Ballina Kronika Dy ditë zie në Maqedoninë e Veriut për viktimat e aksidentit rrugor

Dy ditë zie në Maqedoninë e Veriut për viktimat e aksidentit rrugor

Katërmbëdhjetë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur është bilanci i aksidentit të rëndë rrugor që ka ndodhur të mërkurën pasdite në autostradën Shkup-Tetovë, afër fshatit Llaskarcë, 10 kilometra nga kryeqendra e Maqedonisë së Veriut.

Aksidenti ka ndodhur nga rrokullisja e autobusit të linjës Shkup-Gostivar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka ftuar në një mbledhje urgjente qeverinë, e cila ka shpallur dy ditë zie në këtë vend.

“Natë e rëndë, e mbushur përplot me dhimbje e dëshpërim. Sonte shteti jonë është në pikëllim. Nuk kam fjalë që mund të ngushëllojnë familjet e bashkëqytetarëve tanë, të cilët humbën jetën në këtë tragjedi të rëndë komunikacioni”, ka deklaruar Zaev.

Të plagosurit janë dërguar në urgjencën e Klinikës Universitare në Shkup dhe, sipas informacioneve të zyrtarëve, gjendja e së paku pesë personave është ende kritike.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se mjekët po bëjnë gjithçka për t’iu dhënë të të plagosurve ndihmën e nevojshme.

Ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Prokurorisë Publike kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekspertizat mbi shkaqet e aksidentit.

Vozitësi i autobusit i ka shpëtuar aksidentit dhe, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje stabile, ndërsa ekipet e hetuesisë kanë zhvilluar bisedë me të, por pa dhënë detaje.

Jozyrtarisht mësohet se shkak për këtë tragjedi mund të ketë qenë plasja e njërës nga gomat e autobusit, pas çka vozitësi ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke rënë në një hendek përgjatë autostradës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews