysmë autonom i varur nga M. P. të Jashtme të Suedisë.

Merret kryesisht me shkëmbimet kulturore me botën e jashtme mbi baza shtetërore dhe ka buxhetin që e administron vetë. Ka një këshill, i cili përbëhet nga përfaqësues të dikastereve dhe institucioneve që merren me zbatimin e planeve. Roli i këtij këshilli ishte më shumë koordinues.

Passi i bëmë dhe një paraqitje të shkurtër mbi detyrat e Komitetit tonë filluam bisedimet lidhur me marrëdhëniet kulturale.

John Ëalldeni tha se e kishin marrë projektin tonë se e kishin studiuar me vëmendje dhe se për sa u përket kategorive dhe sektorëve të marrëdhënieve kulturale ata ishin dakord, me përjashtim të dy çështjeve:

  1. a)

Në fushën e shkëmbimit të njerëzve nga të dy palët për studime dhe shkëmbim eksperience, pala suedeze propozoi që vëllimi i shkëmbimit të njerëzve (si numër dhe si kohë) të zvogëlohej me qëllimin që gjatë vitit të parë të nxirën konkluzione dhe përvojë për të parë se në cilat drejtime dhe në cilin vëllim do të zhvilloheshin punët në vitet e ardhshme.

Konkretisht, në projektin tonë parashikohej dërgimi në Suedi i 8 vetave për një afat komplesiv prej 15 muajsh dhe pritja në Shqipëri e dy specialistëve suedezë për një afat komplesiv prej 2 muajsh.

Pala suedeze, në projektin që na parashtroi, propozonte që secila palë të dërgonte në vendin e palës tjetër nga katër veta për nga dy javë secili, dmth 4 veta për një afat prej 8 javësh si dhe nga dy veta për nga dhjetë ditë në fushë shkëmbehen gjithsej 12 veta për 16 javë dhe 40 ditë.

Duke parë se pala suedeze nuk kishte mundësi për më shumë dhe se edhe neve na leverdiste të sprovonin terrenin me qëllim që të dimë se si të veprojmë në vitet e ardhshme, ne r pranuam variantin suedez duke kërkuar që të kishim të drejtë që, pa luajtur numrin e javëve-bursë, të dërgonim më pak njerëz por për një afat më të gjatë. Nga ana tjetër ne bëmë që të pranohej neni ynë ku thuhet se të dy palët mund të bëjnë propozime, me rrugë diplomatike, edhe për shkëmbime të tjera të parashikuara në plan. Pala suedezi i pranoi kundërpropozimet tona.

  1. b)

Mbi datat e fillimit dhe mbarimit të planit kultural, projekti ynë parashikonte që plani të qëndronte në fuqi nga 1 Janari 1972 gjer më 31 dhjetor 1972. Pala suedeze propozoi që plani të hynte në fuqi më 1 korrik 1972 dhe të mbaronte më 30 qershor 1973, sepse kështu ishte ndërtuar në Suedi viti buxhetor. Edhe këtë ne pranuam me qenë se nuk ishte ndonjë gjë parimore por një çështje thjesht praktike.

Gjithashtu mbetëm dakord që të dy palët edhe përpara fillimit të hyrjes në fuqi të programit, mund të bënin propozime për ndonjë çështje që përfshihet në program ose jashtë saj. Për sa u përket specialiteteve për të cilat do të dërgojmë ose do të presim njerëz, të dy palët do të merren vesh me rrugë diplomatike përpara datës 31 dhjetor 1971 në mënyrë që në kohën e nënshkrimit të planit çdo gjë të jetë e përcaktuar dhe e specifikuar. Nënshkrimi mund të bëhet me rrugë diplomatike (p.sh. në Beograd) ose mund të vijë një delegacion nga Suedia në Tiranë.

Ditën e fillimit të bisedimeve John Ëalldeni dha një drekë për nder të delegacionit tonë. Gjithashtu dha drekë edhe ditën e fundit të bisedimeve që ish dhe dita e fundit e qëndrimit në Stokholm.

Myrdali ishte interesuar për përkthimin në suedisht të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”dhe kish rregulluar që merrnin kontakt me më të madhen shtëpi botuese të Suedisë “Mornier” e cila di ta botojë romanin në tremujorin e parë të vitit 1972. Kontaktin e morëm me shefin e redaksisë së letërsisë së huaj dhe ishte mjaft i dobishëm për arsye se aty u cek edhe çështja e botimit të veprave të tjera të letërsisë shqipe.

