Ballina Aktualitet Lajme Rezultati baras “shpëton” Trajko Veljanovskin?! (VIDEO)

Rezultati baras “shpëton” Trajko Veljanovskin?! (VIDEO)

A ka bazë në Rregulloren e Kuvendit për seancë plenare, për miratimin e kërkesës së gjykatës për paraburgimin e deputetit të VMRO-DPMNE-së Trajko Veljanovski, pas konkluzionit neutral në Komisionin amë,? Pyetja ndan në qëndrime kreun e Kuvendit Talat Xhaferi dhe shumicën e drejtuar nga LSDM-ja. Në një prononcim për mediat Xhaferi raportohet të ketë deklaruar se Kuvendi vendos në bazë të kërkesës së Komisionit i cili në këtë rast nuk ka propozuar as heqjen dhe as mos-heqjen e imunitetit të Veljanovskit.

Për thirrjen e seancës si bazë është raporti me konkluzione. Rregullorja nuk i parashikon këto situata. Unë do të thirrë seancë por për çfarë do të votohet? Nuk ka konkluzion nga Komisioni. Për çfarë të debatojmë? Për çfarë votojmë, për marrjen ose mos-marrjen e imunitetit? Nuk mundet që gjykata t’i propozojë Kuvendit, sepse për çfarë është koncepti i Komisionit për çështje të Rregullores, mandatit dhe imunitetit? Këto situata specifike nuk i parashikon Rregullorja- deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Por LSDM-ja thotë se ka bazë për thirrjen e seancës.

Ka bazë për seancë plenare sepse ne votojmë në bazë të kërkesës së gjykatës. Konkluzioni i Komisionit është se nuk ka qëndrim sa i takon marrjes së imunitetit të Veljanovskit sipas kërkesës së Gjykatës- tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Pas dy ditësh debat, Komisioni për çështje të Rregullorës, mandatit dhe imunitetit u mbyll me 4 vota për dhe 4 vota kundër heqjes së imunitetit të Veljanovskit. Në momentin e votimit mungoi deputeti i BDI-së Agim Shaqiri, siç u tha, për shkak të problemeve shëndetësore. Kreu i Komisionit Pavle Bogoevski, tani barrën e vendimit e ka hedhur te Kuvendi. Sipas tij, mospasja qëndrim e Komisionit, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton se Kuvendi nuk duhet të debatojë për kërkesën e Gjykatës.

Në bazë të raportit të Komisionit për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit, Kuvendi më së voni në afat prej tre ditësh nga dita e pranimit të kërkesës për paraburgim të deputet, vendos sipas kërkesës (dhe jo sipas qëndrimit të Komisionit). Kjo nënkupton se janë plotësuar kushtet që kryetari i Kuvendit të caktojë seancën plenare në afatin e paraparë- pohoi Pavle Bogoevski, kryetar i Komisionit për çështje të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve.

Bogoevski me plot përgjegjësi konfirmon problemet shëndetësore të deputetit të BDI-së Agim Shaqiri por shton se mbetet e paqartë se pse zëvendësja e tij në këtë komision nuk erdhi të votojë në vendin e tij. Alsat kontaktoi të dy deputetët e BDI-së, anëtarin e komisionit në fjalë Agim Shaqiri, i cili ishte prezent gjatë pjesës më të madhe të debatit, dhe zëvendësen e tij në këtë komision Mirsada Asani. Të dy deputetët deklaruan se kanë qenë në koordinim për votimin por Komisioni ka votuar pa e pritur deputeten Asani.

Pas pauzës që e dha kryetari i Komisionit në ora 18 shkova në qendrën emergjente në klinikën shtetërore ku u ndalova nga mjekët për arsye të problemeve serioze shëndetësore. U dëgjova me koordinatorin e grupit parlamentar të BDI-së Ejup Alimi. Pas kësaj situate, koordinatori ka marrë masa që të sigurojë zëvendës-anëtarin dhe ta sjellë në votim mirëpo Komisioni ndërpreu punën dhe e vuri në votim vendimin pa pritur ardhjen e deputetes tonë- tha Agim Shaqiri, deputet i BDI-së.

Unë kam qenë në koordinim dhe në pritje sepse marrëveshja për votim ka qenë në ora 23 ndërsa ata e kanë vënë në votim para kohe, duke mos më pritur mua- tha Mirsada Emini Asani, deputete e BDI-së.

Për kërkesën e Gjykatës për miratimin e paraburgimit për Veljanovskin duke i hequr imunitetin e deputetit, Kuvendi duhet të vendosë në afat prej tre ditësh. Kjo nënkupton se afati skadon sonte në mesnatë. Kërkesa e Gjykatës për Veljanovskin bazohet në dyshimet për organizimin e 27 prillit të përgjakshëm në Kuvend, në kohën kur ai si ish kryeparlamentar drejtonte seancën konstituive.

@tn.lajmelokale
@tetovanews