Ballina Aktualitet Lajme UDHËKRYQ: Burri im ka një të dashur…Çka t’i bëj?

UDHËKRYQ: Burri im ka një të dashur…Çka t’i bëj?

– Përshëndetje redaksia! Jam një lexuese e rregullt e gazetës tuaj. Arsyeja pse ju shkruaj është se kam një problem familjar. Jam një grua e martuar prej 15 vjetësh dhe kam dy fëmijë; një djalë dhe një vajzë, 13 dhe 10 vjeç. Para tre muajsh, lexova disa mesazhe në celularin e burrit tim dhe kuptova që ai ka një të dashur. Ajo i telefonon mbi 10 herë në ditë. Nuk di si të veproj… Atij i thashë që e di që ka të dashur, por ai e mohon. Ju lutem, më jepni një zgjidhje si të veproj se jam shumë e mërzitur. Mesazhet nuk janë më në celularin e tij, i ka fshirë të gjitha. Ela nga D.

Redaksia: – E dashur Ela, të jesh e sigurtë se e kuptoj shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhesh. Fatkeqësisht, në ditët e sotme, një situatë si tënden, të ngjashme me të apo edhe më të rëndë, po e përjeton thuajse gjithkush në jetën e tij familjare. Ideja jonë për të patur një familje të shëndoshë, me një bashkëshort/e besnik/e, që i përkushtohet tërësisht partnerit/es të tij/saj, thuajse është zhdukur… Është për të ardhur keq, por gjithmonë e më shumë po shtohen rastet e divorceve, që kanë në bazë të tyre arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha, tradhtinë.

Po t’ju isha përgjigjur para ca kohësh, do të kisha qenë drastike në këshillën që do t’ju jepja, pasi gjithmonë kam menduar se nuk duhet të ketë lëshime në lidhje me besnikërinë bashkëshortore… Besoj se edhe ti kështu ke menduar; se partnerët, në martesë nuk duhet të tradhtojnë kurrë. Kjo është idealja, por për fat të keq, gjithmonë e më shumë po bindem se idealja nuk ekziston. Atëhere, çfarë duhet bërë në këtë rast? Të pranosh se bashkëshorti mund të ketë edhe një partnere tjetër dhe të vazhdosh jetën “normalisht”?

Të nisësh luftën me të që të ndahet nga kjo grua tjetër, apo t’i japësh fund martesës? Që të treja janë zgjidhje të pranueshme, po aq sa edhe janë vendime të vështira për t’u marrë. Për më tepër, në raporte në ndryshme, njeriu mund të marrë vendime të ndryshme, për të njëjtën situatë. Për të qenë më e qartë, po të them se, në rend të parë, për ty, mendoj se duhet të jetë mënyra se si sillet bashkëshorti me ju. A është ai njerëzor dhe i përgjegjshëm për familjen e tij? A i plotëson ai detyrat familjare? Nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve është pozitive dhe nëse ky burrë është një prind i mirë për fëmijët e tij, mendoj se nuk duhet ta mendosh mundësinë e ndarjes me të, por, me një kusht; që ai të ndahet nga e dashura që ka.

Unë nuk jam dakord që të shkatërroni familjen për një femër që futet në mes, pasi me sa duket, nuk paska në këtë botë burrë që nuk tradhton; por nga ana tjetër, nuk do të isha dakord as që të vazhdosh të jetosh me të, duke e ditur që ai ka edhe një femër tjetër. Nëse ai është i aftë ta lërë pas të kaluarën me këtë femër dhe të kthehet tërësisht nga familja e tij, atëhere, lëre pas edhe ti këtë të kaluar dhe rindërtoje jetën sikur kjo krizë të mos kishte ndodhur… ama, nëse ai nuk heq dorë prej kësaj femre dhe, më keq akoma, nis të sillet keq me ty e me fëmijët, ai nuk meriton të ketë familje. Është e vërtetë se familja është e shenjtë, por për aq kohë sa pjesëtarët e saj, e sidomos kryefamiljari e konsideron si të tillë.

Nëse raportet përmbysen, nuk ke pse të jetosh në një ferr, vetëm për të ruajtur një familje të “rreme”. Në rastin e fundit, unë do të të këshilloja të kërkoje ndihmën e njerëzve të tu më të afërm. Të jetë një i tretë, nga ana jote, që të flasë me të dhe ta ndërgjegjësojë se çfarë pasojash ka për jetën e për familjen e tij një sjellje e tillë. Nëse ai, as kështu, nuk heq dorë nga e dashura që ka, do të thotë se ai ka zgjedhur atë dhe ti, duhet të zgjedhësh të bësh jetën tënde, me fëmijët e tu. Nëse ndodh të ketë ndryshime në situatën tënde familjare dhe ti ke nevojë për këshillë tjetër, të lutem, mos hezito të na shkruash. Me respekt, redaksia./Nga gazeta Intervista

@tn.lajmelokale
@tetovanews