Në këtë takim mori pjesë për 15-20 minuta edhe Mornieri, pronar i shtëpisë botuese në fjalë. Gjithashtu mori pjesë edhe Stolpe, mik i Myrdalit, kritik letrar edhe kryeredaktor i revistës më të madhe letrare të Suedisë “BLM” i cili ishte i interesuar konkretisht për kontaktin me shtëpinë botuese “Mornier”.

Nga ana tjetër, Stolpe ka botuar me një hyrje në revistën e tij një kapitull të tërë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhedo të botonte edhe një artikull tjetër të ilustruar me pjesë të zgjedhura, mbi letërsinë shqipe të përgatitur nga miku i Shqipërisë Quick.Me sa më tha Myrdali, si, Stople dhe një grup i rëndësishëm intelektualësh të njohur në Suedi kanë formuar një lëvizje për kulturë progresiste popullore dhe po përgatiten të nxjerrin së shpejti një revistë të madhe kulturale për masat e gjëra të popullit kundër kulturës dekadente borgjeze që ka përmbytur vendin.

Nga sa pamë edhe vetë dhe nga bisedime e takime të ndryshme që patëm del e qartë nevoja për një luftë të tillë për shkak se në Suedi, si në vendet e tjera veriore, sundon sheshit korrupsioni, alkoolizimi, narkotikët dhe pornografia, veçanërisht në shtresat e rinisë. Në një takim të veçantë që patëm në hotel me Stolpen konstatuam se ai është njeri i thjeshtë dhe me idera progresiste, mik e bashkëluftëtar me Jan Myrdalin.

Ai la të kuptonte se kish dëshirë të madhe të vizitonte Shqipërinë. Meqënëse ka treguar e tregon një veprimtari të gjallë për njohjen e vendit tonë, ne propozojmë që Stolpe të ftohet në Shqipëri në vitin që vjen për shkak se tek ai mund të krijojmë një mik të mirë të vendit tonë, një mik me influencë dhe me emër në Suedi.

Në Stokholm morëm vesh se Sh.VanDun, që ka qenë për një kohë të gjatë në Shqipëri i ngarkuar me punë i R.P. të Kinës, ishte si ambasador në Stokholm. I telefonuam për ta përshëndetur me anë të dezhurnit dhe për t’i bërë një vizitë kortizie.

Ai erdhi qysh atë natë (e shtunë 18.91971) në hotel me gjithë gruan e tij dhe na ftoi për drekë ditën e mërkurë, 22.9.1971, duke na lutur që t’i theshim edhe Myrdalit me që të dielën mbrëma na kish ky për darkë. Darka kaloi shumë mirë me dollira e përshëndetje. Kur ishim duke dalë Van Duni më tha rusisht se Myrdali ishte “një shok i mirë’. Për dijeni Myrdali është kryetar i shoqatës Suedi-Kinë dhe ka botuar vjet një libër të mirë nga vizita e tij e fundit në Kinë me titull “Revolucioni vazhdon”.

Në përcjelljen që na u bë në aeroport më 23.9.1971 veç të tjerëve ishte dhe sekretari i parë i ambasadës kineze. Van Duni nuk erdhi dot (dhe kërkoi ndjesë) për shkak se ato ditë kish ardhur një delegacion i madh kinez.Në Kopenhagë arritëm në mbrëmjen e datës 23.9.1971 dhe u pritëm nga vetë Richard Ëagner Hausen, shef i departamentit për marrëdhënie kulturale pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme; nga një njeri i protokollit të MPJ etj.

Qysh në fillim pritja na u duk shumë e ngrohtë dhe e përzemërt. Hanseni na shoqëroi gjer në Hotel Royal dhe na tha se, si mysafirë të qeverisë daneze, kishim në dispozicion çdo gjë në hotel, si dhe një makinë. Veç kësaj Hanseni na dorëzoi programin e qëndrimit në Danimarkë dhe literaturë mbi Kopenhagën dhe Danimarkën.

Sipas programit, bisedimet për planet kulturore filluan qysh të nesërmen. Nga ana daneze merrnin pjesë 6 veta; Hansen, ndihmësja e tij, një sekretare, dhe nga një drejtor prej MP të Jashtme, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës.

