Ballina Aktualitet Drejtoresha heq mësuesen nga puna sepse nuk e duan kolegët (Video)

Drejtoresha heq mësuesen nga puna sepse nuk e duan kolegët (Video)

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme një ngjarje absurde që ka ndodhur në Elbasan. Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Hysen Polaku” në Papër Sallak. Mësuesja Nertila Kaso ka përfunduar studimet e larta në Bachelor dhe Master për mësuesi të ciklit të ulët.

Pasi aplikoi për punë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, fitoi si mësuese ndihmëse në shkollën në Pajun dhe në Papër Sallak. Por, 3 ditë pasi kishte nisur punë, drejtoreshja e shkollës në Papër Sallak e pushoi duke i thënë se mësuesit e tjerë nuk e duan dhe nuk e kanë votuar. Ndërsa nga Drejtoria Arsimore e Elbasanit nuk ka asnjë urdhër me shkrim për mbledhjen e kolektivit, ndryshe nga sa pretendon drejtoresha Dituri Gurra.

Nertila Kasa: “Kam mbaruar shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, pedagogjiken, jam e diplomuar në bachelor mësuesi, jam e diplomuar në Master Shkencor për mësuesi arsim fillor, pastaj kam marrë licencën, kam bërë një vit stazh në Papër Sallak këtu në këtë shkollë ku unë jam sot dhe kam marrë nga Drejtoria Arsimore vlerësim 3.7 shumë mirë. Pasi i kam mbaruar gjithë këto, kam fituar të drejtën time në DAR të kërkoj punë. Dhe në datë 5 Dhjetor më thirri drejtoresha e shkollës dhe bashkë me Alqi Çabirin më kanë drejtuar si mësuese ndihmëse në shkollë Papër Sollak edhe Panjun, në të dyja shkollat.

Tre ditë mësim në shkollën e Papër Sallakut, drejtoresha më ka thirrur një ditë dhe më ka thënë ti nuk do të vazhdosh më punë sepse kolektivi ty nuk të ka votuar. Kolektivi mua më ka votuar ditën e parë, drejtoresha kishte mbledhur kolektivin dhe kishte thënë që Nertilën do ta votojmë sot. Ato kishin votuar, të gjithë kundër dhe 5 mësues nga Papër Sollaku. Ndërkohë, që në Drejtorinë Arsimore kanë shkuar vetëm 3 firma për mua. Pastaj shkoj te Alqi Çabiri, ai më tha që drejtoresha bashkë me kolektivin ty nuk të kanë pranuar si mësuese ndihmëse”.

Gazetarja e emisionit “Stop” pyeti banorët e tjerë të fshatit, të cilët thanë se e duan mësuese Nertilën që të japë mësim, pasi është e diplomuar dhe për më tepër ka ndjekur studimet Master, që mësuesit e tjerë të shkollës nuk e kanë. Edhe kryeplaku i fshatit ka bërë apel që Nertila Kaso të punësohet në shkollën e Papër Sollakut.

Banorët e fshatit: “E duam, është mësuese e veçantë për fëmijët tanë. Me të gjitha sakrificat që ka bërë, ka marrë edhe Master që nuk e ka asnjë mësues këtu, besoj që e meriton një vend pune këtu, i shërben këtij vendi”.

“Jam kryetari i fshatit Pajun, i bëj thirrje Drejtorisë Arsimore në Elbasan, i bëj thirrje drejtoreshës së fshatit Pajon, personi për të cilën bëhet fjalë është person që ka mbaruar shkollën e lartë, ka Master. Ajo duhet të jetë këtu se është e aftë, ka shkollën për këtë punë”.

“Jam kryetari i bordit të prindërve, ne jemi pro që ajo të kthehet në punë”.

Gazetarja e “Stop” komunikoi edhe me drejtoreshën, Dituri Gurra, e cila thotë se ka marrë urdhër nga DAR Elbasan për të mbledhur kolektivin nëse e duan apo jo mësuesen Nertila Kasa. Por, një urdhër i tillë me shkrim nuk ekziston.

Drejtoresha Dituri Gurra: “Është me urdhër të DAR. Nuk e kam urdhrin, por po ju them me urdhër të DAR. Nuk emëroj unë. Për sqarime të mëtejshme drejtohuni te DAR”.

Gazetarja: Po nuk e ka bërë drejtori këtë, e keni bërë ju!

Drejtoresha Dituri Gurra: “E kam bërë me urdhër të drejtorit”!

Gazetarja: Më trego urdhrin?

Drejtoresha Dituri Gurra: “Thjesht nuk e kam urdhrin këtu”.

Gazetarja: Një këshillë nga ana ime, ju lutem ma merrni parasysh, urdhrat e tjerë merrini me letër sepse komunikimi verbal nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë si gjë zyrtare.

Në një situatë të tillë, emisioni “Stop” i kërkoi një përgjigje Drejtorisë Arsimore të Elbasanit për këtë situatë të krijuar. DAR Elbasan u përgjigj me anë të një emaili, ku shprehej se drejtoria e shkollës emëron ose largon mësuesin duke bërë votim në këshillin e mësuesve dhe kur ka kandidatë të profilit. Në këtë rast, ky kusht nuk plotësohet. Mëesuesja Nertila Kasa u largua nga puna dhe ende sot në këtë shkollë nuk është plotësuar vendi vakant. Për rrjedhojë, nxënësit nuk bëjnë orën e mësimit pasi nuk ka mësues. /tvklan.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews