Ballina Aktualitet Shqipëri Edi Rama tri pyetje për “Mark Markët”, si i përgjigjet pedagogu Mark...

Edi Rama tri pyetje për “Mark Markët”, si i përgjigjet pedagogu Mark Marku

Kryeministri Rama në një takim me studentët e Mjekësisë ditën e sotme nuk ka la pa atakuar edhe pedagogët që kanë hyrë në grevë, duke i quajtuar ata “Mark Markët”

Kryeministri iu drejtua studentëve duke u kërkuar që tu bëjnë “Mark Markëve” tri pyetje.

“Ju duhet ti bëni Mark Markëve, një pyetje, sepse kërkesat e studentëve nëse ju nuk do të ngatërroni kohën me sistemet, duhet ti bënin ata, këto që kërkoni ju. Pyesni pak ata, Mark Markët me shokë, a janë dakord me vlerësimin e titujve akademikë dhe të thonë si dhe kur e duan? Por këtë nuk e thonë këtë.

Keni parë që thonë të ndalohet denigrimi i pedagogëve, por për cfarë? A janë dakord ata që të ndalohet tregtaria e librave të pedagogëve për notën? Dhe pyetja e tretë është, a janë dakord që cdo vit studentët të bëjnë një vlerësim të performancës së pedagogëve, e përdor gjithë bota? Aty do të kuptojmë nëse e bëjnë grevën për ju, apo se nuk duan të përgjigjen për këto tre pyetje, tha Rama

Por në një shkrim të botuar pasdite në gazetën “Panorama, pedagogu Mark Marku i ka kthyer përgjigje tri pyetjeve të kryeministrit Rama.

Shkrimi i plotë

Kryeministri Edi Rama u ka sugjeruar studentëve të mi që të më bëjnë tre pyetje të cilat janë pak a shumë këto:

A jam unë dakord për vlerësimin e titujve akademikë

A jam unë dakord që të ndalohet tregtia e librave?

A jam dakord që studentët për çdo vit të bëjnë vlerësimin e performancës së pedagogëve. Kur dhe si?

Zoti kryeministër. Po jam i gatshëm t’u përgjigjem këtyre pyetjeve që ju në fakt në mënyrë retorike m’i drejtoni mua dhe kolegëve të mi profesorë. Por së pari dua t’ju bëj me dije se është e krejt jo etike nga ana e një kryeministri që të përgojojë një pedagog univeristeti, para studentëve apo pedagogëve të një universiteti tjetër, që edhe pse mund të kenë një farë ideje se kush jam unë (edhe mund të mos kenë ndonjë ide), nuk mund të dinë asgjë për Mark Markun si profesor, thjeshtë sepse sikurse edhe ju e dini mirë unë nuk jap mësim në Univeristetin e Mjekësisë, por në Universitetin e Tiranës, konkretisht në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe më konkretisht në Departamentin e Gazetarisë dhe të Komuninikimit.

Së dyti, sepse studentët e mi, kanë pasur mundësinë përgjatë gjithë karrierës time profesionale të më bëjnë jo vetëm ato pyetje që u sugjeroni ju, por mijëra pyetje të tjera, sepse kanë qenë të stimuluar për këtë gjë nga filozofia e mësimdhënies që kolegët e mi dhe unë kemi përqafuar si departament.

Madje, tek ne studenti vlerësohet mes të tjerash kryesisht prej aftësisë për të bërë pyetje dhe për sensin kritik ndaj dijes që u jepet në departamentin tonë. Sa për dijeni, në departamentin tonë atyre pyetjeve u është dhënë përgjigje dhe zgjidhje. Për sa i përket pyetjes së pare, studentët e dinë se procesi i dhënies së gradave ka qenë tërësisht në përputhje me ligjin, por edhe në përputhje me standartet profesionale të kërkimit shkencor.

Kjo ka bërë që nga rreth 60 doktorantë të regjistruar në shkollën tonë doktorale në këtë dhjetëvjeçar, deri tani vetëm rreth 15-16 prej tyre kanë arritur ta mbrojnë. Dhe këta i kanë të publikuara doktoraturat e tyre on line, ku gjithësecili mund t’i shohë edhe pse pakkush ka tagrin profesional për t’i gjykuar e vlerësuar.

Për pyetjen e dytë studenët e mi do të kishin thënë se në departamentin tonë është e ndaluar rreptësisht me një vendim dekanati dhe departamenti do lloj implikimi financiar i pedagogëve dhe presioni për blerjen e librave. Madje në departamentin dhe fakultetin tonë janë larguar nga auditorët ata pak profesorë që e kanë thyer këtë rregull.

Po t’i kishe takuar studentët e mi do ta kishe marrë edhe përgjigjen se çdo fillimi viti kjo gjë u thuhet publikisht klasë për klasë studentëve.

Për pyetjen e tretë normalisht do ta kishe marrë një përgjigje nëse do ta kishe kërkuar nga studentët e mi. Dhe studentët e mi do të thoshin, po ne e bëjmë vlerësimin e performancës së pedagogëve, përmes një pyetësori i cili organizohet vit për vit, dhe pas përpunimit kompjuterik të të dhënave të mbledhura paraqitet në një takim të hapur me studentët dhe pedagogët.

Sa keq për ju zoti kryeministër që në vend që të pyesje studentët e mi për këto gjëra shkon e pyet studentët e mjekësisë. Do të ishte njësoj sikur disa pyetje që i kam për qeverisjen tuaj të shkoja t’i bëja në Japoni apo Madagaskar.

Tani edhe një përgjigje nga ana ime, meqenëse me sa kuptoj unë të paskam shqetësuar aq sa për të dalë tek mjekët për të më përgojuar, pasi për pyetjet që në mënyrë retorike m’i bën përmes studentëve e kam një përgjigje, si edhe kolegët e mi.

Për pyetjen e parë normalisht që përgjigja është JO, jo ashtu siç doni ta bëni ju me VKM-të dhe urdhërat tuaja. Mendoni sikur doktoraturën time që e kam mbrojtur në Univeristetin Paris 2, Pantheon-Assas para një komisioni të nderuar prej 7 antarësh, me president jurie profesorin më të shquar të komunikimit në Ftrancë Francis Balle, ta rivlersonin edhe njëherë zyrtarucët e paaftë të administratës tuaj. Zot, ruajna dhe ruaji se 730 faqet e saj do t’u hanin sa vite jetë. Se lexojnë pak, ngadalë, tmerrësisht ngadalë dhe keq, tmerrësisht keq, të ngratët.

Por jo vetëm nisur nga vetja jam kundër. Se ajo që propozoni ju në VKM-të tuaja është antiligjore, antikushtetuese, anti akademike, anti univeristare. Për më tepër referojuni vendimit të senatit të UT-së. Ajo çfarë më bën të shkul leshrat e kresë është se kryeministri i vendit tim e njeh aq pak shtetin e së drejtës sa që bën akuza për gjithë pedagogët, madje edhe për ta si unë që i kemi mbrojtur doktoraturat jashtë, nisur nga disa raste plagjature të servirur nëpër portale, edhe ato të paverifikuara, përfshi edhe ato të ministrave dhe zyrtarëve tuaj.

Me që ra fjala, pse nuk i keni zbuluar dhe ndjekur ligjërisht ato raste deri tani në këto 6 vjet të qeverisjes tuaj? Ne pedagogët te Filologjiku e kemi bërë sa herë kemi pasur raste të tilla. Doktoraturat me plagjiaturë janë rrëzuar, madje janë marrë masa edhe në këshillin e etikës. Nga që unë kam parime etike tuajat nuk po i përmend këtu rastet, por nëse doni ejani t’ua tregojmë. Po ju lutem, kujdes mos ngatërroni fakultetet dhe na dilni në Sauk apo gjetkë se atje nuk i gjeni.

Për matjen e performacës nga studentët e keni përgjigjen në atë ju thashë më sipër, por modeli që ju na prezantoni është krejt i gabuar. Është metodologjikisht e gabuar të bësh një sondazh kombëtar për pedagogë dhe veprimtari që janë të kufizuara sipas fushave dhe departamenteve në mënyrë sektoriale. Nëse keni nevojë për model ju lutem ejani në departamentin tonë, por gjithësesi kujdes, mos shkoni në Sauk, se nuk do gjeni gjë. Në Sauk është vetëm Sauku dhe ju shkon mundi kot se Saukun mund ta shikoni edhe nga Surreli.

Për tregtinë e librave përgjigja ime është, jo, edhe pse i neveris ata kolegë të mi që e bëjnë një gjë të tillë gjetkë. Jo, sepse ju keni propozuar që ministria të përcaktojë tekstet sipas lëndëve. Zoti kryeministër, vërtetë se kuptoni çfarë gafash na ofroni si zgjidhje?! Po u rekomandoj një zgjdhje të thjeshtë që e kanë të gjithë univeristetet evropiane: financoni univeristetet dhe ata me paratë që u jepni ju ngrenë shtëpitë botuese të librit universitar. Po nejse, kot e thashë, se mos do e bësh.

Besoj edhe vetë e kuptoni që jam marrë shumë seriozisht me ato që keni thënë krejt në mënyrë jo serioze. Ç’ti bësh, ky jam dhe do të vazhdoj të jem. E bëra në respekt të kolegëve dhe studentëve të mi.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

http://www.panorama.com.al/mark-marku-i-kthen-pergjigje-rames-per-tre-pyetjet-sikur-une-per-qeverisjen-tuaj-te-pyesja-ne-madagaskar/

@tn.lajmelokale
@tetovanews