Ballina Aktualitet Lajme Të premten Kuvendi i Maqedonisë voton për ndryshimet kushtetuese

Të premten Kuvendi i Maqedonisë voton për ndryshimet kushtetuese

Deri në momentin e fundit do të zgjasë konfirmimi i shumicës prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës për nesër paralajmërojnë, siç thuhet, një miting gjithëpopullor para Parlamentit. Ndërkohë, paqartësitë e epilogut parlamentar janë shtuar me kushtëzimet që po vijnë nga radhët e opozitës shqiptare.

Çështjen e stabilitetit të shumicës e imponuan Besa e Bilall Kasamit dhe Aleanca për Shqiptarët, me katër deputetë, që kanë kërkesat e tyre për pakon e amendamenteve. Besa ka tri amendamente për ndërhyrje në Kushtetutë dhe një në Ligjin Kushtetues, që të saktësohet se shteti nuk është monoetnik. Kërkojnë që gjuha shqipe dhe shkrimi i saj të jenë në përdorim zyrtar në të gjithë vendin, kurse në pjesën që ka të bëjë me shtetësinë, në vend të zgjidhjes së ofruar “qytetarë/maqedonas të Republikës së Maqedonisë së Veriut” të qëndrojë vetëm “qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Nga Besa kërkojnë që të përmenden edhe të gjitha bashkësitë etnike si pjesë të diasporës maqedonase si dhe të intervenohet në Kushtetutë, me qëllim që çdo ligj që do të votohet për herë të dytë automatikisht të hyjë në fuqi, pa dekretin e Presidentit. Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje, opozita shqiptare paralajmëroi se nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, analistë politik për Klan Maqedoni kanë theksuar se këto kërkesa, edhe pse të drejta, janë të vonuara, tani kur vendi gjendet para një procesi mjaft të rëndësishëm për sigurimin e perspektivës euroatlantike.

Për grupin e pavarur të tetë deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, të cilët në fazën e parë ndihmuan të sigurohet shumica prej dy të tretave, nuk ka asgjë kontestuese nëse përmenden bashkësitë etnike në pjesën e diasporës. Por, lidhur me zgjidhjen për shtetësinë, një pjesë e tyre thonë se nuk do të votojnë nëse qeveria pranon të fshihet fjala “maqedonase”, ngase, thonë ata, kjo është në kundërshtim me garancitë për forcimin e identitetit.

Tash për tash rreth shumicës së dy të tretave ka spekulime të shumta. Nga njëra anë, burime të pushtetit thonë se shumica është siguruar dhe se partitë shqiptare nuk do të lejojnë të jenë arsye që Maqedonia të mbetet jashtë NATO-s dhe larg BE-së. Të tjerë, vlerësojnë se deri në fund epilogu do të jetë i pasigurtë. Burime të VMRO-DPMNE-së opozitare thonë se në grupin e tyre parlamentar ka deputetë të tjerë që besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të marrin përkrahje, por kjo mbetet të shihet, sidomos pasi kreu i kësaj partie, Mickoski, la të kuptohet se grupi i saj parlamentar do të bojkotojë seancën e nesërme plenare.

Parashikimet për epilogun parlamentar të ndryshimeve kushtetuese janë temë bosht edhe e medias greke. Siç njofton korrespodenti ynë nga Athina, Robert Goro, kalimi i tyre në Parlamentin në Shkup, me automatizëm e hudh topin në terrenin grek. Në funksion të trimërimit për të dhënë dritën jeshile Marrëveshjes së Prespës në parlamentin grek interpretohet edhe vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Athinë më 10 dhe 11 janar. /abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews