Ballina Suplement Arsimi Ju rrëfej “doktorët”! Një bisedë me denoncuesin e plagjiaturave

Ju rrëfej “doktorët”! Një bisedë me denoncuesin e plagjiaturave

Entela Resuli – Dita

Prej disa muajsh, vijojnë të zbulohen çdo javë emra politikanësh që doktoraturën e tyre e kanë vjedhur. Një prej emrave që ka marrë përsipër zbulimin e të vërtetave mbi doktoraturat është Vladimir Kola.

Kola vetë ka mbrojtur doktoraturën në të drejtën publike në Universitetin e La Sapienza të Romës. Prej disa muajsh ai po gjurmon dhe zbulon se çfarë ndodh me doktoraturat e njerëzve që janë prezent në jetën publike në vendin tonë.

DITA bisedoi dje me Vladimir Kolën.

-Zoti Kola, ju po hetoni dhe botoni plagjiaturat në titujt shkencorë nga persona të ndryshëm publikë. Ju vetë çfarë formimi kini?

Titulli i fundit që kam mbrojtur është Doktor në të Drejtën Publike.

-Pse i jeni futur këtij investigimi?

Ka shumë motive se perse i kam bërë investigimet, por tri janë motivet kryesore: 1) konstatimi i mungesës së seriozitetit të konkurseve për punësimin akademik, në Universitete; 2) denoncimi i parë që bëri Taulant Muka mbi plagjiaturën e artikullit shkencor i shkruar nga ish-zëvendës ministri i arsimit Demo; 3) interesi publik që ka pasur për çështjen në fjalë.

-Sa kohë keni që po merreni me këtë gjë?

Që nga fillimi i dhjetorit të vitit 2018.

– Në fillim, mendonit se do të gjenit kaq shumë plagjiaturë?

Jo, nuk mendoja se kishte një problem kaq të përhapur te tezat e doktoraturës.

-Sa raste keni zbuluar që është vjedhur teza e doktoraturës?

Mbi dhjetë raste.

-Si e bëni verifikimin e tyre?

Në internet. Nëpërmjet google. Pasi zbuloj ngjashmërinë në tekst, e verifikoj në mënyrë të detajuar.

-Cilët janë emrat që kanë kryer plagjiaturë, na përmendni disa që keni zbuluar deri më tani?

Mimi Kodheli, Monika Kryemadhi, Ditjona Kule, Vangjel Tavo, Mithat Mema, Kseanela Sotirfoski, Shemsho Lamaj, Blerina Gjylameti. Mema dhe Sotirorfski jo për doktoraturë, por për artikuj shkencorë.

-Sot (dje ) keni denoncuar deputeten Blerina Gjylameti se ka vjedhur një pjesë të Tezës së doktoraturës, si qëndron e vërteta dhe nga kush e ka vjedhur?

Siç e kam thënë në analizën që kam publikuar në profilin tim në Facebook, në Tezën e doktoraturës së Gjylametit janë kopjuar pak a shumë 22 faqe (në ndonjë rast, me ndonjë ndryshim të vogël në tekst), nga një studim i vitit 2008 me titull “An Introduction to Strategic Human Resource Management”, me autorë Paëan Budhëar dhe Samuel Aryee. Studimi i vitit 2008, nuk është cituar, referuar në tekstin e Tezës, as nuk është listuar te literatura e konsultuar, në fund të Tezës.

-Keni pasur ndonjë reagim pre saj për këtë demaskim publik që i keni bërë?

Jo. Tani pashë edhe faqen e saj në Facebook, por nuk shoh asnjë reagim.

-22 faqe vjedhje, janë shumë… apo jo?

Për ta kuptuar duhet të kemi parasysh shumë faktorë, por mbi të gjitha tre: 1) a është referuar burimi origjinal? 2) sa përqindje e burimit origjinal është kopjuar? 3) kopjimi është bërë në mënyrë diskrecionale apo pa diskrecion? Në lidhje me referimin, përveç ndonjë fjalie të shkurtër, për fjalitë e gjata dhe për paragrafët duhet të behet referimi i burimit origjinal.

Në lidhje me përqindjen e kopjuar nga burimi origjinal, edhe pse ka interpretime të ndryshme, një përqindje që tejkalon 10-15 % të burimit origjinal, do të konsiderohej përqindje e lartë. Duhet parë edhe një aspekt tjetër, domethënë si është bërë kopjimi, për shembull të kopjosh pesë faqe pa ndërprerje nuk është njësoj si të ishin të shpërndara në shumë paragrafë, në shumë faqe, të një tekst prej 200 faqesh. Nëse i kopjon duke i copëzuar në shumë paragrafë dhe e referon burimin origjinal, do të konsiderohej si diçka normale (me kusht që të mos jetë një përqindje shumë e lartë e burimit origjinal), por nëse i merr dhe i vendos pesë faqe bashkë, atëherë do të konsiderohej si shkelje edhe duke i referuar, sepse mungon puna jote intelektuale si autori i studimit.

Në rastin e zonjës Gjylameti, burimi origjinal nuk është referuar, është kopjuar një përqindje shumë e lartë rreth 90 % e studimit të vitit 2008 dhe në disa pjesë të tezës është pa diskrecion (faqe të tëra).

-Çfarë duhet të ndodhë me këta persona që kapen me plagjiaturë?

Me sa kam dijeni unë, duhet të mblidhet një komision kompetent për këtë çështje dhe të vendosë, nëse duhet të hiqet apo jo titulli i Doktoraturës i fituar me plagjiaturë.

-A parashikon ligji heqjen e titullit shkencor?

VKM-ja nr. 777, datë 26.12.2018, parashikon që Ministria e Arsimit të kryejë kontrollin digjital të disertacioneve (Tezave të doktoraturës) dhe më pas ia kalon Institucionit të Arsimit të Lartë. Ky i fundit, duhet të vendosë brenda 90 ditëve, nga data që është sinjazuar nga Ministria, nëse duhet rishikuar apo jo titulli akademik.

-Sipas mendimit tuaj, çfarë i shtynë politikanët që të bëjnë një doktoraturë, kur kjo nuk është kusht që të jesh në politikë ?

Nëse nuk i përdorin edhe për qëllime akademike apo punësimi tjetër, doktoraturën e marrin për ta pasur në CV.