Ballina Aktualitet Lajme Hajdutja profesioniste nga Prishtina vidhte kuletat e grave, ja rrëfimi i tyre!

Hajdutja profesioniste nga Prishtina vidhte kuletat e grave, ja rrëfimi i tyre!

Një grua nga Prishtina që quhet Vetëtima Berisha dyshohet se brenda një periudhe të shkurtër kohore e arriti nivelin e hajneshes profesioniste. Metoda të ndryshme përdorte ajo, përmes së cilave arrinte t’ua vidhte kuletat grave para syve të personave me të cilët ato ndanin tavolinën nëpër kafene të kryeqytetit. Për pak vjet ajo vodhi dhjetëra kuleta, në të cilat kishte shuma të ndryshme të parave. Në tri rrëfime të tri grave dhënë Gazetës Express, Vetëtima dyshohet se ka vjedhur 740 euro, pa llogaritur gjësendet tjera me vlerë. Kur ajo i merrte paratë, kuletat me dokumentet e viktimave i gjuante në rrugë, objekte banesore, etj.

Fiona R. (emër i njohur për redaksinë) tregon se si hajnesha ia vodhi kuletën para 12 ditëve brenda një kafiterie te nënkalimi në lagjen “Dardania” të Prishtinës. Fiona kishte pasur 300 dollarë në kuletë, të cilët kanë vlerën e 264 eurove.

Hajnesha ia vodhi kuletën pa telashe para syve të shoqeve të saj dhe personave të shumtë që ishin brenda kafiterisë atë ditë.

“Nuk e di kush ka qenë, jom konë në një kafiteri te nënkalimi në Dardani të Prishtinës, vjedhja ka ndodhur para 12 ditëve. Femër ka qenë personi që ma ka marrë kuletën, e kemi pa në kamerat e sigurisë brenda lokalit”, thotë Fiona për Gazetën Express.

Duket se pronarja e re e dollarëve të Fionës është gjetur.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se një e dyshuar, Vetëtima Berisha, është arrestuar me dyshimin se ka vjedhur më shumë se 14 herë.

“Pas hetimeve të vazhdueshme, është arrestuar nga Policia e Kosovës e dyshuara femër K/Shqiptare pasi që dyshohet se e njëjta për disa muaj rresht kishte kryer 14 (katërmbëdhjetë) raste të vjedhjeve në lokacione të ndryshme në Prishtinë. Pas intervistimit, e dyshuara, me urdhër të prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes”, tha policia.

Për të, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë kërkesë në Gjykatë që t’i caktohet paraburgimi (vendimi për caktimin e paraburgimit do të merret sot).

Me t’u publikuar ky lajm, kanë shpërthyer komentet në Facebook-un e Expressit, ku shumë gra kanë etiketuar viktimat e Vetëtimës.

Secila nga to është shprehur entuziaste që Vetëtima më në fund do të dalë para drejtësisë për vjedhjet e shumta që i ka bërë.

Viktimat e hajneshës

Fiona Berisha tregon se si kishte kuptuar se dikush ia kishte vjedhur kuletën vetëm kur kishte shkuar te mjeshtri i veturave për të paguar për rregullimin e veturës.

“Mas orarit të punës, kam dalë me kolege me pi një kafe, kam qene tu e prit babin. Kurrë në jetë teme nuk kom majt shuma të mëdha të parave në çantë, atë ditë kom pas me pagu servisimin e veturës. I kom pas 300 dollarë, i bjen diku 260-270 euro. Ajo qaq profesionalisht më vjedh saqë jemi tri veta, dy para meje edhe nuk e vërejnë”, rrëfën Fiona.

Tregon për mënyrën se si hajnesha ia vodhi kuletën në tavolinë, ku përveç saj, ishin të ulura edhe dy shoqe të saj.

“Ajo ulet prapa meje në kafe, sipas incizimeve që i kam pa e analizon komplet situatën, lokali ka qenë plot njerëz. Qat ditë e di që dikush prej prapa po livrit, e kom kqyrë njëherë po mu ka dokë si një person derisa të rehatohet. Çantën e kom pas pak çelë, vjerrë prapa karrikës. E merr palltën e qet dorën në të as kamera nuk e kap momentin kur ma kap kuletën por verëhet që e zgjatë dorën në çantën time”, thotë ajo.

Fiona nuk ka besuar se dikush ia ka vjedhur kuletën. Tregon se është kthyer në punë për të shikuar mos e ka harruar. Por as aty nuk e ka gjetur. Më pas thotë se ka qarë nga gëzimi kur e ka kuptuar se letërnjoftimin dhe patent shoferin i ka pasur në veturë dhe jo në kuletë.

“Edhe, masi më thirr babi e kqyri që se kom kuletën. Kthehna edhe njëherë në punë me shiku mos e kom lonë në punë kuletën, edhe pse s’ka ndodh kurrë, po thash e kom lëshu dikun në punë. E kqyra që nuk e kom as në punë, e kuptova që dikush ma ka marrë kuletën. Por fati që e kom hek letërnjoftimin edhe lejen e kerrit. Kur kom pa që i kom dokumentet, kom qajt prej gëzimit”, ka thënë ajo.

“Kom pas ID të fakultetit në kuletë edhe paratë. Në polici s’e kom raportu se mendojsha që s’kemi me mujt me gjetë kuletën”, rrëfeu Fiona R gjatë të dielës.

Pas raportimit të Expressit, Fiona tha se fotografitë dhe incizimet se si i është vjedhur kuleta do t’i dërgojë në polici.

Rrëfim si të Fionës ka edhe gruaja me inicialet A.S. (gazeta e di identitetin e saj). Ajo tha se kuletën ia ka vjedhur brenda një dyqani të këpucëve. A.S. ka pasur në kuletë dokumentet e identitetit dhe rreth 80 euro.

“Para një viti, në gusht të vitit 2017, kom dalë me ble diçka se kam pas një ndejë edhe prapa teatrit kombëtar në Prishtinë në një dyqan të këpucëve kom hi me ble këpuca. Tu kqyrë këpuca, ka ardhë një gru më flokë të shkurta, s’u paraqit si konsumatore, por e ka pas një fshisë në dorë edhe kom mendu që është pastruese e dyqanit. Unë çantën e kom pas çelë se kom marrë dicka në një dyqan tjetër edhe veç e kom shti kuletën në çantë. I kom provu një palë këpucë, jom largu m’i pa te pasqyrja, qantën e kom pas në tokë, edhe ja kom lëshu rrugën se kom mendu që është pastruese e lokalit. Ajo e kish përdorë qat mënyrë me e vjedh, ka bo aktrim me fshisë”, thotë A.S.

Thotë se përmes kamerave të sigurisë që kanë qenë të vendosura në dyqan e ka parë komplet mënyrën se si hajnesha ia ka vjedhur kuletën.

Hajneshë profesioniste veç për kuleta

Tri nga viktimat e saj e kanë quajtuar atë hajneshë të nivelit profesionist për shkak të mënyrës se si ajo ua ka vjedhur kuletat.

“Dyqani ku i kam ble këpucat ka pas kamera. I kam provu këpucat edhe kur deshta me i pagu, e pash që s’e kom kuletën në çantë. Punëtorët e dyqanit i kqyrën kamerat edhe e pam që ajo gruaja e ka marrë kuletën edhe u shëtit në lokal që mos me tërhek vëmendjen edhe ka dalë prej dyqanit”, thotë ajo.

“Mënyra qysh ma ka marrë kuletën ka qenë shumë profesionale”, shprehet A.S.

Ajo rastin e ka raportuar në polici, por më pas dikush nga qytetarët ia ka gjetur kuletën pranë një objekti banesor. Në këtë mënyrë e ka gjetur letërnjoftimin, ID-në e fakultetit dhe dokumentet tjera.

“E kom pas letërnjoftimin, rreth 80 euro i kom pas, ID-në e fakultetit. Më pas e kam raportuar në polici. Por pas një kohe dikush tjetër e ka gjetë kuletën te një objekt i banesës, edhe e ka gjetë kuletën teme.

Dokumentet i kam gjetë por paratë jo”, tha ajo.

“Nëse është qajo gruaja që më ka vjedh mu, është bo shumë mirë që e ka arrestu policia, se mka lonë shumë keq”, përfundoi A.S.

Fatin si të këtyre grave e ka pasur edhe F.N. në gusht të vitit 2017. Çanta i është vjedhur pa pikë telasheje në një restorant në Prishtinë. Në videon që posedon Express vërehet se si hajnesha e vjedh çantën e huaj pa asnjë problem dhe del jashtë lokalit sikurse të ishte çanta e saj. F.N. tregon se në çantë ka pasur dokumentet personale, kartelën bankare, 400 euro, parfum origjinal si dhe gjësende tjera me vlerë.

Raste të publikimit të videove skandaloze kur qytetarëve u janë vjedhur kuletat apo çantat e dorës nëpër restorante apo garderoba janë publikuar edhe më parë në vendin tonë./Gazeta Express

@tn.lajmelokale
@tetovanews