Ballina Lajme Stoltenberg mirëpret Maqedoninë e Veriut në NATO, nënshkruhet protokolli i anëtarësimit (VIDEO)

Stoltenberg mirëpret Maqedoninë e Veriut në NATO, nënshkruhet protokolli i anëtarësimit (VIDEO)

Aleatët e NATO-s kanë nënshkruar në Bruksel, protokollin që i hap rrugën Maqedonisë për t’u anëtarësuar në aleancën veri-atlantike.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov e ka nënshkruar marrëveshjen së bashku me përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare, gjatë një ceremonie të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

“E sotmja është ditë historike. Të gjithë aleatët e NATO-s kanë nënshkruar Protokollin e Anëtarësimit të Maqedonisë, që do të garantojë më shumë siguri dhe prosperitet për gjithë rajonin. E pres me kënaqësi ditën kur 30 flamuj do të valëviten jashtë selisë së NATO-s”, ka thënë Stoltenberg pas ceremonisë, në një postim në Twitter.

Anëtarësimi i plotë në NATO do të ndodhë pas ratifikimit të dokumentit për anëtarësim nga të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s. Në fazën e tanishme, Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha formatet kyçe të Këshillit Euroatlantik, gjegjësisht do të jetë pjesë e sistemit dhe procedurave të NATO-s dhe do të marrë pjesë në trupat e Aleancës, por pa të drejtën e votës.

“Maqedonia së shpejti do të jetë Maqedonia e Veriut, kjo është çështje ditësh. Kemi dëshmuar se mundemi të zgjidhim problemet me të cilat përballemi. Ishte një rrugë e gjatë. Përmbushëm atë për të cilën ishin angazhuar anëtarët e parë të Parlamentit tonë. Ky akt sot është rezultat i punës dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave dhe përgjegjësi e gjeneratës sonë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Në Qeverinë e Maqedonisë nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO është vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Ky akt dhe anëtarësimi i plotë që pason, sipas Qeverisë, realizon synimin kryesor të qytetarëve të Maqedonisë, për të qenë pjesë e familjes euroatlantike në të cilën garantohet siguri, prosperitet dhe zhvillim ekonomik.

Lidhur me nënshkrimin e protokollit ka reaguar përmes një postimi në Facebook edhe ish-kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, duke kritikuar sërish Marrëveshjen me Greqinë.

“Vendosja e një qeverie marionete në Maqedoni ka rrënuar konceptin për ndjeshmëri, një marrëveshje të drejtë dhe kompromis të arsyeshëm. Maqedonia në kontestin me emri ka hequr dorë nga gjitha kërkesat. Greqia ka fituar gjithçka. Pas kësaj situate, nevojitet një paradigmë e re për emrin dhe identitetin. Kjo paradigmë do të jetë baza mbi të cilën, pas largimit të qeverisë së kukullave, qeveria e re dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të duhet të bëjnë një doktrinë të re”, ka shkruar në reagimin në Facebook, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

Marrëveshja për emrin me Greqi ka qenë vendimtare për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, ndërsa Shkupi pret që në qershor të nisë edhe bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Loading...