Ballina Sport Mançester Junajtid-Liverpul, barazim në klasiken më të çuditshme angleze

Mançester Junajtid-Liverpul, barazim në klasiken më të çuditshme angleze

Klasikja e sotme e kampionatit anglez mes Mançester Junajtid dhe Liverpul do të kujtohet gjatë jo vetëm për barazimin që solli edhe hapjen e plotë të luftës për titullin kampion që tashmë sheh të kuqtë me vetëm 1 pikë diferencë ndaj Sitit, por edhe për rrethanat e çuditshme në të cilat u zhvillua dueli.

Skuadra e Solskjaer është një nga ato më në formë në Premier Ligë dhe e ka treguar këtë duke regjistruar një seri mbresëlënëse rezultatesh për t’u afruar përsëri me zonën Champions. Por sot, ndaj Liverpulit, nuk kishte mundësinë që të shprehte më të mirën edhe për faktin e thjeshtë se u godit nga një krizë e çuditshme dëmtimesh.

Në minutën e 21 të takimit Pereira zuri vendin e Herrera të dëmtuar, ndërsa vetëm 4 minuta më vonë edhe Mata doli nga loja duke çaluar, i zëvendësuar nga Lingard. Dëmtimet goditën edhe Liverpulin, me Firminon që braktisi fushën për Starrixh, kurse pa u mbyllur pjesa e parë, Lingard i aktivizuar si zëvendësues u detyrua të dilte vetë i dëmtuar duke i lënë vendin Sançez.

Kjo bëri që Junajtid të improvizonte në pjesën e dytë dhe të mendonte më shumë për të mos humbur ndeshjen, ndërsa Liverpuli nuk arriti të gjente rrjetën, edhe pse te “djajtë e kuq” kishte lojtarë si Rashford të cilët sakrifikuan në fushë të dëmtuar për të mbyllur sfidën në barazim pa gola.

Tashmë Liverpuli ka një pikë më shumë se Mançester Siti në renditje, por me 11 ndeshje për t’u luajtur në kampionat, gjithçka mund të ndodhë deri në fundin e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Mançester Junajtid, që ka vetëm 1 pikë diferencë me Arsenalin e vendit të katërt dhe duket në gjendje për të rivalizuar me “topçinjtë” që fituan 2-0 ndaj Sauthempton, apo edhe me Çelsin, për këtë vend që të çon në Ligën e Kampioneve pasi tre të parët tashmë janë shumë të shkëputur.

@tn.lajmelokale
@tetovanews