Pala daneze i pranoi të gjitha propozimet e projektit tonë; madje, ajo, nga18 muaj bursë që parashikonte projekti ynë, dha 20 muaj-bursë. Gjithashtu u pranuan dhe kërkesat tona për ardhjen në Shqipëri të disa specialistëve (profesorë, doktorë) për shkëmbim eksperience.

Me qenë se pala jonë, për të dy rastet e kishte të përcaktuar profilin e secilit specialist se dhe kohën e qëndrimit, pala daneze kërkoi që për shkëmbimin e njerëzve të shënohej në nenet përkatëse sasia e muajve bursë të akorduar nga të dy palër pa përcaktuar, qysh tani, profilin dhe kohën e qëndrimit të secilit specialist. Këtë gjë pala daneze e argumentoi me faktin se do t’i duhej një konsultim paraprak me dikastere, institucione, ndërmarrje dhe persona të ndryshëm për të gjetur njerëzit e përshtatshëm.

Ne e pranuam këtë propozim të tyre duke nënvizuar që kërkesat tona konkrete të figuronin në një dokument aneks i cili do të ishte pjesë përbërëse e programit. Kjo u pranua nga danezët dhe në fund të paragrafëve 1 e 4 u përfshi fraza: “Pala daneze mori shënim mbi listën e dezideratave konkrete shqiptare, e cila i aneksohet këtij Protokolli”.

Pala daneze kërkoi që ne të pranonim disa “studentë, kërkues shkencorë ose specialistë danezë në fushat, e shkencave shoqërore (linguistike, arkeologji, folklor, etnofolklor, etnografi, histori, gjuhë shqipe etj) ne e pranuam kërkesënpor me rezervë duke e argumentuar me faktin se edhe neve do të na duhej të konsultoheshim në mënyrë paraprake me instucionet shkencore. Për këtë arsye edhe formulimi i nenit 2 është elastik:

“Pala shqiptare do të studiojë mundësinë të presë ……. etj. Gjithashtu danezët kërkuan që një profesor i gjuhës apo i letërsisë shqipe të vinte në Universitetin e Kopenhagës për të mbajtur disa leksione.

Përveç kësaj, si zakonisht dhe si me të gjitha vendet e tjera plani me Danimarkën (dhe si me Suedinë) parashikon shkëmbime ./. literature e botimesh periodike, filmash, disqesh, shirita magnetofoni etj., në fushën e shkencave teknikës, arsimit, arteve e kulturës.

Programi u përpunua dhe u redaktua në shqip, danisht dhe frëngjisht dhe u bë gati për nënshkrim, por me qenë se ato ditë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare, qeveria kish dhënë dorëheqjen dhe konstitucionalisht nuk kishte një qeveri të re, pra as ministër të jashtëm për të dhënë aprovimin, ramë dakord që , me tu formuar qeveria e re, pala daneze t’i nënshkruajë dokumentet dhe të na i dërgojë përmes ambasadës së saj në Beograd, ose, po të ketë rast, të vijë vetë ambasadori për ti sjellë dhe ndofta edhe për ti nënshkruar.

Bisedimet u zhvilluan edhe u përfunduan në një frymë të mirë korrektese dhe mirëkuptimi. Nga të dy palët u shpreh besimi se ekzistojnë mundësi për ti zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet kulturale në të ardhmen. Pas seancës së parë, për nder të delegacionit tonë u shtrua një drekë në ndërtesën e Ministrisë së jashtme të vendosur në njërin prej pallateve mbretërore të Kopenhagës së bashku me Kryeministrinë.

Këtu merrnin pjesë të gjithë anëtarët e delegacionit danez. Departamenti i marrëdhënieve kulturale, sidomos vetë RichardËagnerHanseni, i cili pasi kish qenë kohët e fundit ambasador në Rumani dhe njihte edhe Sh.Josif Pogaçe, i kish shumë mirë organizuar pritjen edhe programin e qëndrimit tonë në Danimarkë. Kështu ne na u dha rasti që të vizitojmë institucione të ndryshme jo vetëm në Kopenhagë por edhe në shumë qytete të tjera të Danimarkës.

