Ballina Kuriozitete Çudia nga Librazhdi: Ndërroi jetë në vitin 1991, por… u martua 6...

Çudia nga Librazhdi: Ndërroi jetë në vitin 1991, por… u martua 6 vjet më vonë

Kaleme Spaho, banore e Librazhdit, i është drejtuar emisionit “Stop” për një çështje familjare në kufijtë e absurdit. Gjyshi i saj, Hamit Luka, i martuar me Aishe Lukën, sollën në jetë nënën e Kalemes, Sanije Luka.

Në vitin 1953 gjyshi shkon për të jetuar në Belgjikë me Mereme Balliun. Ai ndërron jetë në vitin 1991. Por sipas një vendimi gjykate Hamit Luka rezulton që është martuar në vitin 1997, pra 6 vjet pas vdekjes.

“I jam drejtuar ‘Stop’-it për një çështje familjare. Gjyshi im i ndjerë Hamit Luka ka qenë i martuar me Aishe Lukën dhe nga kjo martesë ka ardhur në jetë nëna ime Sanije Luka. Hamiti me Aishen kanë jetuar bashkë deri në vitin 1953. Hamiti paska vazhduar jetën e vet në Belgjikë me një grua tjetër, e cila quhet Mereme Balliu. Nuk e di kur është martuar, nuk kemi absolutisht të dhëna. Në 91 kur erdhi demokracia gjyshi kthehet në Shqipëri. Si trashëgimtare e vetme ngelet Sanija. Regjistrimet dhe certifikatat na dalin në rregull. Kur marrim një certifikatë në vitin 1997, na del pjesëtare Mereme Balliu, e martuar në vitin 1997, në një kohë që gjyshi im ka ndërruar jetë në vitin 1991”, thotë Kaleme Spaho.

Gazetarja: Ky është akti i vdekjes së gjyshit tënd, në vitin 1991?

Kaleme Spaho: Po

Gazetarja: Ndërsa këtu kemi një certifikatë, ku në fund lexohet Aishe Luka shkurorëzuar në vitin 1953 ndërkohë me Mereme Balliun është martuar në vitin 1997. Si ka mundësi? Ai ka vdekur në vitin 1991 dhe është martuar në vitin 1997?

Kaleme Spaho: Ndoshta është ngritur prapë?

Gazetarja: Tani ti e di ku është martuar gjyshi yt?

Kaleme Spaho: Në vitin 1991 e di që ka vdekur. Nuk e di. Si u ngritka nga varri dhe u martoka, nuk e kuptoj. Prandaj i jam drejtuar “Stop”-it për të zbardhur këtë çështje.

Për këtë rast, “Stop” iu drejtua Gjendjes Civile të qytetit të Librazhdit. Në gjendjen civile të Librazhdit thonë se nuk kanë asnjë të drejtë të kundërshtojnë vendimet e gjykatës, ndaj Hamit Luka rezulton me dy bashkëshorte.

Gazetarja: Si ka mundësi që një person që ndërron jetë në vitin 1991 martohet në vitin 1997?

Vjollca Vreto, punonjëse e Gjendjes Civile Librazhd: Edhe unë këtë pyetje i bëra vetes. Si ndodh? Nuk ka ndodhur në vitin 1997, është jashtë çdo logjike. Por pse është vendosur në vitin 1997?Kkëtë duhet të gjejmë.

Vjollca Vreto: Nëse zonja e ka bërë para vitit 1991 martesën në Belgjikë, për arye të saja…

Gazetarja: Përse nuk e ka paraqitur më përpara?

Vjollca Vreto: Epo këtë duhet të gjejmë, përse nuk e ka paraqitur më përpara.

Gazetarja: Është e lejueshme që edhe pasi vdes të paraqesësh dokumentin?

Vjollca Vreto: Në momentin që një person vdes shuhen të gjitha të drejtat. Nuk e di si ka ndodhur, nuk mund të hamendësoj. Në regjistër nuk shkruhet kush e ka bërë regjistrimin. Punonjësja e gjendjes civile nuk mund të kundërshtojë aktet e gjykatave. Jemi të detyruar të vendosim aktin e gjykatës. Në këtë rast, qytetari që ka probleme të tilla, mund të rihapë çështjen në gjykatë dhe të hedhë në gjyq gjyqtarin apo kush e ka bërë këtë. Por ne si punonjës nuk mund të kundërshtojmë një vendim gjykate.

Gazetarja e “Stop” pyet Kalemen se përse mund të ketë ndodhur gjithë kjo ngatërresë.

“Kjo ka ndodhur për çështjen e pasurisë, përderisa gjyshi im ka qenë i përndjekur politik. Mami mori këstin e parë, nga zilia na del edhe një person tjetër, Mereme Balliu, që rezulton të jetë e martuar me gjyshin tim në vitin 1997, kur gjyshi im ka ndërruar jetë në vitin 1991. Njëra (grua) rezulton me letra, kurse tjetra se dimë nga ka ardhur.”

Gjyqtari që ka dhënë vendimin në vitin 1997 është larguar jashtë vendi dhe të paktën nuk rezulton se jep më vendime në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ku bën pjesë edhe Librazhdi.

Për këtë arsye, Kalemja i ka parashtruar disa kërkesa Gjykatës së Elbasanit, të cilat janë: Vendimi i shkurorëzimit të Hamit Lukën me Aishe Lukën; vendimi i aktit martesor i Hamit Lukës me Mereme Balliun dhe së treti, rishikimi i të gjithë këtij vendimi, që në fakt është absurd.

Më 24 Janar të vitit 2019 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan kthen përgjigje se sipas verifikimeve të bëra në indekset e vitit 1953 nuk rezulton që palët Aishe Luka dhe Hamit Luka të kenë zgjidhur martesën, ndërsa sa i përket aktit martesor mes Hamit Lukës dhe Mereme Balliut drejtohuni zyrës së gjendjes civile në Bashkinë Librazhd.

Në gjykatën e Elbasanit, thonë, se e vetmja gjë që mund të bëhet, është një padi për pavlefshmëri vendimi. Të njëjtin qëndrim shpreh edhe avokatja Orgesa Serani.

Avokatja Orgesa Serani: Për sa i përket divorcit, duke filluar që nga viti 1912, kur është hartuar Kushtetuta e parë e Republikës së Shqipërisë, deri ën ditët e sotme, mënyra për zgjidhjen e martesës është vetëm duke iu drejtuar gjykatës. Nëse i referohemi lidhjes së martesës, rezulton që është bërë lidhje martese me personin , i cili ka ndërruar jetë. Mendoj se është një vendim i pabazuar në ligj. Duhej të kishim një vendim shkurorëzimi, një rast divorci me bashkëshorten e parë dhe më pas martesë me bashkëshorten e dytë. Gjendja civile nuk duhej ta kishte regjistruar këtë vendim sepse edhe nëse e lexojmë këtë vërtetim, nuk thuhet që është një vendim i cili është i detyrueshëm për tu zbatuar nga zyra e gjendjes civile.

Avokatja thotë se qytetarja duhet t’i drejtohet Gjykatës së Rrethit Elbasan për rishikim të vendimit, ose t’i drejtohet gjykatës përsëri për pavlefshmërinë e veprimit juridik të ndjekur nga ana e zyrës së gjendjes civile.

VIDEO bonus:
Loading...