Ballina Aktualitet Kosovë Të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet nga plaçkitjet

Të bërit biznes në Kosovë po vështirësohet nga plaçkitjet

Plaçkitjet e mëdha që po ndodhin tash e dy muaj në Kosovë po e vështirësojnë edhe më shumë të bërit biznes në këtë vend. Përkundër gjitha vështirësive tjera, tashmë dhe klima e të bërit biznes është dëmtuar në aspektin e sigurisë. Kjo sipas njohësve të ekonomisë kosovare po e dëmton edhe imazhin për investitorët e jashtëm që të vijnë në Kosovë për të investuar. Eksperti Muhamet Mustafa thotë se gjitha këto raste të plaçkitjeve janë drastike dhe shteti duhet të veprojë shpejt, pasi nëse kjo bëhet dukuri, Kosova do të hyjë në një fazë shumë të vështirë të punës së saj.

“Këto janë raste drastike, nëse nuk ndalen dhe vazhdojnë atëherë kjo do të jetë një çështje shumë problematike, qoftë se vazhdon më tutje dhe qoftë se ato grupe të cilat bëjnë plaçkitje të tilla nuk neutralizohen atëherë do të jetë fatale, sigurisht që ndikojnë shumë, po shpresoj që këto janë incidentciale, do të tejkalohet, nuk do të vazhdojnë, nëse bëhet dukuri me vazhduar, atëherë Kosova do të hyjnë në një fazë shumë të vështirë të punës së saj”, tha ai.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadikaj thotë se të bërit biznes në Kosovë ka qenë shumë i vështirë, e veçmas siç thotë ai, tek rastet e fundit ku bizneset po bëhen cak i grabitjeve. Për gjitha këto raste, ai kërkoi një reagim më të qartë të institucioneve të Kosovës. Neglizhenca e këtyre të fundit, sipas tij, do të paraqitej një mesazh i keq për gjithë investitorët e jashtëm.

“Për këto raste kërkohet një reagim i qartë i institucioneve, i shtetit ligjor, i sistemit të gjyqësisë, i sanksionimit të bërave të tilla të bizneseve në Kosovë. Në fund të fundit të gjitha këto gjëra negative iu japin një mesazh të keq për mjedisin miqësor të Kosovë…nëse nuk do të kemi reagim të pushtetit ligjor, mesazhet do të ishin negative për investitorët e jashtëm. Kosova nuk duhet të lejoj të bëhet burim i informatave të tilla të zeza për komunitetin e biznesit ndërkombëtar, sepse virusi i të këqijave, atëherë nuk do të kishte të ndalur”, tha Sadikaj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews