Ballina Aktualitet Reportazhe “The Financial Times”: Pesë arsye për të jetuar në Stamboll (VIDEO+FOTO)

“The Financial Times”: Pesë arsye për të jetuar në Stamboll (VIDEO+FOTO)

Gazeta britanike “The Financial Times” ka shkruar 5 arsye për të jetuar në Stamboll duke e cilësuar atë një qytet që mundëson bashkëjetesën e kulturave të ndryshme.

Nëntitulli i parë i artikullit të titulluar “Pesë arsye për të jetuar në Stamboll, Turqi”, publikuar ditën e hënë në të përditshmen ekonomike me seli në Londër, është Bienali 16. i Stambollit dhe Muzeu i Arteve Moderne të Stambollit (Istanbul Modern).

Mes rreshtave të artikullit që mban firmën e gazetares Jessie Williams, tërhiqet vëmendja se Ngushtica e Bosforit bashkon kontinentet e Azisë dhe Evropës, ndërsa theksohet se me historinë e tij të lashtë dhe pozicionin e tij gjeografikisht unik, Stambolli është një qytet që mundëson bashkëjetesën e kulturave të ndryshme.

Pasi nënvizohet gjithashtu se metropoli më i madh turk është njëherësh qendër e arteve bashkëkohore, në artikullin e “The Financial Times” spikasin këto fjalë: “Istanbul Modern, muzeu i arteve bashkëkohore të qytetit në brigjet e Bosforit, po i nënshtrohet një rinovimi miliona dollarësh, projektuar arkitekti italian me famë botërore Renzo Piano.”

Artikulli nënvizon po ashtu se një prej aktiviteteve më të rëndësishme të kalendarit artistik ndërkombëtar është edhe Bienali i Stambollit.

“Këtë vit, Bienali i Stambollit do të realizohet nga data 14 shtator deri më 10 nëntor. Organizuar për herë të parë më 1987-n, Bienali vjen këtë vit me edicionin e tij të 16-të për të prezantuar artistët bashkëkohorë nga Turqia dhe bota”, vlerëson Jessie Williams në artikullin e saj.

Bienali 16. i Stambollit është renditur nga organet e shtypit më në zë të botës, ku vlen të përmenden “The Financial Times” e “The Telegraph”, në mesin e aktiviteteve artistike që duhen ndjekur në vitin 2019.

Nën kujdesin e veçantë të akademikut, shkrimtarit dhe kuratorit të shquar francez Nicolas Bourriaud, tema e sivjetme e këtij bienali do të jetë “Kontinenti i Shtatë”.

Artikulli paraqet si nëntitull të dytë vendosmërinë e Turqisë për t’u renditur në mesin e 10 ekonomive më të mëdha botërore në fushën e financës globale deri në vitin 2023, ndërsa si nëntitull të tretë kulturën gastronomike të Stambollit nga simitja tek mëngjesi i larmishëm dhe nga pitet në qebapët e llojllojshëm.

Në nëntitullin e katër të këtij shkrimi, i cili tërheq vëmendjen edhe mbi kuptimin në turqisht të fjalës “qejf”, përcillen këto fjalë: “Qejfi është mënyrë kombëtare për të shpenzuar kohën, e cila merret mjaft seriozisht në shtëpitë dhe kafenetë (lokalet) e Stambollit. Të gjithë kanë qejfe të ndryshme, por aktivitetet e zakonshme të qejfit përfshijnë pirjen e çajit ose ngrënien e bakllavasë së freskët.”

Kurse nëntitulli i pestë dhe i fundit i artikullit të gazetares Williams për “The Financial Times” është shkëlqimi arkitekturor i Stambollit, sokakët e të cilit ofrojnë një shfaqje vizuale të historisë mijëravjeçare të qytetit. Sipas saj, krahas projekteve moderne të së sotmes, Stambolli të jep mundësinë për të soditur me ëndje edhe rrënjët historike të qytetit në objektet më simbolike të tij, siç janë Shën-Sofia, Xhamia Blu (e Sulltan Ahmetit) dhe Pallati Topkapi.

https://youtu.be/OFeeH00YORE

@tn.lajmelokale
@tetovanews