Ballina Bota Analiza Lufta e Kinës dhe Rusisë për Rajonin e Ballkanit

Lufta e Kinës dhe Rusisë për Rajonin e Ballkanit

Rajoni i Ballkanit pritet të jetë kufiri i ardhshëm gjeopolitik, për këtë arsye, Rusia dhe Kina janë të etura për të investuar në të

Otto von Bismarck, ideatori i Gjermanisë së bashkuar dhe ai që e shndërroi këtë të fundit në një prej fuqive më të rëndësishme botërore, i është referuar Ballkanit si një rajon, problemet e brendshme të të cilit shpeshherë kanë tendencë të tërheqin vëmendjen dhe interesin e fuqive të jashtme.

Në të vërtetë, 16 vjet pas vdekjes së tij, vrasja e Arkidukës Franz Ferdinand, nxiti fillimin e Luftës së Parë Botërore. Që prej asaj kohe, Ballkani ka mbetur një rajon gjeopolitik sfidues, me situata shkatërruese për të, si Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë dhe më e fundit, lufta e egër e ish-Republikës së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990. Nga ndarja e ish-Republikës së Jugosllavisë, lindën një sërë shtetesh, paqëndrueshmëria e të cilave vërehet edhe sot e kësaj dite. Kjo u bë më se e dukshme, në fillim të janarit të këtij viti, kur Parlamenti grek votoi për të njohur zyrtarisht Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Për një rajon mbi të cilin interesat e Bashkimit Europian, Turqisë, Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë të mëdha, zhvillimi politik dhe ekonomik i një shteti të vogël si Maqedonia e Veriut ka shumë rëndësi. Që nga shpallja e Pavarësisë së saj në vitin 1991, Maqedonia e Veriut po lufton me presionet e vazhdueshme të krijimit të një demokracie në një popullsi që përbëhet shumica nga maqedonas (popull sllav) dhe një pakicë të konsiderueshme shqiptarësh, turqish, romësh, serbësh dhe disa pakicave të tjera.

Jeta politike e vendit ka kaluar disa kriza, ku mund të përmendim luftën e shtetit fqinj të Kosovës që pati ndikim shumë negativ dhe përplasjen e ashpër të armatosur në vitet 2001-2002 midis shqiptarëve të Maqedonisë dhe maqedonasve. Për më tepër, një numër i madh banorësh të Maqedonisë ishin pjesë e fluksit të madh të emigrantëve nga Lindja e Mesme në Europën Perëndimore, që e përkeqësoi situatën në vend.
Sikur të mos mjaftonin problemet e mësipërme, ekonomia e Maqedonisë së Veriut është një nga më të varfrat në Europë. E lidhur ngushtë me ekonominë e madhe të Jugosllavisë, shteti i ri i pavarur mori masa të konsiderueshme për zhvillimin e ekonomisë.

Edhe pse Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së janë tani ndër partnerët e mëdhenj tregtarë, eksportet e Maqedonisë mbeten të varura nga kalimi në tregjet e Europës së Veriut nëpërmjet Serbisë. Perspektiva e Maqedonisë së Veriut mbetet sfiduese. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, papunësia është mbi 20%, tregu i punës ka mungesa të theksuara të fuqisë punëtore, sistemi arsimor ka nevojë për rishikim rrënjësor dhe duhet që sistemi gjyqësor të jetë i paanshëm. Të gjithë këta janë faktorë të nevojshëm për të përmirësuar investimet dhe për të rritur perspektivat. Infrastruktura më e mirë është e domosdoshme për zhvillimin e vendit, veçanërisht në transport.

Por ky shtet ballkanik u përball edhe me një problem tjetër; pavarësisht interesit të Shkupit (kryeqytetit të vendit) për tejkalimin e izolimit diplomatik dhe dëshirës së tij për t’u bërë anëtar i BE-së dhe NATO-s, rruga drejt anëtarësimit u ndërlikua dhe u pengua nga Greqia.
Problemi mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë daton në fillim të vitit 1991, në lidhje me emrin e shtetit të ri. Për Greqinë, emri i shtetit të ri ishte i njëjtë me emrin e rajonit në veri të Greqisë që njihet si Maqedonia greke dhe ka si qytetin e saj të dytë më të madh, Selanikun.

Frika e Greqisë ishte se nëpërmjet pretendimit se ishte “Maqedonia”, qeveria e Shkupit një ditë mund të dëshironte të krijonte një Maqedoni më të madhe, e cila do të përfshinte pjesë të Greqisë veriore, Bullgarisë jugperëndimore, Shqipërisë juglindore, Kosovës jugore dhe Serbisë. Por duke qenë se shteti i ri kishte fillimisht nevojë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe të bashkohej me organizatat ndërkombëtare, ai u bë i njohur si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYRM), dhe që në vitin 1993 iu bashkua Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Presioni për të gjetur sa më parë një zgjidhje për këtë problem ishte shumë i madh për të dyja vendet. Ai u theksua në dekadën e fundit, duke qenë se lidhjet tregtare midis dy vendeve gradualisht u zgjeruan. Depresioni i viteve 2010-2017 që kaloi Greqia, bëri që ajo ta shikonte me prioritet përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj në veri.

Dhe në fakt, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë po luan rol të rëndësishëm në formimin e tubacioneve të reja të energjisë që lidhin Rusinë dhe tregjet europiane. Greqia, e cila është e varur nga energjia e importuar, do të përfitonte shumë nga përmirësimi i marrëdhënies me shtetin fqinj në veri të saj.