Më datën 24 shtator, delegacioni vizitoi kështjellën e Kremborgut (afër qytetit Elsinor) ku Shekspir ka vendosur vendin e ngjarjeve të “Hamletit”, kolazhin popullor ndërkombëtar të Elsinorit dhe Muzeun e Historisë Kombëtare të Frederiksborgut. Gjatë këtyre vizitave delegacioni ynë u shoqërua nga vetë Richard ËagnerHanseni. Në vizitat e tjera në qytetet Roskilda, Sore, Trelleborg, Odease dhe Aarus u shoqëruam nga zëvendës – shefja Merdis Steen. Në Aarhus veç të tjerave vizituam Univeristetin e qytetit ku u pritëm nga rektori administrativ dhe u shoqëruam nga profesor Svane, sllavist, që ka qenë në Shqipëri në punimet e konferencës së orës albanologjike. Ai ruante shumë simpati për Shqipërinë.

Veç këtyre pritësit na dhanë mundësi të shihnim një pjesë teatrale të LudxigHolbergut (Molierit danez) dhe një program baleti në Theatrin “Mbretëror”. Ata u kujdesën dhe organizuan takime me Sekretaren e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme (na thanë se po të ishte kabineti më këmbë do të na priste Ministri), me Drejtorin e përgjithshëm të Bibliotekës mbretërore, Rektorin e Universiteteve të Kopenhagës, Drejtorin e Institutit të folklorit etj.

Kudo u pritëm me dashuri dhe me fjalë të mira për vendin tonë. Çdo institucion kulturalo-artistik dhe universitar tregoi gatishmëri për bashkëpunim me institucionet përkatëse. Rektori i Universitetit të Kopenhagës, që është një mjek i dëgjuar na siguroi se do të ndihmojë me të gjitha mjetet specialistët tanë që mund të vijnë në Danimarkë për stazh dhe eksperiencë; drejtori i Bibliotekës do të na dërgojë një listë të të gjithë literaturës që ekziston aty mbi Shqipërinë, Drejtori i Institutit të folklorit gjithashtu u tregua i gatshëm dhe i interesuar për shkëmbime etj.

Në këtë institut u takuan edhe me zonjën Brithe Traerup e cila ka qenë vjet në Shqipëri si turiste dhe mori kontakt me Institutin tonë të folklorit. Ajo jep leksione edhe muzikën folklorike shqiptare në Universitetin e Kopenhagës dhe ka bërë një studim mbi këngët kreshnike të Kosovës, ku ka qenë disa herë . Një kopje të këtij studimi na e dha dhe neve për t’ia dorëzuar Institutit të folklorit tonë.

Na u tha në ambientet universitare se në Universitetin e Kopenhagës jepet edhe shqipja, por nuk morëm dot kontakt për arsye se profesori përkatës kishte shkuar në Itali. Madje dhe profesori shqiptar që kërkojnë danezët për dy javë do të jetë shumë për të bërë disa leksione për të ndihmuar katedrën e gjuhës shqipe.

Biseduam me Richard Ëagner Hansenin lidhur me mundësitë e shfrytëzimit të arkivave daneze për sa u përket dokumenteve mbi Shqipërinë. Ai mori përsipër që të hetojë dhe në rast se ka të tilla, do të na lajmërojë. Gjatë bisedimeve, e sollëm fjalën rreth romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Hanseni na u lut që t’i jepnim një kopje frëngjisht (dhe ja dhamë) sepse do të interesohej që ky roman të përkthehej edhe në gjuhën daneze. Këtë detyrë Hanseni ja ngarkoi përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës.

Një ditë para se të largoheshim nga Kopenhaga u bë mbledhja e fundit për shqyrtimin përfundimtar të dokumenteve të programit të shkëmbimeve kulturore. Me këtë rast Hanseni shtroi një drekë ku merrnin pjesë edhe disa nga anëtarët kryesorë të delegacionit danez. Pas kësaj, ai, për ta mbyllur dëshirën e tij të hospitalitetit të ngrohtë, na u lut që të shkonim në shtëpinë e tij për të pirë “një gotë lamtumire”. Ne e pranuam dhe e falënderuam.

Hanseni na u lut që të rrinim edhe disa ditë të donim dhe shkonim ku kishim dëshirë. Ai ishte gati të na vinte në dispozicion gjithçka. Gjithashtu ai tha se nuk kishte pasur kurrë të bënte me një delegacion aq korrekt, serioz dhe të këndshëm. Ne e falënderuam për mikpritjen dhe i thamë se angazhime të tjera, na detyronin të mos i përgjigjeshim pozitivisht kësaj ftese kaq xhentile.

