Ballina Opinione Ku ta gjejmë një kandidat shqiptar për President?

Ku ta gjejmë një kandidat shqiptar për President?

Nga Emin AZEMI

Shqiptarët nuk po munden ta gjejnë një kandidat të përbashkët për President. Por, shqiptarët, sigurisht nesër do të votojnë për ndonjë kandidat maqedonas për President. Shumëkush nuk do t’i besojë këtij parashikimi, por nëse e kaluara është njëfarë reference për të ardhmen, atëherë na bie ndërmend Gligorovi, Trajkovski, Cërvenkovski, Ivanovi, të cilët zor se do të mund të bëheshin President pa përkrahjen edhe të shqiptarëve.

Dhe përkrahja ka qenë e ndryshme. Ka qenë e hapur dhe interne. Dikush ka bë pazar, një tjetër ka përfitu personalisht, kurse ata që s’kanë pa kurrfarë hajri, kanë qenë shqiptarët si kolektivitet. Kështu është me politikën dhe me politikanët, të cilët u ngjajnë fëmijëve të vegjël e të cilët pasi të jenë kthyer nga dyqani, nuk ia japin krejt kusurin prindit, por e ndalin për veti ndonjë qindarkë.

Në politikën tonë kanë ndodhur shumë pazarllëqe në emër të temave të mëdha, kurse përfitimet individuale të politikanëve kanë qenë arsyet kryesore pse njerëzit në këto 26-27 vite janë marrë me politikë. Sepse, vetëm në politikën që zhvillohet këtu nuk ka nevojë të kesh ndonjë dije akademike, apo përvojë eksperti. Politikën te ne mund ta dredhë edhe një person, i cili pasi të bëhet deputet a ministër, fillon të mendoj se kur e ka kry shkollën fillore, mirëpo pas një kohe relativisht të shkurtër atë e ke me diplomë universiteti.

Këto ndoshta mund të jenë edhe arsyet kryesore se pse politika shqiptare nuk po mundet ta gjejë një kandidat të denjë për President, ndonëse të tillë ka, madje edhe brenda partive politike. Mirëpo, kushtet ekzistuese kryesor për të qenë kandidat për President, duhet të jenë: mundësisht të mos jetë mjaftueshëm i ngritur intelektualisht , të ketë ndonjë të kaluar të diskutueshme që mund të bëhet peng i të ardhmes dhe mundësisht të ketë kaluar të gjitha trajnimet partiake për dallavere zgjedhore.

Të ndodhur të hutuar dhe të stepur para këtij mali të thepisur me kushte të vështira, mjaft djem e vajza nëpër parti e jashtë tyre vështirë e kanë ta projektojnë vetveten në zero që dikush mund ti shumëzojë me vetveten. Sepse te ne, nëse unë si politikan i vjetër jam i paaftë, në asnjë mënyrë nuk i jap përparësi një të riu që ka mbaruar universitetin me dhjeta. Te ne, frika nga njerëzit e aftë, dhe të tillët nuk mungojnë nëpër parti dhe jashtë tyre, është shndërruar në kompleks.

Ku ta gjejmë një kandidat shqiptar për President? Ata që duhet ta vendosin se kush duhet të jetë ai kandidat, nuk bashkëpunojnë në mes vete, sepse partitë shqiptare, më përpara merren vesh me politikanët maqedonas se në mes vete. Ka jo pak politikanë shqiptarë, të cilët kanë dy diskurse publike: njërin për jogurt patriotizëm që mund të shprehet publikisht dhe tjetrin për biznes personal që mund të përkthehet në rehati brezash.

Sa lehtë mund të zgjidhet ky problem, mirëpo partive tona politike nuk iu shkon mendja, ta propozojnë, bie fjala, Talat Xhaferin për kandidat për President dhe bashkërisht të dalin në popull dhe të kërkojnë përkrahjen e votuesve shqiptarë, por edhe maqedonas. Kjo kandidaturë mund të konsiderohet e natyrshme për disa arsye: Talati u tregua person me integritet politik, kombëtar e njerëzor në të gjitha këto turbulenca politike prej 27 prillit 2017 e këndej, e dyta, Talati nuk bën pjesë as në klanin e Tetovës, as të Çairit dhe e treta, Talati gëzon përkrahjen e parezervë të Prishtinës dhe sidomos Tiranës për të qenë një përfaqësues dinjitoz i shqiptarëve në fushatën e ardhshme për President të vendit.

Partitë shqiptare duhet të kthjellen dhe të kthehen në amzën e tyre, sepse vetëm aty ndodhet fuqia e tyre politike. Kurrfarë emri tjetër që të asocon në ndonjë nip melez, apo në ndonjë gjysëmshqiptar që e ka harru biografinë e tij nuk e nxjerr politikën shqiptare nga letargjia e mosdefinimit të kursit kombëtar kundruall politikave agresive maqedonase. (koha.mk)

Loading...