Rusia

Në dekadën e fundit, rusët kanë qenë shumë aktivë në rritjen e pranisë së tyre në Ballkan, një rajon me interes tradicional. Planet e ndryshme për tubacionet për gazin rus (duke u munduar të anashkalojnë Ukrainën me të cilën Rusia ka marrëdhënie të tensionuara) përfshijnë Maqedoninë e Veriut në mesin e vendeve të tjera. Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut po punon për të ndërtuar një tubacion të gazit natyror dhe rrjetin e shpërndarjes. Shumica e gazit natyror vjen në Maqedoni nga Rusia dhe kalon nëpërmjet Bullgarisë.

Gjithsesi, në vitin 2016, Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar një interkonjektor që mund të lidhej me Gazsjellësin Trans Adriatik ose me një terminal të importit të Gazit Natyror të Lëngshëm në Greqi. Për Rusinë do të ishte ideale që Maqedonia e Veriut të mbetej jashtë çdo aleance perëndimore, si NATO dhe BE.

Rusia do të preferonte që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit të ndikoheshin më shumë prej saj. Por sipas ish-ambasadorit të SHBA-së në NATO, Kurt Volker, “edhe pse në mënyrë të ngadaltë, rajoni i Ballkanit me siguri që do të bëhet një pjesë e Europës, gjë që do të ndikojë negativisht në ambiciet e Rusisë për të mbajtur Europën të ndarë në sfera të ndryshme ndikimi; duke u munduar që të legjitimojë zbatimin e sundimit nëpërmjet formave jodemokratike, për krijimin e mundësive në mënyrë që Rusia të ushtrojë ndikimin nëpërmjet korrupsionit, operacioneve të inteligjencës dhe keqinformimit.

Aty ku Rusia e sheh paqëndrueshmërinë, pasigurinë dhe dobësinë si mundësi për të avancuar dhe për të rritur ndikimin e saj, BE përpiqet që të krijojë stabilitet, siguri dhe prosperitet”. Rusia ka qenë aktive edhe në pjesë të tjera të Rajonit të Ballkanit, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, ku dyshohet se ka ndikuar në zhvillimin e procesit zgjedhor. Edhe në Mal të Zi po hetohet grushti i shtetit gjatë 2016, i cili mendohet se është nxitur nga rusët.

Strategjia e Rusisë është të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, sidomos në ato shtete ku ndikimi i BE-së është i madh (në drejtim të tregtisë dhe investimeve), por ai është edhe një rajon që ka nevojë për ndihmë në drejtim të infrastrukturës.
Avantazhi i Rusisë është se politika e brendshme e BE-së po e ngadalëson pranimin e anëtarëve të rinj, duke lënë vende si Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria jashtë bllokut të saj. Kina ka qenë një nga shtetet e gatshme dhe të afta për të angazhuar rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Kina ka qenë aktive në ofertat e ndryshme që i ka bërë rajonit në drejtim të infrastrukturës, veçanërisht në sistemin e transportit. Sipas Institutit Amerikan të Sipërmarrjeve, Investimet e Huaja Direkte të Kinës në Maqedoninë e Veriut gjatë periudhës 2005-2018 kanë arritur në 400 milionë dollarë dhe të gjitha kanë qenë në sektorin e transportit.

Për Kinën, Maqedonia e Veriut është një lidhje e rëndësishme ndërmjet njësive të saj në portin në Greqi (ku ka investuar në të njëjtën periudhë 9.88 miliardë dollarë nga të cilat 6.7 miliardë dollarë në fushën e transportit) dhe Serbi (ku ka investuar 10.2 miliardë dollarë, nga të cilat 4.84 miliardë dollarë kanë qenë në sektorin e transportit dhe 3.07 miliardë dollarë në sektorin e energjisë).

Ndërkohë që Kina vazhdon modernizimin e rrugës së vjetër të mëndafshit nëpërmjet nismës së saj “Një Rrip, një Rrugë”, Ballkani duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, do të fitojë rëndësi më të madhe në tregjet më të gjera dhe më të pasura të Europës Perëndimore. Duke marrë parasysh sa më sipër, votimi i Parlamentit grek më 25 janar në favor të një marrëveshjeje me fqinjin e saj verior, për të njohur vendimin për të ndryshuar emrin nga Maqedoni në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të ketë pasoja të konsiderueshme. Votimi grek është një hap i rëndësishëm në drejtim të stabilitetit rajonal dhe një fitore për BE-në, në lojën gjeopolitike të Ballkanit.

Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të avancojë sa më shpejt në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE. Një prej të parëve që reagoi pozitivisht ndaj këtij lajmi ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili shkroi në rrjetin social, Twitter se vota është “një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Unë jam pro dhe po e pres me padurim momentin që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s”, tha z. Stoltenberg.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur Republikën e Maqedonisë që në fillimet e saj dhe kanë mbështetur anëtarësimin në NATO dhe në të gjitha institucionet e tjera euroatlantike. Në shtator të 2018, kur Sekretari i Mbrojtjes i asokohe, Jim Mattis, vizitoi Shkupin, ai e cilësoi atë si “një partner i besueshëm i sigurisë dhe një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë globale.
Në të njëjtën kohë, z. Mattis vuri në dukje se Rusia po zhvillonte një fushatë të fshehtë propagandistike në shtetin e Maqedonisë kundër ndryshimit të emrit të kësaj të fundit në Maqedoninë e Veriut. / Scott B. MacDonald-The National Interest/ Monitor/

VIDEO bonus:
Loading...