Më 1 tetor, Hanseni doli vetë e na përcolli gjer në aeroport ku u kujdes shumë, me anë të njerëzve që kish ngarkuar, për të lehtësuar e shpejtuar kalimin tonë. Përveç punës zyrtare dhe vizitave në bazë të programit, ne patëm kontakte edhe me udhëheqjen e shoqatës së miqësisë Danimarkë-Shqipëri. Në një bisedë, ku merrnin pjesë një grup i anëtarëve dhe i kryesisë së shoqatës, na u bënë mjaft pyetje lidhur me revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë e të jetës së vendit, mbi programin e shkëmbimeve kulturale me Danimarkën, mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë, mbi qëndrimet e tanishme të Titos ndaj Kosovarëve, mbi organizimin e gjykatave popullore, shëndetësinë, kontrollit punëtor, arsimit etj. Nga përgjigjet që u dhanë, shprehën kënaqësinë e tyre se u sqaruan për shumë gjëra që nuk kishin të qarta.

Kryesia e shoqatës na dorëzoi disa materiale të shaptillografuara mbi përshtypjet që kanë pasur turistët nga vizita e tyre e sivjetme në Shqipëri. Për dijeni, disa grupe turisësh kanë qënë rekomanduar nga shoqata dhe ne me këta, përveç programit të zakonshëm të zbatuar nga “Albturisti”, në marrëveshje dhe koordinim me këtë të fundit, kemi organizuar vizita, kontakte dhe biseda mbi tema të ndryshme. Qysh tani mund të themi se kjo formë punë jep rezultate mjaft të mira lidhur me njohjen e Shqipërisë në mënyrë më të konkretizuar dhe më të thellë.

Patëm përshtypjen – themi vetëm përshtypjen – përbërja e shoqatës në Danimarkë, ideologjikisht dhe politikisht qëndron mirë sepse aty bëjnë pjesë njerëz nga lëvizja marksiste-leniniste, por ata as janë të njohur dhe as kanë ndonjë ndikim të madh në opinionin publik, ashtu siç është rasti i shoqatës së Suedisë ku janë personalitete të jetës kulturore si Kryetari Ultvedt (piktor e profesor në Akademinë mbretërore të arteve të bukura) zonja Myrdal etj.

Na mbetet pra detyrë që të punohet në këtë drejtim edhe shoqatën e Danimarkës ku mund të futen njerëz progresistë që janë ose do të bëhen miq të Shqipërisë dhe që kanë një farë emri në opinionin publik.

Më në fund, sa për dijeni, u informuam se Radio – Tirana dëgjohet mjaft mirë dhe ndiqet me interes emisioni në gjuhën anglisht si në Suedi ashtu edhe në Danimarkë. Shokët marksistë-leninistë dhe shokët e shoqatave na u lutën të shihet mundësia e transmetimit të ndonjë programi në njërën prej gjuhëve skandinave sepse kjo do t’u shërbente shumë edhe atyre në punën revolucionare por do të krijoheshin mundësitë që një masë e madhe punonjësish të këtyre vendeve të mësonin drejt për drejt të vërtetën mbi Shqipërinë.Nga ana tjetër, na u lutën shumë, si Myrdali shokët e shoqatave dhe shokë tjerë që tu dërgohen në frëngjisht e sidomos në anglisht kopje të Buletinit të ATSH.

Veç kësaj shokët e shoqatës së Suedisë na u lutën që t’u dërgojmë libra e botime shqip për shkak se ka shumë shqiptarë nga Kosova që ja kërkojnë këto shoqatës. Shoqata mund ti shpërndante këto vetë ose mund t’ja linte në dispozicion bibliotekave të qyteteve ku ka më shumë grumbullime kosovarësh.

Të gjitha këto çështje do ti bisedojmë e studiojmë me institucionet përkatëse.

Si përfundim mund të themi se vajtja e delegacionit në këto vende pati rezultate pozitive të cilat do të na hapin shtigje për të zgjeruar e forcuar punën tonë në drejtim të njohjes akoma më shumë të vendit tonë në këto vende dhe të përfitimit nga eksperienca e tyre në fusha të ndryshme.

Kryetari i Delegacionit

(Misto Treska)

Gazeta Shqip

LAJMET MË TË REJA
Loading...