Ballina Shëndeti Një detaj që mund t’ju shpëtojë jetën

Një detaj që mund t’ju shpëtojë jetën

Një grua thotë se është me fat që është gjallë dhe gjithçka falë parukieres së saj, e cila dalloi që kishte një formë të rrezikshme kanceri të lëkurës. 44-vjeçarja Jayne Hobbs e kishte injoruar ndryshimin e një nishani që kishte në kraharor, por parukierja e saj kuptoi se ishte melanomë, një formë agresive e kancerit të lëkurës, që në Britani vret 6 njerëz në ditë.

Nëna e 3 fëmijëve nga Kenti, duke folur për të përditshmen “Mirror” tha se e kishte vënë re që nishani në kraharor ishte disi më i errët se normalja gjatë kohës që ndodhej me pushime në Gusht, por nuk i kishte vënë rëndësi, duke menduar se ndryshimi i ngjyrës kishte ardhur si pasojë e rrezeve që kishte marrë.

Por kur shkoi në Tetor për trajtim fytyre në sallonin e bukurisë, parukierja i tha se fakti që kishte ndryshuar ngjyrë që prej herës së fundit që 44-vjeçarja kishte qenë në sallon ishte shqetësues dhe e këshilloi që të shkonte të bënte një vizitë.

Gruaja rrëfeu se ndonëse iu nënshtrua ndërhyrjes për heqjen e nishanit, deri në momentin që erdhën analizat, nuk e besonte se mund të kishte diçka të keqe. “Kur më thanë se ishte melanomë, u trondita”, tregoi Hobbs. Ajo iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje për të hequr edhe më shumë lëkurë, në mënyrë që të sigurohej se kanceri kishte ndaluar së përhapurit. Fatmirësisht rezultatet erdhën të pastra, ndonëse iu këshillua që t’i kontrollojë herë pas here nishanet e tjera në trup.

Ajo e ndau historinë e saj me publikun, në mënyrë që të ndërgjegjësojë njerëzit që të mos neglizhojnë kontrollet dhe ndryshimet e nishaneve./tvklan.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews