Ballina Aktualitet Lajme VMRO-ja kërkon dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Zoran Zaev (VIDEO)

VMRO-ja kërkon dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Zoran Zaev (VIDEO)

Dorëheqje të parevokueshme nga kryeministri Zaev, iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe qeveri teknike plot 100 ditë para zgjedhjeve. Këto ishin kërkesat kryesore të VMRO-DPMNE-së, pas takimit të jashtëzakonshëm të Komitetit Ekzekutiv dhe atij Qendror të partisë. Nisma për shpërndarjen e Kuvendit nga deputetët e VMRO-së do të dorëzohet të hënën. Kreu i opozitës Hristijan Mickoski tha se pushteti me qëllim shtyn vendimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare që të skadojë afati për shpalljen e tyre. Por ai nuk sqaroi se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të partisë në rast se kërkesat e tyre nuk pranohen.

Tani do të ketë mundësinë ai, LSDM-ja por edhe shumica parlamentare dhe koalicioni qeveritar të vendosin që ta pranojnë ose ta hedhin poshtë propozimin e VMRO-DPMNE-së gjatë ditëve të ardhshme, dhe qytetarët të shohin kush është “për” dhe kush është “kundër” zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kuptohet, për hapat e ardhshëm publiku do të njoftohet. Ne shkojmë hap pas hapi duke analizuar me kujdes situatën në vend – deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski, në rast se shpallen zgjedhje të parakohshme, tha se nuk do të bëjnë kompromis për shkurtimin e afatit prej 100-ditësh për qeveri teknike.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë së kryeministrit Zoran Zaev. Ata janë të bindur në fitore në cilatdo zgjedhje pas çka sugjerojnë Mickoskin të mendojë për dorëheqjen e tij.

Hristijan Mickoski është në panik për shkak të hyrjes së Maqedonisë në BE dhe NATO, dhe pikërisht anëtarësimi në NATO dhe rritja e rrogave është dështimi më i madh i anti-perëndimorit Mickoski. Pas dëshmit në zgjedhjet e ardhshme, le të mendojë për dorëheqjen e tij. LSDM-ja është parti e cila Maqedonisë i solli sukses historik shtetëror dhe për këtë do të korrë fitore të madhe në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, kurdo që ata të mbahen – reagojnë nga LSDM-ja.

LSDM-ja mblodhi organet e partisë gjatë ditës së premte për të diskutuar edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata erdhën në përfundim që vendimi të merret gjatë javës që vjen.

Fatlume Dervishi

@tn.lajmelokale
@tetovanews