Ballina Lajme Rreth 200 mijë qytetarëve do t’u falen borxhet e energjisë elektrike

Rreth 200 mijë qytetarëve do t’u falen borxhet e energjisë elektrike

Një propozim i Qeverisë për shlyerjen e borxhit të energjisë elektrike për më shumë se 200 mijë qytetarë në një vlerë prej mbi 110 milionë euro, ka nxitur reagime të ndryshme në opinion për atë nëse me këtë Qeveria synon të ndihmojë familjet në nevojë, apo të përfitojë politikisht në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Reagime ka edhe në mesin e qytetarëve, disa e kanë mirëpritur nismën, në veçanti ata që kanë fatura të papaguara, shkruan REL.

“Nuk kishim mundësi të shlyejmë detyrimet, unë jam pa punë sikur edhe bashkëshortja, kemi edhe fëmijë që shkojnë në shkollë. Jemi të paraqitur si rast social dhe marrim një asistencë prej 2 mijë denarësh (35 euro). Çfarë të bëjmë me këto para, nuk arrijmë as gjërat më elementare të sigurojmë e lëre më të paguajnë energjinë elektrike, apo detyrimet tjera”, thotë Mustafa Kurtishi, banor i lagjes Shuto Orizare në Shkup.

Por, falja e borxheve kritikohet nga ata banorë që paguajnë rregullisht faturat. Ata janë që të ndihmohen rastet sociale, por jo edhe ata që kanë abuzuar shlyerjen e detyrimeve.

“Disave u shlyejnë borxhet, pro kjo shkon në kurriz të tjerëve. Nëse ka raste sociale duhet gjetur mënyra tjera për t’i ndihmuar dhe jo duke ua hequr borxhet”, thotë Marjan Svetkovski, një tjetër banor.

Vendimi ende është në fazën e diskutimeve, por nëse miratohet do të përfshijë familjet që kanë borxhe ndaj shtetit deri në vitin 2006. Nga Qeveria thonë se bëhet fjalë për një borxh të papaguar që më shumë ka sjellë probleme sesa që mund të shlyhet nga ana e qytetarëve për shkak të shumë rrethanave, e në veçanti gjendjes së rëndë ekonomike të shumë prej këtyre familjeve.

“Kanë kaluar shumë vite dhe këto borxhe nuk janë shlyer ndërkohë që u janë shkaktuar shumë probleme qytetarëve në Maqedoni, e as që mund të paguhen ndonjëherë, por vetëm se shkaktojnë probleme plotësuese në procedurat gjyqësore. Nuk bëhet fjalë për para që do të ndahen nga Qeveria, përkundrazi po bisedojmë me kompanitë që këto borxhe të shlyhen nga regjistrat e tyre”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Lajmi fillimisht ishte bërë i ditur nga kryeministri, Zoran Zaev, por kompania energjetike EVN ka thënë se çështja nuk është aq e thjeshtë pasi duhet shumë punë për definimin e regjistrimit me borxhlinjtë sikur edhe shqyrtimin e rasteve për të cilat po udhëhiqen procedura gjyqësore.

Nga opozita kanë kritikuar synimin e Qeverisë duke e quajtur diskriminues, por edhe për fitimin e pikësve politike.

“Së pari, ky është një diskriminim i pastër dhe në dëm të qytetarëve që paguajnë rregullisht faturat për energji elektrike, dhe disa prej tyre madje kanë paguar gjoba për 2-3 fatura të papaguara duke i shkyqur nga sistemi. Tani pikërisht taksapaguesit e rregullt do të duhet që përmes buxhetit t’i paguajnë edhe faturat e atyre që me vite nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre”.

“Së dyti, kjo paraqet keqpërdorim dhe korrupsion pasi LSDM-ja dhe Zaevi tentojnë që përmes mjeteve buxhetore të përfitojnë në zgjedhjet presidenciale”, thuhet në reagimin në rrjetet sociale të Vllatko Gjorçevit nga VMRO DPPMN-ja i cili është edhe një nga tetë kandidatët e kësaj partie për president shteti.

Vendimi i Qeverisë, nëse miratohet, nuk është i fundit sa i përket faturave. Qeveria më parë ka falur borxhet për taksën radiodifuzive, borxhet e kamatave bankare për rreth 100 mijë qytetarë ndërsa shumë familje që marrin ndihma sociale kanë përfituar edhe ulje të çmimeve për të gjitha shërbimet e ndryshme që marrin nga shteti.

Loading...