Ballina Lajme Tetovë, aksion gueril i mëngjesit nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” (FOTO)

Tetovë, aksion gueril i mëngjesit nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” (FOTO)

Aktivistët e Iniciativës Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” sot në mëngjes me një aksion gueril, kanë shprehur sërish pakënaqësinë e tyre për gjendjen e keqe në të cilën është qendra turistike Kodra e Diellit, njofton Portalb.mk.

Nga ora 7 e 20 e mëngjesit ata kanë bllokuar rrugën për në Kodrën e Diellit, konkretisht autobusin që mbart punëtorët e kompanisë “Elem Turs”, e cila menaxhon me Kodrën e Diellit.

Duke mbajtur pankarta në duar në të cilat kërkohet që kompania në fjalë mos të menaxhojë më me këtë qendër turistike sepse e ka lënë në gjendje të mjerueshme, ata qëndruan aty deri në ora 8.

Lëvizja “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” është duke protestuar javë me radhë sepse Kodra e Diellit përballet me probleme të shumta: mungesë investimesh, mungesë e teleferikut me gjashtë ulëse, mungesë e vendeve për parkim, infrastrukturë e parregulluar si dhe grumbullim i mbeturinave.

Ata i venduan ultimatum kryeministrit Zoran Zaev dhe e ftuan të vizitojë nga afër këtë qendër skijimi që të njoftohet me problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet ajo.

Nga ana tjetër, më 29.01.19 në Komunën e Tetovës, nga Shoqata për Planifikim, Ndërtim, Tregti dhe Shërbime “PRO-ENGINEERING”, u prezentua plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit, ndërkaq nga Inciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thonë që Komuna e Tetovës ka vendosur të miratojë plan që nuk do mund të realizohet asnjëherë, njofton Portalb.mk.

Ndërkaq, nga Qeveria thanë se për momentin kompania për turizëm, hoteleri, rekreacion dhe sport, ELEM TURS po përgatit një analizë të detajuar për gjendjen aktuale të Kodrës së Diellit dhe se vendimi se çka do të ndodhë më tej me këtë qendër skijimi do të merret pas përfundimit të kësaj analize.

Loading...