Ballina Lajme Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, flet euroambasadori Zhbogar

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, flet euroambasadori Zhbogar

Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar ka komentuar zërat e fundit dhe kërkesën e VMRO-DPMNE dhe partive tjera opozitare për zgjedhje të parakohshme.

Ai në intervistën për REL thotë se për këtë duhet të vendosin partitë politike, por duke përllogaritur edhe rëndësinë e realizmit të reformave që mund të ngadalësohen për shkak të zgjedhjeve eventuale.

“Vendimi për zgjedhje parlamentare është vendim sovran i shtetit, i partive, i deputetëve në Parlament. Ata janë që duhet të vendosin dhe ne nuk duhet të ndikojmë te kjo. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ka reforma të caktuara që duhet të zbatohen në muajt në vazhdim dhe kjo duhet të llogaritet mirë. A do të ketë kohë të mjaftueshme për të dy proceset, ose si do të ndikojnë njëri te tjetri të dy proceset”, nënvizoi Zhbogar.

Sipas tij, tani është me shumë rëndësi është që deri në qershor para vendeve anëtare (të BE-së) të demonstrohet se në vend ka ndryshim në lidhje me reformat, mirëpo duke shtuar se çështjen e zgjedhjeve të parakohshme ua lë partive politike dhe deputetëve, që ata të vendosin.
Ai tha se është optimist se Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, e njohur si Marrëveshja e Prespës, do të kalojë pa problem edhe në Parlamentin grek.

“Ajo që shikoj është përkushtimi te kryeministri grek (Alexis Tsipras) për ta zbatuar Marrëveshjen në Parlamentin grek. Edhe unë i besoj përkushtimit dhe vendosmërisë së tij dhe mendoj se duhet të mbetemi optimistë dhe të fokusohemi në zhvillim pozitiv”, thotë Zhbogar.(INA)