Ballina Histori personale RRËFIME MËKATESH: E dashura nuk e dinte që isha homoseksual

RRËFIME MËKATESH: E dashura nuk e dinte që isha homoseksual

Historia ime filloi në një festë që bëmë me shoqërinë time. Dua ta rrëfej sepse nuk më vjen turp për atë çfarë ndjej apo çfarë kam bërë. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që lëndova një person shumë të dashur për mua. Kisha kohë tashmë që e njihja Megin dhe e kisha vënë re që ajo vazhdimisht, më shikonte dhe flirtonte me mua në njëfarë mënyre. Megi ishte dy vjet më e vogël se unë, por studionim në një fakultet dhe kishim shoqëri të përbashkët. Megi kishte një shok të ngushtë me të cilin shoqërohej gjithnjë dhe në fillim më dukej se e kishte të dashur, por më pas e kuptova se ai nuk ishte gjë tjetër veçse një shok për të.

Duhet ta pranoj që Megi ishte shumë simpatike e lozonjare, por edhe shokun e kishte shumë tërheqës. Më kishin thënë që Megi më pëlqente dhe sebep për të na prezantuar u bë një shoqja jonë e përbashkët. U njohëm dhe filluam shoqërinë tonë. Dilnim shpesh të tre; unë, Megi e Klevisi për kafe dhe argëtoheshim shumë, por me thënë të drejtën, mua më shumë më shkonte muhabeti me Klevisin. Kishim të njëjtat shije në të veshur, në sport, në gjithçka tjetër, bile shpesh herë e ftoja Klevisin për kafe, ndërsa Megin, jo. Me këmbënguljen e lezetshme të Megit dhe njëfarë shtytjeje nga ana e shoqes time që më kishte prezantuar me të, ne u lidhëm.

Megi ishte shumë e dashur, por e kisha të vështirë të ndjeja për të. Sa herë që putheshim, bëja sikur më pëlqente, por në fakt nuk ndjeja asgjë. Kisha kohë që e kisha kuptuar që nuk më tërhiqnin shumë femrat, sado që nuk e pranoja me veten dhe më duhet ta them tani që kisha njëfarë simpatie për Klevisin. Ndoshta do më shani teksa lexoni historinë time, por mua më tërheqin meshkujt. Ishte e çuditshme, por Klevisi kishte filluar të më bëhej i domosdoshëm, saqë nuk rrija dot pa e shikuar dhe pa e takuar. Një ditë Megi e mori vesh që unë dilja shpesh me Klevisin e nuk e thërrisja atë dhe i ngeli hatri e më kërkoi takim të veçantë.

– Dua të di nga ti se pse del më shpesh me Klevisin sesa me mua?

– Po kot, moj Megi, jemi çuna të dy dhe na shkon muhabeti, s’besoj se ka ndonjë gjë të keqe. Mendoj se duhet të bëhesh keq nëse dal me ndonjë shoqen tënde dhe jo me shok.

Aty Megi u qetësua dhe më puthi lehtë në faqe, duke më kërkuar falje. Nuk mund t’ia thoja dot që Klevisi kishte filluar të më pëlqente më shumë sesa Megi dhe e ndjeja shumë. Çdo ditë që kalonte, bëhesha më keq, sepse nuk dija si t’ia shprehja Klevisit atë që ndjeja për të. Pastaj më duhej të sigurohesha nëse edhe ai ndjente të njëjtën tërheqje. Diçka kisha kuptuar, por duhej të sigurohesha. Më kishte qëlluar disa herë ta provokoja dhe ai nuk më keqkuptonte aspak, përkundrazi, pohonte çdo gjë. Një herë i thashë: “Sa i bukur je bërë!”. Ai m’u përgjigj me një “faleminderit”, me buzëqeshje dhe me shprehjen e një personi të kënaqur nga ky lloj komplimenti. Në një rast tjetër, e putha në faqe dhe nuk reagoi negativisht.

Pra, të gjitha shenjat që jepte Klevisi, ishin ashtu siç doja unë, vetëm se dukej që atij i vinte turp ta pranonte këtë gjë ose nuk kishte eksperienca. Klevisin e dashuroja dhe kaq, bile e ndjeja shumë kur e shikoja dhe doja patjetër të bëja dashuri me të, aq shumë më tërhiqte. Atëhere vendosa të shfrytëzoja lidhjen me Megin për t’u afruar me Klevisin. Më vinte keq për Megin, por ajo çfarë ndjeja për Klevisin ishte shumë e madhe dhe do vinte dita që do t’i tregoja të vërtetën.

Njëherë për njëherë doja patjetër të rrija me Megin që të isha afër me Klevisin. Ditët po kalonin dhe çdo ditë e më shumë po ndihesha keq nga dashuria që kisha për Klevisin, ndërsa Megin e shikoja çdo ditë e më të trishtuar dhe më vinte keq për të. Megi arriti deri aty sa më kërkoi vetë e para që të bënim dashuri dhe refuzimi im e bëri të ndihej shumë keq. E kuptoj në njëfarë mënyre; nuk është e lehtë që një mashkull të refuzojë të bëjë dashuri, aq më tepër me një femër shumë seksi si Megi. E gënjeva Megin duke i thënë që duhet të siguroheshim për lidhjen e pastaj të hidhnim një hap të tillë, por kjo e bëri të ndihej akoma më keq. Mendja më rrinte vetëm te Klevisi…

Festa për të cilën ju fola në fillim ishte ditëlindja e shoqes që na kishte prezantuar me Megin. Ajo e bëri ditëlindjen në shtëpinë e saj, me miqtë më të ngushtë. Kishte një shtëpi private dhe të bukur, kështu që nuk e kishte të vështirë të organizonte festën në shtëpi. Ftoi shumë persona, mes tyre edhe Klevisin. Festa kishte filluar dhe unë mezi po prisja të shikoja Klevisin; nuk po më zinte vendi vend derisa e pashë. Ishte veshur shumë bukur, sepse ishte shumë trendy. Ashtu, me shikime, e ndjeva që po më kërkonte mua me sy. U afrua dhe më përqafoi ashtu siç përshëndeten shokët dhe më bëri komplimente për këmishën që kisha blerë, ndërsa mua më tërhoqi shumë parfumi që kishte hedhur ai. Megi rrinte si mënjanë dhe na vëzhgonte gjithë kohën. Si duket, ajo kishte kuptuar diçka, pasi në një moment u afrua dhe na u drejtua:

– Sa e lumtur jam kur shoh të dashurin tim me shokun tim më të ngushtë që shkojnë kaq mirë, dukeni tamam si çift!

Pas këtyre fjalëve, u largua duke kërcyer me një grup çunash. Ne nuk reaguam fare, përkundrazi, vazhduam bisedën tonë ta zakonshme, pa u shqetësuar aspak. Megin e shihja herë pas here që na shikonte vjedhurazi. Ajo kërcente si e tërbuar vetëm e vetëm që të më bënte mua xheloz. Pastaj u afrua sërish dhe më ftoi që të kërceja me të, por unë e refuzova. Ndërkohë, iu afrua Klevisit dhe ai pranoi me kënaqësi. Në ato momente, nuk u ndjeva mirë. Muzika në sfond ishte shumë e gjallë dhe kërcimi i Megit me Klevisin, po ma hiqte trurin. Megi kapej fort pas trupit të Klevisit dhe përdridhej duke iu fërkuar pas shalëve. Edhe Klevisi po ashtu sillej me të dhe mua m’u krijua përshtypja se ata po e bënin kastile për të më bërë mua të ndihesha keq. Për Megin të paktën isha i sigurtë, por po më habiste Klevisi dhe sjellja e tij. U shkova afër dhe i pëshpërita Klevisit në vesh:

– Nuk po më pëlqen aspak sjellja jote.

Kjo gjë e tërboi aq shumë Megin, saqë më tërhoqi pas krahut dhe më nxori jashtë në oborr.

– A mund ta di se çfarë ke ti me Klevisin se, si shumë po më habit sjellja jote?

– E pse duhet të kem ndonjë gjë me Klevisin? Ai është djalë shumë i mirë, vetëm i thashë që të mos kërcente ashtu me ty.

– Pse, çfarë të duhet ty se çfarë bën Klevisi? Ai është shoku im më i ngushtë. S’e kuptoj, pse rri i lidhur me mua? Ti nuk ndjen fare për mua; këtë gjë e kam kuptuar prej kohësh…

– Shiko Megi, është e vërtetë ajo çfarë ke menduar dhe mendoj t’i japim fund këtu ku jemi.

Ajo më pa me sytë e trishtuar dhe iku duke qarë. Qëndrova aty jashtë, kur pashë Klevisin që po rrinte në ballkonin e shtëpisë. Ai më pa dhe ia bëra më shenjë që të afrohej. M’u afrua dhe më pyeti se çfarë kishte ndodhur. I tregova të vërtetën për gjithçka dhe i thashë edhe që ndjeja për të. Në fillim heshti dhe s’po fliste, por pastaj m’u hodh në qafë. S’e kisha menduar kurrë që Klevisi e kishte pritur këtë gjë prej meje. Ashtu siç ishim, shkuam mbrapa shtëpisë dhe aty ndodhi ajo çfarë kisha ëndërruar prej kohësh me të.

Megjithëse ishte shumë i ndrojtur, arrita ta bindja që e ndjeja në atë moment të bëja dashuri me të. Ashtu, nën efektin e alkoolit dhe duke u mbështetur te ndjenjat që kishim për njëri-tjetrin, bëmë dashuri si dy të çmendur. Ajo natë ka për të qenë e paharruar për mua. Megi e mori vesh ose më saktë, e kishte kuptuar me kohë, por nuk i tregoi askujt për marrëdhënien tonë, vetëm se ajo nuk u afrua kurrë as me mua, as me Klevisin. U përpoqa disa herë t’i afrohesha qoftë edhe për t’i kërkuar falje, por ajo më thoshte vazhdimisht që i vinte pështirë prej nesh dhe që e kishim zhgënjyer shumë. Në fakt, ashtu ishte, Megi pësoi një tradhti të dyfishtë. Edhe sot e kësaj dite dashuria ime me Klevisin vazhdon dhe jemi të lumtur. Megjithëse jetojmë në një vend me paragjykime të rënda, do të vijë dita kur do ta them hapur që jam homoseksual.