Ballina Sport Barcelona – Real, sfida e ‘zjarrtë’

Barcelona – Real, sfida e ‘zjarrtë’

Kur takohen Barcelona dhe Real Madridi, pothuajse e tërë bota çohet në këmbë, ani se përballja e këtyre rivalëve të përbetuar e të përjetshëm nuk do ta ketë në fushë prej sulmuesve më të mirë në botë, Cristiano Ronaldon, që tash e një kohë nga Reali ka shkuar në Juventus. Nesër në orën 21.00 në “Camp Nou” ballafaqohen Barcelona – Reali, jo për pikë, as për Champions League por për Kupën e Mbretit.

Te dyja ekipet synojnë rezultat pozitivë, që të janë me të qetë për sfidën e kthimit në Santiago Bernabeu. Së fundi Reali po kalon formë shumë të mirë, por është në presionin e Barcelonës së Lionel Messit. Santiago Solari, trajneri i Real Madridit, u shfaq i qetë në konferencën për shtyp, në prag të gjysmëfinales së parë të Kupës së Mbretit. “Është një ndeshje mes dy rivalëve të mëdhenj, si River Plate-Boca Junios, Inter-Milan, Penarol-Nacional, San Lorenzo-Huracan dhe natyrisht Real Madrid-Atletico Madrid”, ka thënë Solari.

Kalendari dhe oraret? “Është e çuditshme për t’ju thënë se kjo nuk më shqetëson aspak. Nuk jemi ne, që e bëjmë kalendarin. Ne duhet të shkojmë në fushë, të luajnë dhe të japim versionin më të mirë”, përgjigjet ai. Solari flet edhe për futbollistin Vinicius: “Nuk ka asnjë lojtar të padiskutueshëm në futboll”. E ardhmja dhe klasikja? “Ne marrim pjesë në gara të ndryshme, por duam të fitojmë gjithçka. Qëllimi është që të luajmë me të njëjtin seriozitet, me të njëjtën vendosmëri dhe me të njëjtin përkushtim. Fokusi është te ndeshja e nesërme, jo më tej”, thotë Solari. “Ne duam të konkurrojmë, të fitojmë çdo ndeshje.

Momenti i së vërtetës është çdo lojë, nuk ka dallime mes tyre”, shprehet Solari. Trajneri madrilen flet edhe për formën e lojtarëve dhe taktikën: “Duke qenë të gjithë të shëndetshëm, edhe Vallejo pothuajse është gati, më duhet të lë më shumë lojtarë jashtë skuadrës për këtë ndeshje. Kjo është pjesa më e vështirë e kësaj pune. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi është që të gjithë të tregojnë talentin dhe vendosmërinë e tyre. Nuk dihet nëse do të ketë surpriza taktika, apo jo. Ajo që unë shpresoj është që të luhet një ndeshje e bukur, ta gëzojmë atë dhe ta fitojmë”. Bale dhe përvoja e tij në këto ndeshje? “Të gjithë lojtarët kontribuojnë me atë që kanë.

Gjëja kryesore është që të hedhim më të mirët në fushë”, nënvizoi ai. Sa i përket formacionit nuk jep detaje: “Edhe nëse e kam vendosur, nuk do t’jua them”. Solari nuk mërzitet fortë luan apo jo Messi. “Është gjithnjë bukur që më të mirët t’i luajnë të gjitha ndeshjet. Neve nuk na ndikon aspak, në qoftë se luan apo jo ai. Jemi të përgatitur për ndeshjen”, ka thënë Solari. Nga ana tjetër, në “paradhomën” e klasikes Barcelona-Real Madrid, të gjithë janë duke kërkuar përgjigjen e një pyetjeje: A do të luajë Messi të mërkurën kundër Real Madridit? Përgjigja: Ju do ta shihni! Merreni këtë përgjigje, nëse dëshironi, si një pozicion psikologjik, ose një “mashtrim taktik” në prag të sfidës së madhe.

Katalanasit mund të jenë të interesuar që ta mbajnë mister situatën e lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave dhe praninë e tij në supersfidën e madhe. Dhe kanë të drejtë, sepse po flasim për një nga pak lojtarët, që i vetëm ka aftësinë për të ndryshuar rrjedhën e një ndeshjeje. Megjithatë, në klubin katalanas, në dhomat e zhveshjes së Barcelonës, nuk ka nerva të tendosura. Askush nuk është duke “ngrënë thonjtë” e tij.

Po, është parimi i kujdesit. Që nga e shtuna e kaluar, kur pësoi goditje në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Valencias (të cilën mundi ta përfundonte, çka ishte një shenjë optimizmi), klubi blaugrana ka rrezatuar qetësi. Kjo nuk i pengon të gjithë, që të kenë kujdes maksimal për këtë lloj lëndimi. Nëse ishte një goditje, apo dëmtim, këtë nuk mund ta themi, sepse, siç e dini, Barcelona nuk ka lëshuar ndonjë raport zyrtar mjekësor, sikur bëri në rastin e dëmtimit të krahut nga Messi.

Loading...