Ballina Bota Analiza Rrënjët ballkanase: Partia qeverisëse e Turqisë luan kartën e politikës së identitetit

Rrënjët ballkanase: Partia qeverisëse e Turqisë luan kartën e politikës së identitetit

Nën udhëheqjen e Erdoganit, politikanët turq dhe njerëzit që i kanë rrënjët e tyre nga Ballkani po kritikohen ashpër në mes të rritjes së politikës së identitetit.

Nga Hamdi Fırat Buyuk

Melih Gokcek, një ish-kryetar bashkie i Ankarasë, besonte se kishte një arsye bindëse pse kandidati i opozitës në garë për kryeqytetin turk, ishte i papërshtatshëm për atë post.

“Ai është një Makadon!” tha ai për një program televiziv në fund të janarit, duke përdorur zhargonin në turqisht për maqedonas. Implikimi ishte se kandidati, Mansur Yavas, nuk ishte as nga Ankaraja. “Ai duhet të tërhiqet! ” thirri Gokcek.

Yavas ka paraqitur të dhëna familjare nga shekulli i 19-të për të hedhur poshtë pretendimin, por e vërteta është se fakti që kjo çështje ishte ngritur flet për fuqizimin e politikës së identitetit në Turqinë e Rexhep Tajip Erdoganit dhe si origjinat e Ballkanit të shumë turqve janë shndërruar në objekte sulmesh politike.

“Kjo është një ndarje e re në Turqi,” tha Atakan Sevgi, një studiues mbi historinë dhe politikën e Ballkanit. “Politikanët e majtë, të djathtë, konservatorë, kurdë dhe turq të të gjitha kampeve politike po sulmojnë popujt e Ballkanit, të cilët konsiderohen si më laikë, më mendjehapur, më të arsimuar dhe më modernë.”

“Ballkani, Trakja, të jesh nga Ballkani apo të jesh një emigrant ballkanik janë themelet e kësaj politike të re të identitetit në Turqi,” tha ai.

Politikanët po përpiqen të krijojnë një “Tjetër” dhe “kjo taktikë është e rrezikshme dhe shkakton fragmentim të mëtejshëm”, paralajmëroi Sevgi.

Mbështetës të republikës laike

Edhe pse kushtetuta turke nuk lejon që prejardhja etnike të regjistrohet në censusin e vendit, ekspertët vlerësojnë se të paktën 20-25 për qind e 82 milionë banorëve të Turqisë i kanë rrënjët e tyre në Ballkan.

Ndryshe nga zemra e Anadollit, ku Erdogani dhe Partia e tij Drejtësi dhe Zhvillim me rrënjë islamike, AKP, kanë mbështetjen e shumë turqve fetarë, ata që i kanë rrënjët e tyre nga Ballkani përgjithësisht mbështesin fundin republikan të politikës turke dhe traditat më laike që lidhen me themeluesin e republikës moderne turke, Mustafa Kemal Ataturk, i cili edhe vetë ishte me origjinë nga Maqedonia.

Kjo i ka bërë ata objektiva të aleatëve të Erdoganit.

“Çfarë do të ndodhte nëse Yavas do të ishte nga Maqedonia?”, pyeti Abdulkadir Selvi, një gazetar për të përditshmen Hurriyet, i njohur si mbështetës i qeverisë. “Në mes të hapave të Anadollit, Ankaraja u bë gjithashtu kryeqyteti i Republikës së Turqisë nga një maqedonas. Maqedonia më e madhe…”

Me rrënjët familjare në dëbimet dhe lëvizjet masive të popullsisë që shoqëruan rrëzimin e Perandorisë Osmane dhe strehimin që gjetën në Turqinë e Ataturkut, “Ataturku, kundërlaicizmi dhe republika u bënë motivet kryesore në proceset e vendimmarrjes politike të popullit ballkanik të Turqisë,” tha Gozde Kilic-Yasin, një analist politik nga Ankaraja për çështjet Turqi-Ankara.

“Dhe këta njerëz në përgjithësi mbështesin partitë politike që mbrojnë këto parime.”

“Ata emigrantë që humbën çdo gjë në vendet e tyre ballkanike u bënë arkitektë të Luftës Turke për Pavarësi dhe të krijimit të Turqisë moderne, pasi ata besojnë se nuk mund ta humbasin në asnjë mënyrë një vend tjetër.”

“Humbës”, kështu i përshkroi ligjvënësja e AKP Meliha Akyol ata vitin e kaluar gjatë fushatës së saj për në parlament.

“Njerëzit nga Trakja Perëndimore, Ballkani dhe vende të tjera të panjohura … Ata humbës që nuk dinë të shprehen,” tha Akyol më 19 qershor në qytetin e Yalovës, një zonë të Turqisë veriperëndimore ku shumë turq kanë origjinë ballkanase.

Vërejtja shkaktoi zemërim, sepse u pa si një fyerje ndaj Muharrem Ince dhe Meral Aksener, sfiduesit kryesorë presidencialë të Erdoganit në zgjedhjet e atij muaji.

Familjet e Aksenerit dhe Inces emigruan nga Maqedonia dhe Greqia veriore në Turqinë veriperëndimore, përkatësisht në Kocaeli dhe Yalova.

Politika e identitetit “e thjeshtë për t’u vënë në punë”

Deklarata “maqedonase” e Gokcek u pa si pjesë e të njëjtës sjellje dhe u prit me zemërim nga politikanët e opozitës, shoqëria civile dhe ata me rrënjë Ballkanike.

“Gokcek duhet të më tregojë cili është kuptimi i të qenit maqedonas dhe në këmbim unë do të shpjegoj ndryshimet mes të qenit një hajduti dhe një maqedonas,” tha në Twitter Lutfu Turkkan, një ligjvënës turk i lindur në Shkup nga partia e vogël opozitare Partia e Mirë, duke i shtuar spekulimit që rrethon largimin nga zyra të Gokcek.

Sevgi tha se, me përjashtim të viteve të hershme pas Luftës së Parë Botërore, kishte shumë pak rivalitet kulturor ose politik mes turqve nga Ballkani dhe atyre nga Anadolli.

Po, ai tha, “me fillimin e politikave të identitetit në Turqi në vitet 1990, atdheu, kultura dhe lidhjet familjare të njerëzve u bënë shumë të rëndësishme. Sot, gjysma e kabinetit mund të jetë nga një qytet i vogël i Anadollisë ose kryebashkiakët e Stambollit mund të jenë nga një rajon i Anadollisë.

“Politika e identitetit është shumë e thjeshtë për t’u zbatuar, por gjithashtu e rrezikshme,” tha Sevgi. “Politikanët e dinë se mund të fitojnë vota me politikat e tyre populiste.”

Kilic-Yasin gjithashtu paralajmëroi rreziqet:

“Përdorimi i emigrantëve të Ballkanit në politikën e përditshme për fitim të më shumë votave dhe shkaktim të përçarjes më të madhe është e tepruar dhe keqdashëse,” tha ajo për BIRN. “Askush nuk mund të përfitojë prej saj”.

VIDEO bonus:
Loading...